2016-09-22 14:43:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: buzëqeshni


Faqet e fundit të librit “Njoha një shenjtore” me autor kardinalin Angelo Comastri, na dhurojnë disa nga mendimet më të bukura të Nënë Terezës. T’i dëgjojmë…

Bota është plot vuajtje, për shkak të mungesës së paqes. Në botë nuk ka paqe, sepse ajo mungon në familje. Ka shumë – tepër! – familje të ndara.

                        ***

Gratë janë krijuar për të dashur e për t’u dashur. Gruaja është qendra e familjes. Nëse sot ka probleme të rënda, kjo ndodh sepse gruaja e ka braktisur vendin e saj në gjirin e familjes. Kur fëmija kthehet në shtëpi, nëna nuk është aty ta presë.

                          ***

Të rinjtë e sotëm, ashtu si të rinjtë e të gjitha kohrave, janë të mirë e bujarë. Por nuk duhet t’u mësojmë atyre, duke i nxitur, të konsumojnë argëtime. Mënyra e vetme që të jenë të lumtur është t’u japim raste për të bërë mirë.

                        ***

Disa muaj më parë (siç e dini, ne punojmë edhe natën), duke ecur rrugëve të Kalkutës, hasëm në 5 a 6 njerëz, që ishin shtrirë në rrugë, të braktisur. Ishin në kushte shumë të rënda. Prandaj, i çuam në “Shtëpinë e njerëzve në prag të vdekjes”, në Kalighat. Ndër ta, ishte edhe një zonjë shumë e brishtë, e cila, për shkak të kushteve jashtëzakonisht të këqia, kishte hyrë tashmë në fazën e agonisë.

U thashë motrave: “Merruni me të tjerët. Kujdesem unë për këtë grua”. Po e vija në shtrat, kur më mori dorën e, duke më dhënë një buzëqeshje të bukur, tha vetëm: “Faleminderit!” E dha shpirt.

Ju siguroj: më dha shumë më tepër nga ç’i kisha dhënë unë. Më dhuroi dashurinë e saj plot mirënjohje. Vërejta për një çast fytyrën e saj, duke pyetur veten: “Ç’do të kisha bërë në vend të saj?” E u përgjigja me sinqeritet: “Pa dyshim do të kisha bërë ç’është e mundur për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Do të kisha thirrur: kam uri! Po vdes për ujë! Ndihmë, po vdes!” Përkundrazi, ajo u tregua kaq mirënjohëse, kaq bujare… Nuk do të lodhem kurrë së përsërituri: të varfërit janë të mrekullueshëm!

                           ***

Të gjitha vështirësitë zhduken kur e kuptojmë se gëzimi dhe liria vijnë nga varfëria.

                           ***

 Shumë vjet më parë, një grup profesorësh nga SHBA-të ishte për vizitë në Kalkutë. Pasi vizituan “Shtëpinë për njerëzit në prag të vdekjes” në Kalighat, erdhën të më takonin.

Para se të iknin, njëri prej tyre më kërkoi të thosha diçka, që mund ta merrte me vete në kujtim të vizitës e, njëherësh, t’i sillte dobi.

“Buzëqeshini njëri-tjetrit” e këshillova. “Buzëqeshja është ilaç, që shëron të gjitha të këqiat”.

                           ***

Buzëqeshini kujt është i trishtuar; shkoni ta takoni, edhe vetëm për një minut, atë që është vetëm; mbrojeni me çadër atë, që ecën nëpër shi; lexojini diçka një të verbëri… këto dhe gjëra të tjera mund të duken vogëlsira, por janë të mjaftueshme për t’u dhënë të varfërve një provë konkrete të dashurisë sonë për Zotin.

                            ***

Ka njerëz, që mund t’ia lejojnë vetes luksin e një jete shumë të rehatshme. Ka mundësi të jetë fryt i përpjekjeve, që kanë bërë.

Ai që më acaron është shpërdorimi. Acarohem kur shoh se ka njerëz, që shpërdorojnë e prishin gjëra, që mund t’i përdorim në favor të të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.