2016-09-29 14:45:00

Papa ia beson Nënë Terezës veprimtarët humanitarë në Siri dhe Irak


“Ua besoj këto bashkësi dhe të gjithë ata, që u shërbejnë viktimave të kësaj krize, ndërhyrjes pranë Zotit të Nënë Terezës së Kalkutës, model dashurie dhe mëshire”.

         Papa Françesku iu lut sërish shenjtes shqiptare sot paradite, në Sallën Klementine në Vatikan, në takimin me anëtarët e organizmave katolike, që veprojnë në kuadrin e krizës humanitare në Siri, Irak e në vendet fqinjë. Ata janë mbledhur në Romë për të pestën herë radhazi, në selinë e Këshillit Papnor “Cor Unum”. Në fjalën që u drejtoi, edhe një herë, Ati i Shenjtë bëri një thirrje të zjarrtë për paqen. Në audiencë mori pjesë Staffan De Mistura, i dërguar i veçantë i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Sirinë.

Trishtim i madh: dhuna vazhdon të shkatërrojë Sirinë dhe Irakun

         Kisha impenjohet në linjën e parë të frontit për të ndihmuar popullsitë në konflikt. 12 mijë veprimtarë katolikë janë të pranishëm në ato zona. Ndihmojnë 4 milion e gjysëm banorë të Sirisë dhe Irakut. Papa Françesku uroi të përtërihet bashkëpunimi në të gjitha nivelet, ndërmjet atyre që çojnë ndihma humanitare:

         “Një vit pas takimit tonë të fundit, duhet të vërejmë me trishtim të madh se, pavarësisht nga përpjekjet e shumta në fusha të ndryshme, logjika e armëve dhe e shtypjes, interesat e errta dhe dhuna vijojnë t’i shkatërrojnë këto vende. Deri tani nuk dihet si mund t’u jepet fund vuajtjeve rraskapitëse dhe dhunimit të vazhdueshëm të të drejtave të njeriut. Pasojat dramatike të krizës janë tashmë të dukshme edhe përtej kufijve të rajonit. Shprehje e kësaj është fenomeni i rëndë i emigracionit”.

Veprimtarë humanitarë, shenjë shprese

         Dhuna lind dhunën, pohoi Papa Françesku: një e keqe, që shkatërron, thjesht për të shkatërruar e pa qëllim tjetër, shenjë e atij misteri të ligësisë, të pranishëm në njeriun e në histori, që ka nevojë të shëlbohet. Ndërsa puna e veprimtarëve humanitarë është pasqyrë e mëshirës së Zotit, shenjë se e keqja ka kufi e nuk e ka fjalën e fundit:

         “Është shenjë shprese të madhe, për të cilën dua të falenderoj, përveç jush, edhe shumë njerëz anonimë – por jo për Zotin! – të cilët, sidomos në këtë vit jubilar, luten dhe ndërhyjnë në heshtje për viktimat e konfliktit, sidomos për fëmijët e më të brishtët, duke mbështetur kështu, edhe punën tuaj. Në Haleb, fëmijët detyrohen të pijnë ujë të ndotur!”

Thirrja për bashkësinë ndërkombëtare

         Që këndej, thirrja e Atit të Shenjtë për bashkësinë ndërkombëtare, që të bëjë ç’është e mundur e sa më shpejt për të arritur fundin e konfliktit:

         “Kërkesa ime bëhet lutje e përditshme drejtuar Zotit që të frymëzojë mendjet e zemrat e të gjithë përgjegjësve politikë, në mënyrë që të dinë të heqin dorë nga interesat e pjesshme për të arritur një të mirë më të madhe: paqen”.

Të krishterët e Lindjes së Mesme, dëshmitarë të mëshirës së Zotit

         Së fundi, mendimi i Papës shkoi tek bashkësitë e krishtera të Lindjes së Mesme, që vuajnë nga pasojat e dhunës dhe e shohin të ardhmen me frikë:

         “Në mesin e kësaj errësire, këto Kisha e mbajnë të ndezur llambën e fesë, të shpresës dhe të dashurisë. Duke i ndihmuar me guxim e pa diskriminime ata, që vuajnë e punojnë për paqen dhe bashkëjetesën, të krishterët e Lindjes së Mesme janë sot, shenjë konkrete e mëshirës së Zotit. Atyre u shkon admirimi, mirënjohja dhe përkrahja e Kishës universale”.

         Siç e thamë, në përfundim, Ati i Shenjtë ua besoi bashkësitë dhe të gjithë ata, që u shërbejnë viktimave të kësaj krize, ndërhyrjes pranë Zotit të shenjtes shqiptare, Nënë Terezës, model dashurie dhe mëshire.








All the contents on this site are copyrighted ©.