2016-09-23 14:51:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: përgjigjja më e mirë


Sot ju njohim me mendimet e fundit të Nënë Terezës, që kardinali Angelo Comastri i paraqet në librin e tij “Njoha një shenjtore”: kujtime të shenjtes shqiptare, por edhe meditime të vetë kardinalit.

Ndër kujtimet e mia të paharrueshme – tregon Nënë Tereza - ruaj atë të një vizite të disa vjetëve më parë në një nga shtëpitë për të moshuarit në Angli. Ishte një ndërtesë e mrekullueshme. Mund të strehoheshin aty deri në 40 vetë e atyre nuk u mungonte asgjë. Por, vëmendja e të gjithëve drejtohej nga dera. Për shtëpinë kujdesej një institucion fetar. E pyeta murgeshën e rojes:

“Motër, si ka mundësi që nuk buzëqesh askush? Pse nuk reshtin së pari derën?”.

“Ndodh kështu përditë” më tha. “Shpresojnë gjithnjë që ndokush të vijë për t’i parë. Ëndërrojnë që djali, vajza, një anëtar i familjes, të vijë për t’i takuar…”

Vetmia ishte shprehja e varfërisë së tyre, varfëria e braktisjes nga familjarët dhe miqtë. Varfëria, që ndjejnë më shumë të moshuarit, është ajo e mungesës së ndokujt, që shkon t’i shohë.

                     ***

Pa dyshim, do të çuditeni kur t’ju them se në lagjet e varfëra, ku jetojnë e punojnë Misionaret e Dashurisë, gjëja e parë që u kërkojnë motrave banorët e barakave, sapo ato u afrohen, nuk është as buka, as veshjet, edhe nëse ndokush prej tyre - nganjëherë shumë vetë - po vdes nga uria e ka vetëm ndonjë rreckë për t’u mbrojtur nga të ftohtët. Kërkojnë: “Motër, na e mëso Fjalën e Zotit”. Njerëzit kanë uri për Zotin. Rënkojnë e psherëtijnë për Fjalën e Tij.

                      ***

Gandhi, kur dëgjoi të flitej për Krishtin, u mahnit. Ishin të krishterët që e zhgënjyen.

                      ***

 Një gjest i mirë vlen më shumë se njëmijë fjalë.

                     ***

 Mjeti më bindës për t’i kthyer mëkatarët është dëshmia e jetës sonë.

                        ***

Nënë Tereza ishte krejtësisht e pastër: prandaj u jepte bezdi njerëzve të ndyrë. Kështu shkruan në rreshtat e fundit të librit kardinali Angelo Comastri.

Nënë Tereza mbronte jetën: prandaj u jepte bezdi atyre, që e vrasin jetën.

Nënë Tereza nuk kishte asnjë thërrime egoizmi: prandaj u jepte bezdi atyre, që mbyten në egoizmin e tyre.

Nënë Tereza bënte vepra: prandaj u jepte bezdi atyre, që kanë vetëm fjalë.

Një ditë, i thanë se qarkullonin kritika të padrejta ndaj saj dhe e ftuan t’u përgjigjej. Nëna, ndërsa e informonin, po i jepte për të ngrënë një burri të ushqyer keq, i cili s’kishte fuqi as të mbante në dorë lugën.

Ajo e ndërpreu për një çast veprën e saj të mëshirës e tha: “Kam kaq punë të mira për të bërë. Nuk kam kohë për t’u përgjigjur”. E u përkul t’i jepte një lugë tjetër me supë të uriturit, që e priste me gojë hapur. Pastaj shtoi: “Por mendoj se kjo është përgjigjja më e mirë”.

Kishte të drejtë. Kështu ishte Nënë Tereza! Ah sikur të kishim më shumë Nënë Tereza të Kalkutës!








All the contents on this site are copyrighted ©.