2016-09-22 11:31:00

Telegrami Papës për dy meshtarët e vrarë në Meksikë


Telegrami Papës për dy meshtarët e vrarë në Meksikë

Papa Françesku shpreh dhimbjen e ngushëllimet në një telegram, me firmën e sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, për vdekjen në Meksikë të dy priftërinjve katolikë, të sekuestruar e të vrarë në Poza Rica, në Shtetin lindor të Veracruz. Viktimat janë atë Alejo Naborì e atë José Jimenez. Në telegram Ati Shenjtë dënon në mënyrë të prerë të gjitha sulmet kundër jetës e kundër dinjitetit të njerëzve dhe nxit njerëzit e shuguruar, që përtej pengesave e vështirësive, të vazhdojnë në misionin e tyre duke ndjekur e dëshmuar shembullin e Jezusit Bariut të Mirë. Së fundi, Papa u shpreh afërsinë familjarëve të viktimave e të gjithëve u jep Bekimin e veçantë apostolik.

Edhe Konferenca ipeshkëvnore e Meksikës e ka dënuar ashpër këtë akt, duke i quajtur të poshtër dhe sakrilegj narkotrafikantët që kanë vepruar e vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë. Shpesh në Meksikë e në vende të tjera, Kisha e meshtarët janë streha e fundit e shumë njerëzve që janë në nevojë e të dëshpëruar nga kushtet e jetesës apo të kapjes nga narkotrafiku.

Dy priftërinjtë meksikanë Atë Alejo Naborì  e Atë José Jimenez, punonin në zonat rurale me banorët dhe i ishin kundërvënë kultivimit të bimëve narkotike nga kartelet e drogës meksikane duke u rreshtuar nga ana e të varfërve. Trupat e tyre u gjetën pa jetë në anë të rrugës. Kështu në Meksikë rritët në 14 numri i priftërinjve të vrarë në vitin 2016.








All the contents on this site are copyrighted ©.