2016-09-26 14:43:00

Papa, katekistëve: mos u tregoni të pandjeshëm ndaj të tjerëve


Para sa e sa të varfërve, si Lazri i Ungjillit, duhet të shqetësohemi e të gjejmë rrugë për t’i takuar e për t’i ndihmuar, pa ua deleguar këtë detyrë të tjerëve. Kështu theksoi Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, për Jubileun e katekistëve, i cili filloi të premten, vijoi të shtunën me çaste refletimi e lutjeje në kisha të ndryshme të Romës, për të përfunduar me kremtimin e djeshëm. Ati i Shenjtë u kujtoi se në një botë, në të cilën përpiqen ta “anestetizojnë shpirtin”, nuk duhet folur keq për shoqërinë, Kishën, për gjithçka e për të gjithë, por duhet kumtuar Zoti-Dashuri. Vetëm kështu mund të ndryshohet historia.

Pandjeshmëria hap humnera

Katekistët e ardhur nga e gjithë bota, reflektuan së bashku me Papën, mbi shembëlltyrën e Lazrit të mbuluar me plagë, që përballet me bollëkun e të pasurit, i cili as që e sheh. Ati i Shenjtë fton të mos e imitojmë të pasurin:

“Kush jeton për vete nuk hyn në histori. E i krishteri duhet të hyjë në histori! Duhet të dalë nga vetja për të bërë histori! Por kush jeton për vete nuk bën histori. Pandjeshmëria e sotme hap humnera të pakapërcyeshme përgjithmonë. E ne, në këtë çast, kemi rënë në sëmundjen e indiferencës, të egoizmit, të gjërave të kësaj bote”.

Kjo botë e vë në gjumë shpirtin

Por, vërejti Papa, kush nuk sheh as jashtë derës së shtëpisë, nuk është i interesuar për ç’ndodh jashtë:

“Nuk sheh me sy, sepse nuk ndjen me zemër. Në zemrën e tij kanë hyrë gjërat e kësaj bote, që e anestetizojnë shpirtin. Ato janë si një ‘vrimë e zezë’, që gëlltit çdo të mirë, shuan dashurinë, gllabëron gjithçka për vete”.

Të varfërit e të vuajturit janë të zgjedhurit e Zotit

Kështu, mund të shohim vetëm ç’duket nga jashtë, por bëhemi indiferentë për gjithçka tjetër e nuk interesohemi vërtet për të tjerët, vijoi Ati i Shenjtë:

“Kush vuan nga kjo verbëri e rëndë, shpesh, sillet si njeriu me strabizëm, [sheh vëngër]: sheh me nderim njerëzit e famshëm, të rangut të lartë, të admiruar nga bota, ndërsa e largon shpejt vështrimin nga Lazrit e shumtë të sotëm, nga të varfërit e nga të vuajturit, që janë të zgjedhurit e Zotit”.

Mos e gjykoni më kot shoqërinë e Kishën

Papa Françesku u kërkoi katekistëve të mësojnë nga varfëria e Lazrit, e cila përmban në vetvete dinjitet të madh, pa ankime, protesta apo përbuzje:

“Si shërbëtorë të Fjalës së Jezusit, jemi të thirrur të mos mburremi me dukjen e të mos kërkojmë lavdi; por as të mos jemi të trishtuar e gjithnjë me ankime. Nuk jemi profetë fatkeqësish, që kënaqen kur zbulojnë rreziqe apo devijime; as njerëz që fshihen pas barrikadës së ambientit ku jetojnë, duke dhënë gjykime të hidhura për shoqërinë, Kishën, për gjithçka e për të gjithë, e duke e mbushur botën me negativitet. Skepticizmi plot ankime nuk i përket atij, që ka familjaritet me Fjalën e Zotit”.

Të gjenden udhë për të ndihmuar të tjerët

Ata, që kumtojnë shpresën e Jezusit, nënvizoi Papa, janë bartës të gëzimit, kanë përpara horizonte e jo mure, shohin përtej së keqes e problemeve, duke treguar kujdes e vëmendje për të tjerët, për ata, që bota nuk i sheh e nuk i do:

“Zoti, sot, na kërkon këtë: para sa e sa Lazrave, që shohim, jemi të thirrur të shqetësohemi, të gjejmë udhë për t’i takuar e për t’i ndihmuar, pa deleguar të tjerë e pa thënë: ‘do të të ndihmoj nesër, sot nuk kam kohë, do të të ndihmoj nesër’. Ky është mëkat. Koha për të ndihmuar të tjerët është kohë dhuruar Jezusit, është dashuri që mbetet: është thesari ynë në qiell, që e grumbullojmë këtu në tokë”.

Mos i kapni pas detyrimeve

Pra, misioni është të kumtojmë “Zotin-Dashuri”, tha Papa:

“Jo duke u përpjekur t’i bindim të tjerët me çdo kusht, kurrë duke u imponuar të vërtetën, as duke u kapur ngurtësisht pas ndonjë detyrimi fetar apo moral. Zoti kumtohet duke i takuar njerëzit, duke treguar vëmendje për historinë dhe për udhën e tyre”.

Dëshmoni Ungjillin me forma të reja

Zoti nuk është ide, por “Njeri i gjallë”, shpjegoi Papa Françesku. Mesazhi hyjnor transmetohet përmes dëshmisë së thjeshtë e të vërtetë, përmes dëgjimit e mikpritjes, përmes gëzimit, që rrezatohet në botë:

“Nuk flasim mirë për Jezusin, kur jemi të trishtuar; as nuk transmetohet bukuria e Zotit vetëm me predikime. Zoti i shpresës kumtohet, duke jetuar në ditët e sotme Ungjillin e dashurisë, pa pasur frikë ta dëshmojmë edhe me forma të reja kumtimi”.

Zoti u ngjall

Në këtë Jubile, përfundoi Ati i Shenjtë, na kërkohet të mos lodhemi së vëni në plan të parë kumtimin kryesor të fesë së krishterë, ngjalljen e Zotit:

“Nuk ka temë më të rëndësishme, asgjë nuk është më e qëndrueshme dhe më aktuale se kjo. Çdo argument fetar bëhet i bukur nëse mbetet i lidhur me këtë qendër, nëse përshkohet nga Lajmi i Mirë i Pashkëve. Përkundrazi, nëse izolohet, e humbet kuptimin dhe forcën”.








All the contents on this site are copyrighted ©.