2016-09-23 00:00:00

Shenjtorët e javës 25 shtator – 2 tetor


E diel 25 shtator Kisha kremton të dielën e 26-të gjatë vitit e po sot më 25 shtator sipas kalendarit kishtar përkujtohen shën Firmini, ipeshkëv i Amiensit e martir, shën Kleofa dhe shën Serxho i Radonezit. Ungjilli i kësaj së diele na propozon shëmbëlltyrën e Lazrit të varfër, për të na treguar qartë për dënimin sipas meritës apo sipas fajit, që godet ata njerëz që jetojnë pa Zot dhe vetëm e vetëm për të grumbulluar pasuri materiale e kalimtare; vizioni i asaj që do të vijë në mbarim të ekzistencës sonë tokësore, duhet të na ndihmojë të kapërcejmë vizionin e jetës sipërfaqësore e të bazuar vetëm mbi pasuri e të mira materiale e njerëzore. Këtë të diele, kremtohet Jubileu i Katekistëve, të cilët me punën e tyre transmetojnë fenë duke mbështetur kështu jetën e komuniteteve të krishtera, në mënyrë të veçantë nëpër kishat famullitare.

Të hënën më 26 shtator, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Kozmaj e Damjani, martirë dhe shën Nilin, abat, themelues i manastirit të Grottaferratës, afër Romës, në të cilin jetojnë e veprojnë murgjit e shën Bazilit, të ritit bizantin. Ndër këta murgjër të shën Bazilit, ka edhe shumë arbëreshë.

Të martën më 27 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Vincenc de' Paolin, meshtar, themelues i Kongregatës së Misioneve e të Bijave të Dashurisë, pajtor qiellor i të gjitha Shoqatave të Bamirësisë. Liturgjia e ditës na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta çliruar njeriun nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurt, sepse ai është më i fortë. E si mund të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund të luftojë i vetëm, jo vetëm që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të mund të çlirohet më prej saj.

Të mërkurën më 28 shtator, bie përkujtimi i shën Vençeslaut dukë i Bohemisë dhe shën Lorencit Ruiz me shokë, martirë. Liturgjia e ditës na tregon se përballë lajmeve që dëgjon për Jezusin, edhe Herodi mbetet me gojë hapur nga çudia. Për njerëzit e kohës, Krishti ishte profet i së kaluarës, i ngjallur përsëri. Në se edhe ne mendojmë kështu, gënjehemi keqas e rrezikohemi të mos e kuptojmë të renë që na sjell Jezusi, e cila nuk i përket një kohe të caktuar, por të gjitha kohërave, deri në ditën e fundit të botës.

Të enjten më 29 shtator, Kisha na fton të bashkojmë zërat në korin e engjëjve në festën e Kryeengjëjve Mikelit, që do të thotë ‘Kush është si Zoti’; Gabrielit që do të thotë ‘forca e Hyjit’ e Rafaelit që do të thotë ‘ilaçi i Zotit’. Këta kryeengjëj na tregojnë se Hyji nuk na lë kurrë vetëm. Kryeengjëjt, gjithnjë në prani të Zotit e gjithnjë gati për të shërbyer, janë provë e ndihmës që Hyji ia ofron gjithnjë njeriut.

Të premten më 30 shtator, kalendari përkujton shën Jeronimin, meshtar e doktor i Kishës, që i lutej Zotit t’i jepte diturinë e vërtetë për të kuptuar si duhet Fjalën Hyjnore. Gjithnjë të premten kalendari kishtar përkujton edhe shën Françesk Borgjen, jezuit. Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi na ka sjell faljen e Hyjit Atë dhe na fton në pajtim e falje të anasjelltë mes njëri tjetrit. Ashtu sikur Zoti na falë, edhe ne duhet ti falim të tjerët.

Të shtunën që vjen më 1 tetor, bie përkujtimi i shën Terezës së Jezusit Fëmijë, virgjër karmelitane, doktore e Kishës e pajtore e misioneve. Në liturgjinë e ditës, profeti na kujton se Zoti bën mrekulli, që ne mund të na duken të pamundura, ndërsa më pas leximi i Ungjillit na siguron se për Zotin nuk ka asgjë të pamundur e se praninë e tij e shikojmë vazhdimisht ndër fëmijët e në të gjithë njerëzit e pambrojtur.

Të dielën e ardhshme më 2 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 27-të gjatë vitit kishtar. Gjithnjë të dielën më 2 tetor bie edhe festa e Engjëjve të Rojës. Kjo e kremte na kujton se Zoti dërgon engjëjt e tij për të na shoqëruar në çdo hap të jetës sonë. Engjëjt e Hyjit mbrojnë posaçërisht më të vegjlit, ata që shoqëria i përbuz e i flak jashtë radhëve të saj








All the contents on this site are copyrighted ©.