2016-09-30 00:00:00

Akademi Përkujtimore në nderim të piktorit me famë ndërkombëtare, Gjelosh Gjokajt


Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka mbajtur akademi përkujtimore për ta nderuar anëtarin e jashtëm të saj, përkatësisht piktorin e famshëm me nam në botë, akademik Gjelosh Gjokaj i cili ditë më parë u nda nga kjo jetë në moshën 83 vjeçare.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, familjarë të piktorit Gjokaj dhe anëtarët e Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës. Kryetari i kësaj akademie, Hivzi Islami duke vlerësuar lartë punën akademike të piktorit, tha se Gjokaj jo vetëm se kishte lidhje të veçantë me vendlindjen, por ai ka dhënë kontributin e tij të madh në edukimin e gjeneratave të para të artistëve të rinj gjatë kohës sa ishte pedagog në Degën e Arteve Figurative në Shkollën e Lartë në Prishtinë. 

“Vdekja e maestros Gjelosh Gjokaj është para së gjithash humbje e madhe për familjen, për miqtë, për artistët, për njeriun që e përfaqësoi kulturën dhe artin shqiptar denjësisht anekënd botës, për njeriun e urtë dhe dashamirës, humbje për miqtë dhe kolegët e tij në Kosovë, por edhe për ne në Akademi që e çmonim shumë”, theksoi kryetari Islami.

Veprat e Gjelosh Gjokajt janë testament për fatin e shqiptarëve, u tha në një tjetër përkujtimor të organizuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. “Akademik Gjelosh Gjokaj, ishte inspirim për shumë gjenerata. Në një mënyrë apo një tjetër, çdo gjëje i vjen fundi. Yjet vdesin, galaksitë vdesin, planetët vdesin. Vdesin edhe njerëzit. Por më lejoni që sot para jush të rrëfej se si jetoj Gjelosh Gjokaj e jo si u shua ai”, tha në hapje prof. Agim Salihu, dekan i këtij fakulteti.   

Ai më pas duke folur për opusin e madh të veprave të artistit, potencoi se puna dhe krijimtaria e Gjeloshit çmohen shumë lartë nga kritika e sidomos ajo italiane e cila dëshmohet përmes një numri të madh të ekspozitave të tij të prezantuara atje. Salihu theksoi se Gjelosh Gjokaj pjesën më të madhe të jetës e kaloi në perëndim dhe kishte një kulturë evropiane e cila u reflektua edhe në krijimtarinë e tij artistike, por ai ka edhe shumë piktura nga vuajtjet e popullit të tij, por siq tha, ai asnjëherë nuk e humbi as bujarinë të cilën e trashëgoi nga Malësia.

Ndërkaq,  piktorja Zake Prelvukaj, theksoi se kombi shqiptar është i privilegjuar që ka pasur një artist me këto përmasa. “Unë për artin e tij nuk kisha dashtë të flas shumë, nuk e kisha quajtur as Pikaso të Ballkanit siç po e quajnë, e as ndryshe, por ai gjithmonë do të duhej të quhej Gjelosh Gjokaj dhe kështu të mbahet mend gjithmonë. Ai la mbrapa mbi 3 mijë piktura e grafika dhe ne jemi të privilegjuar si komb që e kemi pasur këtë artist me përmasa ndërkombëtare. Dihet se çdo muze e galeri që ka rajoni i posedojnë disa nga veprat e artistit Gjelosh Gjokaj. Me humbjen e tij skena artistike ka humbur shumë”, u shpreh Prelvukaj.

Ndërsa Galeria e Arteve të Kosovës, ka hapur ekspozitë homazhi për Gjelosh Gjokajn me veprat e tij nga koleksioni i galerisë, e cila do të jetë e hapur deri me 4 tetor. Për humbjen e piktorit Gjokaj kanë shpreh dhimbjen e tyre edhe personalitete më të larta të vendit përmes telegrameve ngushëlluese. Gjelosh Gjokaj, do të varroset të shtunën në katundin Milesh të Tuzit, Mali Zi.








All the contents on this site are copyrighted ©.