2016-09-26 15:06:00

Greg Burke: Papa në Kaukaz me një mesazh paqeje


Një udhëtim paqeje me përmasa ekumenike dhe ndërfetare. Kështu e përcaktoi udhëtimin e Papës Françesku në Gjeorgji e Azerbajxhan, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Greg Burke. Ati i Shenjtë niset të premten dhe kthehet nga Baku, ditën e diel, më 2 tetor.

Udhëtimi i 16-të ndërkombëtar i Papës Françesku do të ketë vlerë të madhe për paqen. Greg Burke e nënvizoi këtë aspekt gjatë konferencës për shtyp, duke vënë në dukje edhe përmasën ekumenike të etapës së Gjeorgjisë dhe, atë ndërfetare të etapës së Azerbajxhanit:

“Qartësisht është udhëtim paqeje: Papa çon një mesazh pajtimi për gjithë rajonin. Është hera e parë që një delegacion, aty, në Gjeorgji, merr pjesë në meshën e Atit të Shenjtë. E, edhe Patriarku do të jetë në aeroport kur mbërrin Papa”.

Në Gjeorgji spikasin takimet e Papës me bashkësinë ortodokse vendase, ndërsa në Azerbajxhan, çastet e dialogut me bashkësinë islame. Në fakt, një nga kulmet e vizitës në Baku do të jetë pikërisht vizita në xhami dhe takimi me kreun e myslimanëve të Kaukazit. Gjatë udhëtimit, në të cilin Ati i Shenjtë do të mbajë dhjetë fjalime, nuk do të mungojë as afërsia me popullsitë siriane dhe irakiane, viktima të luftës. Në veçanti, Papa do të lutet për sirianët dhe irakianët, gjatë vizitës në Kishën Katolike kaldease të Shën Simonit Bar Sabbae.








All the contents on this site are copyrighted ©.