2016-10-03 13:51:00

Më 2 tetor, filluan punimet e Kongregacionit të Përgjithshëm të Jezuitëve.


Dje më  2 tetor 2016 në Romë filluan punimet e Kongregacionit të 36-të të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit: jezuitëve. 215 anëtarët  e këtij Kongregacioni kremtuan Eukaristinë në Kishën e Jezusit në Romë, pikërisht për t’i përuruar punimet e kësaj asambleje. Siç është bërë publike prej kohësh, Eprori i përgjithshëm, atë Adolf Nicolas, i ka paraqitur Kongregacionit të Përgjithshëm të Jezuitëve, kërkesën për dorëheqje së tij nga detyra e lartë e udhëheqjes së Jezuitëve. E pikërisht ky Kongregacion, që tashmë i ka filluar punimet, është i lirë ta pranojë ose jo kërkesën e tij të dorëheqjes. Në këtë bisedë të shkurtër me atë Patrick Mulemin, realizuar para fillimit të Kongregacionit të 36-të të Përgjithshëm të Shoqërisë së Jezusit, flitet edhe për  shpresat, që burojnë nga asambleja e 215 jezuitëve nga mbarë bota.

Sigurisht programi është ai i Shpirtit Shenjt dhe ai i zgjedhësve, por Ju çka prisni, në përgjithësi, nga ky Kongregacioni i përgjithshëm?

Dëshiroj të pres, çka është e përshtatshme dhe realiste për një Kongregacion të përgjithshëm. Pas Koncilit II të Vatikanit, ishte e nevojshme të riformuloheshin shumë aspekte e përmasa të jetës rregulltare, e kjo edhe ndodhi, duke nisur nga Kongregacioni i 31-të i përgjithshëm, deri në atë të 35-tin. Kongregacionet e morën mbi vete detyrën e, me pak a shumë sukses, e ndryshuan metodologjinë, për ta përfshirë këtë aspekt të kohëve të reja të Kishës.

Tani mund të fillojmë të merremi përsëri me detyrat, që janë tipike për një Kongregacion të kësaj natyre e me numrat kaq të lartë. Mendoj se Kongregacioni nuk e ka për detyrë të prodhojë, bashkërisht, një turrë me dokumente të gjata. Ai përfaqëson gjithë Shoqërinë, përpjekjen e saj për të gjetur rrugë të reja, për ta përsosur Jetën tonë rregulltare e edhe për ta përmirësuar shërbimin tonë ndaj Kishës e Ungjillit, gjithnjë në dobi të shpirtrave.

Këto janë shpresat e mia. Shpresoj, pra, se frytet e Kongregacionit do ta përmirësojnë jetën rregulltare, duke vijuar ta frymëzojnë me shpirtin e Ungjillit e duke e pajisur me një aftësi të re për ta përfytyruar gjendjen e misionit tonë.

Mendoni se ky Kongregacion do të jetë i ndryshëm nga ai, kur ju u zgjodhët?

Po, mendoj se do të jetë shumë më i ndryshëm. Kohët kanë ndryshuar e në Shoqëri kemi vetëdijen e re se duhet të ketë më shumë guxim, më shumë imagjinatë, më shumë zell për ta përballuar misionin, si pjesë e misionit më të madh të Zotit për botën tonë. Kemi edhe një rregullore të re, që na krijoi mënyrën e re konceptimit të Kongregacionit të përgjithshëm. Do të mblidhemi vetëm në tetor të 2016-tës, por Kongregacioni mund të themi se ka filluar që në shtator 2015, me takimet e Komitetit përgatitor (shtator) e edhe me Komitetin e Koordinimit (dhjetor). Ky është një ndryshim i madh e sigurisht do të ketë pasojat e veta mbi Kongregacionin.

Ç’do të ndodhte, nëse Kongregacioni nuk do ta pranonte dorëheqjen tuaj?

Do të ishte një e papritur e vërtetë. Mendoj se e gjithë Shoqëria është e vetëdijshme se kemi nevojë për gjallëri e guxim në përballimin e ardhmërisë e se nuk është mirë për Shoqërinë të ndodhet në mes të paqartësive, që vërehen dy vjetët e fundit (a edhe më shumë) të shërbimit të çdo eprori të përgjithshëm. Me fjalë konkrete, Kongregacioni i përgjithshëm është i lirë ta pranojë kërkesën time për dorëheqjeje, ose të mos e pranojë. Në rast se nuk do ta pranonte, Kongregacioni duhet të zgjedhë një mëkëmbës, për të parashikuar vitet e ardhshme, në të cilat aftësitë e mia, natyrisht, do të pakësohen në mënyrë të ndjeshme, proces ky, të cilin po filloj ta ndjej që tani.

A do t’ia drejtojë edhe Papa Françesku fjalën Kongregacionit të 36-të?

E shpresojmë. Po Papa është i lirë, e ju siguroj se do ta përdorë këtë liri. Ne shpresojmë të gjithë se do t’i drejtohet Kongregacionit, duke shprehur ndjenjat e shqetësimet e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.