2016-09-23 15:57:00

Kard. Parolin në OKB: nuk ka zhvillim të gjithanshëm pa paqe


Në Siri duhet të ulen armët që paqja të ketë të paktën një mundësi e sidomos, të mbërrijë ndihma humanitare tek ata, që kanë nevojë. Kjo qe thirrja e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i cili foli dje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork mbi Agjendën e vitit 2030 për një zhvillim të qëndrueshëm.

Duke analizuar gjendjen botërore, nga Lindja e Mesme, në Afrikë e në Ukrainë, kardinali Parolin theksoi me bindje se zhvillimi i gjithanshëm i njeriut nuk mund të mendohet e është i pamundur, nëse nuk arrihet paqja. “Në Lindjen e Mesme – vërejti Sekretari i Shtetit të Vatikanit – shohim pasojat e tmerrshme të luftës: shumë jetë të shkatërruara, shtete të shpërbëra, armëpushime të parespektuara, dështime të nismave të paqes dhe të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjeve bazë në konfliktin e Sirisë, në Irak e Libi, krizën presidenciale në Liban e konfliktin izraelito-palestinez”. E më tej, i ra rrotull botës kardinali, viktimat në luftrat pa fund si ajo e Sudanit, e Liqeneve të Mëdha e tani, edhe e Ukrainës.

Kardinali Parolin dha si shembull Kolumbinë, ku, bisedimet e një muaji më parë, me ndihmën e Selisë së Shenjtë, i dhanë fund një shekulli e gjysëm guerriljeje. Kjo ndodh kur njerëzit e bashkësia ndërkombëtare si e tillë, vendos të mobilizohet e të mos rrijë duarkryq, duke dëshmuar se paqja nuk është utopi. Për Lindjen e Mesme, sugjeroi kardinali, mund të shërbejë si model Marrëveshja globale e nënshkruar nga Selia e Shenjtë dhe Palestina, vitin e kaluar.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit citoi shpesh Papën Françesku, duke nënvizuar se aktorët kryesorë të zhvillimit janë njerëzit dhe zhvillimi nuk mund të jetë thjesht, ekonomik. Kemi nevojë për burime, për sisteme të ndryshme financiare, në gjendje të krijojnë zhvillim të qëndrueshëm edhe për më të varfërit.

Ndër faktorët, që e kërcënojnë qëndrueshmërinë, kardinali Parolin përmendi terrorizmin, kërcënimin e ri për një konflikt bërthamor, ashtu siç nuk ka ndodhur që prej dhjetra vjetësh, si edhe fenomenin e emigracionit të detyruar: 65 milion vetë, një popullsi në lëvizje, theksoi, shumë më e madhe se ajo e shumë shteteve anëtare të OKB-së. Vendet, ku strehohen më shumë refugjatë, vërejti, janë Libani, Jordania e Turqia, të cilët i falenderoi për mikpritjen ndaj irakianëve dhe sirianëve, në ikje nga bombat.

“Të varfërit dhe nevojtarët – përfundoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit – janë fytyra njerëzore e zhvillimit të qëndrueshëm, që duhet ta kemi gjithnjë para syve, nëse duam të bëhemi aktorë të përgjegjshëm të një shoqërie më të drejtë e vërtet njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.