2016-09-30 12:38:00

Nisi udhëtimi i 16-të apostolik i Papës: sot në Gjeorgji


“Paqja me ju”. Me këtë moto, marrë nga Ungjilli sipas Gjonit, filloi sot udhëtimi i 16-të apostolik i Papës Françesku në Gjeorgji dhe Azerbajxhan, me karakter të theksuar ekumenik dhe ndërfetar. Pas katër orë udhëtimi, në orën 13.00 (15.00 lokale), Ati i Shenjtë do të mbërrijë në Tbilisi, 17 vjet pas vizitës së Shën Gjon Palit II. Pritet nga autoritetet kishtare e civile, ndër të cilët edhe Katolikosi i moshuar, Patriark i gjithë Gjeorgjisë, Fortlumturia e Tij, Ilia II, që pati përqafuar edhe Papën Vojtila.

Kryeqyteti i lashtë gjeorgjian, që përshkohet nga lumi Kura, është i mbushur me kisha e manastire, pasi vendi e ka njohur Krishtin që në shekullin I, përmes ungjillëzimit të Shën Andreut Apostull. Sot, ai i ngadalësoi ritmet e tij frenetike, për të pritur Atin e Shenjtë, që fillimisht do të shkojë në Pallatin presidencial, më pas në Patriarkatin Ortodoks e së fundi, do të lutet në kishën e vogël të Shën Simonit-Lëkurëpunues, ku mblidhen siro-kaldeasit nga e gjithë bota.








All the contents on this site are copyrighted ©.