2016-09-30 15:07:00

Papa në Gjeorgji: takimi me Kishën Ortodokse e botën e kulturës


Sot, në ditën e parë të vizitës në Gjeorgji, në ora 16,40  Papa Françesku vizitoi Katholikos-in dhe Patriarkun e tërë Gjeorgjisë, Fortlumturinë e Tij  Ilia II, në Pallatin patriarkal të Tbilisit , ku takoi edhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës ortodokse gjeorgjane e përfaqësuesit e kulturës dhe të botës akademike.

Pas pritjes vëllazërore e paraqitjes së Delegacionit në Pallatin patriarkal, Papa Françesku e Patriarku Ilia patën një takim vëllazëror privat. Pas këtij takimi të përzemërt e vëllazëror, Papa, shoqëruar nga Patriarku, në Sallën e Audiencave të Patrairakaën, u takuan me Delegacionet dhe përfaqësuesit e botës akademike e kulturore.

Në fjalimin e tij Papa Françesku mes tjerash tha:

“ Si shtegtar e mik, erdha në këtë tokë të bekuar, ndërsa, për Katolikët, po shkon drejt përfundimit Viti jubilar i Mëshirës. Edhe shën Papa Gjon Pali II pat ardhur këtu, i pari Pasardhës i Pjetrit, në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm, në pragun e Jubileut të Vitit 2000: pat ardhur për t’i përforcuar “lidhjet e thella e të forta” me Selinë e Romës dhe për të kujtuar, në pragun e tremijë vjeçarit, “kontributin për qytetërimin e dashurisë”.

“Tani, tha akoma Papa Françesku, Provania hyjnore na takon përsëri e, përballë një bote të etshme për mëshirë, për bashkim e për paqe, na kërkon që ato lidhje ndërmjet nesh të marrin një hov të ri, të ripërtërihen e të përforcohet edhe më shumë... Kisha Ortodokse e Gjeorgjisë, është e rrënjosur në predikimin apostolik, në mënyrë të veçantë mbi figurën e Andreut Apostull, ndërsa Kisha e Romës, është e themeluar mbi martirizimin e Pjetrit Apostull, e kështu e kanë hirin të ripërtërijnë sot, në emër të Krishtit e për lavdi të Tij, bukurinë e vëllazërimit apostolik. Pjetri e Andreu ishin vërtetë vëllezër: Jezusi i thirri t’i linin rrjetat e tyre e të bëheshin, së bashku, peshkatarë njerëzish (khr Mk 1,16-17)”.

Në vazhdim të fjalimit, Papa Françesku nënvizoi rëndësinë e kumtimit, të gjithë së bashku, të pranisë së Jezu Krishtit në botën bashkëkohore. E në këtë mision, theksoi Papa Bergolio “na ndihmon dashuria e Krishtit, që e shndërroi jetën e Apostujve. Dashuria e mishëruar nga Zoti është e pamasë: “E Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është kjo: të japësh jetën për miqtë” (krh Gjn 15,12). E lidhur me këtë, poeti i madh i kësaj toke duket sikur  na drejton disa fjalë të tij të njohura: “Ke lexuar se çka kanë shkruar apostujt për dashurinë, çka thonë, si e lëvdojnë? Mësoje, drejtoje mendjen tënde ndaj këtyre fjalëve: dashuria na larton” (S. Rustaveli, Il Vavaliere nella pelle di tigre, Tbilisi 1988, dhoma 785).

E vërtetë, tha Papa, dashuria e Zotit na larton, sepse na mundëson të shkojmë përtej mosmarrëveshjeve të së kaluarës, përtej llogarive të sotmes e përtej frikës për të ardhmen”.

“Populli gjeorgjian e ka dëshmuar gjatë shekujve madhështinë e kësaj dashurie. E pikërisht në këtë dashuri e ka gjetur forcën për t’u ngritur përsëri në këmbë pas provave të panumërta që ka përjetuar e kaluar. Pa dashuri, tha Papa, siç ka shkruar një tjetër poet i madh, “nuk mbretëron dielli në kupën e qiellit” e për njerëzit “nuk ekziston as bukuria, as pavdekësia” (G. Tabidze, “Pa dashuria”, në Galaktion Tabidze, Tbilisi 1982, 25).

Në vazhdim të fjalimin, Papa Françesku përmendi historinë e lavdishme të Ungjillit në tokën e Gjeorgjisë, e cila u afirmua falë veprimtarisë së veçantë të Shën Ninës (Kristinës), e cila krahasohej me apostuj. Ajo e përhapi fenë e krishterë nën shenjën e veçantë të Kryqit, të ndërtuar me drurin e hardhive, duke e paraqitur Krishtin Zot, si  “hardhinë e vërtetë”, e Jezusi u kërkoi Apostujve të vetë të qëndronin të shartuar në Të, si shermendet, për të sjell fryte (khr Gjn 15,1-8).

Papa kujtoi pastaj shembullin e “shumë shenjtorëve të këtij vendi, të cilët e kanë ushqyer fenë, kanë përhapur Ungjillin dhe kanë ungjillëzuar si në kaluarën, madje më shumë se në të kaluarën, përherë të lirë nga kurthet e nga paragjykimet, përtej pengesave, përherë të hapur ndaj risisë së Zotit”.

“Vështirësitë – theksoi Papa – të mos jenë pengesë, por nxitje për t’u njohur më mirë, për të ndarë së bashku limfën jetike të fesë, për të përforcuar lutjen për njëri për tjetrin e për të bashkëpunuar me dashurinë apostolike në dëshmimin e përbashkët, në lavd e nderim të Zotit në qiell dhe në shërbim të paqes mbi tokë”.

“Me paqe e me falje – shtoi Papa Françesku – jemi të thirrur t’i mposhtim armiqtë e vërtetë, që nuk janë prej mishi e gjaku, por janë shpirtra të këqij jashtë e brenda nesh (khr Ef 6,12).

Kjo tokë e bekuar është e pasur me heronj të vyer sipas Ungjillit, si Shën Gjergji, që diti të mposhte të keqen. E këtu Papa përmendi ata murgjër e në mënyrë të veçantë martirët e shumtë, jeta e të cilëve ka ngadhënjyer “me fe e me durim” (Ioanne Sabanisze, Martirizimi i Abo, III). Ndërmjetësimi i tyre, tha në përfundim Papa, ua lehtësoftë krishterëve vuajtjet që akoma sot pësojnë nëpër botë nga persekutimet e fyerjet, dhe e përforcoftë në ne dëshirën e mirë për të qenë vëllazërisht të bashkuar në kumtimin e Ungjillit të paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.