2016-09-23 13:01:00

Selia e Shenjtë nënshkruan Konvetën e OKB-së kundër korrupsionit


Selia e Shenjtë, edhe në emër të Shtetit të Vatikanit, nënshkroi Konventën e OKB-së kundër korrupsionit. Më 19 shtator, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin depozitoi dokumentet për pranimin dhe anëtarësimin në Konventë, e cila, do të hyjë në fuqi në Vatikan, më 19 tetor.

Imzot Gallagher: Papa na kërkon të luftojmë korrupsionin

Në një artikull për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, kryeipeshkvi Paul Gallagher kujton se Papa Françesku e ka denoncuar shpesh korrupsionin, si plagë të shoqërisë, dhe ka kërkuar të luftohet me të gjitha forcat. Prandaj, Ati i Shenjtë vendosi që edhe Vatikani të ndjekë standartet ndërkombëtare në parandalimin e korrupsionit, si në ushtrimin e funksioneve publike, ashtu edhe në fushën ekonomike. Imzot Gallagher nënvizon se e ashtuquajtura “Konventa e Méridës” kundër korrupsionit është mjeti kryesor global për parandalimin dhe luftën kundër këtij krimi.

Selia e Shenjtë vijon të impenjohet kundër çdo forme korrupsioni

Në veçanti, vazhdon kryeipeshkvi, shtetet që e kanë ratifikuar Konventën, duhet të përndjekin dhe të dënojnë çdo formë korrupsioni “aktiv dhe pasiv”, si edhe të parashikojnë norma për të lehtësuar ndihmën juridike ndërmjet shteteve anëtare, si ekstradimin, kthimin e pasurive të marra ilegalisht, asistencën teknike, shkëmbimin e informacioneve, etj.. Prelati thekson se Selia e Shenjtë i ka marrë masat për këtë, duke krijuar Autoritetet përkatëse e duke ndjekur politika të përshtatshme për luftën kundër këtij krimi.

Zyrat e Kuries do të rishikojnë procedurat administrative

Nga ana tjetër, vëren imzot Gallagher, në të ardhmen do të jetë e nevojshme që zyrat e Kuries Romake dhe të Vatikanit të rishikojnë procedurat administrative, në dritën e parametrave të Konventës. Së fundi, ai uron që Konventa e Méridës të kontribuojë në përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të garantuar transparencën dhe administrimin e mirë të sektorit publik.








All the contents on this site are copyrighted ©.