2016-10-03 12:55:00

65-vjetori i themelimit të programit shqip pranë Radio-Vatikanit


65 vjet më parë, më 3 tetor 1951, fillonte transmetimi i parë i Radio Vatikanit në gjuhën shqipe. Është e natyrshme, prandaj, që sot (në transmetimin tonë) ta kujtojmë këtë ngjarje të madhe, duke përshkuar me kujtime e me zëra 65 vjet jete kishtare, kulturore, politike e shoqërore, me gëzime e hidhërime, me arritje e humbje, gjithnjë me shpresën që buron nga Ungjilli i Krishtit.

Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Radios së Papës, e kemi ndjerë vetën të rrethuar më shumë se të gjitha programet tjera me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël!

Kemi pasur dhe kemi gjithnjë pranë Atin e Shenjtë Papë, që ka treguar  interesim të përhershëm për ecurinë e shqiptarëve e të Kishës në trevat shqiptare, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e bijve të shqiponjave. Pra, e kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë e, natyrisht, atë të drejtuesve tanë, të etërve jezuitë, që nga viti i themelimit e deri sot. Në saje të reformës së mediave të Vatikanit, që dy vjet kemi edhe eprorët e ri, mons Dario Viganò e mons.  Lucio Ruiz, që janë duke e çuar përpara reformën e mediave të Vatikanit, kërkuar nga Papa e Selia e Shenjtë, për t’i shërbyer kështu sa më mirë misionit të Kishës universale kudo në botë, me forma të reja të komunikimit shoqëror, të cilat përdoren edhe nga redaksia në gjuhën shqipe, si web-i, facebook-u e tjera.

Programi Shqipi Radio Vatikanit mbush sot 65 vjet! Është një cak i bukur! Vite të tëra për të ndihmuar e shoqëruar një popull e një Kishë të shtypur, të persekutuar e tani në udhën e lirisë e të demokracisë. Vite të tëra shërbimi për rindërtimin e vështirë civil, moral e fetar të këtij populli e të kësaj Kishe, pas rënies së diktaturës ateiste komuniste e rifitimit të lirisë e demokracisë.

Shqipëria, Kosova e të gjitha trevat  tjera shqiptare kanë qenë e janë gjithnjë në zemrën dhe vëmendjen Papëve, që kanë pasuar njëri-tjetrin në këta dhjetëvjeçarë, e ne jemi munduar për të transmetuar në këto vise fjalën e tyre atërore, për të dhënë dëshminë e Kishës, përmes fjalëve radiofonike të transmetuara ditë për ditë, e prej disa vjetësh edhe përmes internetit e mjeteve të reja digjitale të komunikimeve shoqërore.

Radioja e Vatikanit, e cila tani pas reformës së mediave të Selisë së Shenjtë, është pjesë e Sekretarisë vatikanase për Komunik, është shumë krenare që mundi ta bëjë këtë shërbim në vitet më të errëta të historisë së Shqipërisë, kur vendi qe deklaruar zyrtarisht si i vetmi "shtet ateist " në botë. Por sot, e njëjta Radio, tani si pjesë e Sekretarisë vatikanase të Komunikimit,  dëshiron të vijojë ta shoqërojë ecjen e shqiptarëve drejt synimeve të reja, në këtë epokë të re, në të cilën duhet përforcuar çdo ditë paqen në liri, paqen politike, të brendshme e ndërkombëtare, paqen shoqërore e mbi të gjitha paqësimin e përkimin e zemrave, detyrë kjo që qëndron para nesh e jo vetëm.

Këtë, u munduam ta bënim me impenjim krejt të posaçëm edhe gjatë krizës e luftës së Kosovës, por dëshirojmë ta bëjmë çdo ditë, duke u frymëzuar nga mësimi i lartë i Papës dhe Kishës, në bashkim të thellë shpirtëror me Kishën katolike të pranishme në viset e gjuhës shqipe e me të gjithë burrat e gratë veprimtarë e ndërtues të paqes, të qytetërimit të dashurisë e të vëllazërimit.

Po kujtojmë se ishte shtatori i vitit 1951, 65 vjet më parë, kur Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e Papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Për ngritjen e programit të ri u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Monsinjor Zef Shestani. Zëri i tij u dëgjua në valët e Radios së Papës më 3 tetor 1951, në orën 21, kur nisi transmetimi i parë i programit tonë, me temën simbolike: "Udhën e Krygjës".

Po e mbyllim përkujtimin e këtij përvjetori, me temën e Ditës së 50-të të komunikimeve shoqërore të këtij, me temën: “Komunikimi dhe mëshira: një takim i frytshëm”. Ati i Shenjtë Bergoglio pati theksuar se pushteti i vërtetë i komunikimit është “afërsia” me njerëzit dhe me problemet e kësaj bote. Papa na kërkon të komunikojmë të vërtetën me dashuri, pa i gjykuar njerëzit. Ai gjithashtu, na fton që rrjetet shoqërore të kthehen në vende të mëshirshme, ku të favorizohen marrëdhëniet e vërteta dhe ndarja e problemeve të të tjerëve.

 “Çdo gjë që themi e si e themi, çdo fjalë e çdo gjest duhet të shprehë dhembshurinë, ëmbëlsinë dhe faljen e Zotit për të gjithë”. Në Vitin Shenjt kushtuar Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku kujton së pari, se “dashuria, për natyrën e saj, është komunikim”. Prandaj, “jemi të thirrur të komunikojmë, si bij të Zotit, me të gjithë, pa përjashtim”. Në veçanti “është karakteristikë e gjuhës dhe e veprimeve të Kishës të transmetojë” mëshirën e Zotit e të prekë zemrat e njerëzve. Kështu, Françesku i fton komunikatorët ta përhapin ngrohtësinë e Kishës Nënë, që u jep përmbajtje fjalëve të fesë dhe ndez shpresën. Atëherë, ta komunikojmë të vërtetën me mëshirë, të krijojmë ura, pa përjashtime, ky është synimi.

Kështu, në përkim me mesazhin e Papës, edhe ne do të mundohemi, përmes radio Vatikanit e mjeteve të reja të komunikimit, të përçojmë  rëndësinë që ka dëgjimi i tjetrit, si premisë për komunikimin e vërtetë.

Laudetur Iesus Christus ! Ju flet Radio-Vatikani në Gjuhën Shqipe! Ju uron paqe e të mira! Laudetur Iesus Christus - duke lavdëruar Jezu Krishtin fillon e mbaron prej 65 vjetësh programi i Gjuhës Shqipe pranë Radio-Vatikanit, që dërgon në eter mesazhin e Birit të mishëruar të Zotit, mesazhin e paqes e të drejtësisë, të pajtimit e të vëllazërimit ndërsa në sfond dëgjohen tingujt e himnit simbolik: "Krishti fitoi, Krishti sundon, Krishti do të mbretërojë"!








All the contents on this site are copyrighted ©.