2016-09-21 14:26:00

Papa: bota ka nevojë për mëshirë, kurrë mos e dënoni tjetrin


I krishteri duhet të falë gjithmonë, “dashuria e mëshirshme” është “udha e vetme për t’u përshkuar”. Ky ishte thelbi i katekizmit të sotëm të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, pas takimit me një grup të sëmurësh në Sallën Pali VI, në Vatikan. Ati i Shenjtë nënvizoi se gjykimi e dënimi i të tjerëve “e përbuz mëshirën e Zotit”.

“Të jeni të mëshirshëm si Ati”. Papa Françesku mori shkas nga motoja e Jubileut për të theksuar se kur Jezusi na kërkon të jemi të mëshirshëm si Ati, nuk mendon sa do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë, por na thotë të bëhemi shenjë, rrugë, dëshmitarë të mëshirës së Tij. Prandaj, Kisha s’mund të jetë tjetër veçse sakrament i mëshirës së Zotit në botë, në çdo kohë e për të gjithë njerëzimin.

Të gjithë kemi nevojë për falje nga Zoti

Por ç’do të thotë të jesh i mëshirshëm, sipas të krishterëve? – pyeti Papa. Para së gjithash, nënvizoi, mëshira shprehet përmes faljes:

 “I krishteri duhet të falë! Po pse? Sepse edhe ai është falur. Të gjithë ne, që jemi këtu, sot, në shesh, të gjithë ne jemi falur. Askush prej nesh, në jetën e vet, nuk ka pasur nevojë për faljen e Zotit? Pikërisht sepse jemi falur, duhet të falim”.

Të dënosh vëllain do të thotë ta përbuzësh mëshirën e Hyjit

Duhet t’i falim fyerjet, vijoi Papa, të falim shumë gjëra, pikërisht se edhe neve na falen mëkatet. Zoti na fal e edhe ne, pse të mos falim? A jemi më të mëdhenj se Zoti? – pyeti Ati i Shenjtë:

 “Ta gjykosh e ta dënosh vëllain, që mëkaton, është gabim. Jo se nuk i duhet njohur mëkati, por sepse dënimi i mëkatarit e shkëput lidhjen vëllazërore me të dhe e përbuz mëshirën e Hyjit, i cili nuk dëshiron të heqë dorë nga asnjëri prej bijve të vet. Nuk kemi pushtet për ta dënuar vëllain që gabon, nuk jemi më të mirë se ai: përkundrazi, e kemi për detyrë ta ndreqim e t’i japim sërish dinjitetin e birit të Atit Qiellor, duke e shoqëruar në udhën e tij të kthimit”.

Dashuria e mëshirshme është udha e vetme

Falja është shtylla e parë, nënvizoi më tej Papa, duke shtjelluar temën e mëshirës së të krishterëve. Shtylla e dytë është të dhurosh falas. Zoti, shpjegoi Ati i Shenjtë, na dhuron gjithçka, pavarësisht nga meritat tona, por është edhe më bujar me ata, që këtu, në këtë tokë, tregohen bujarë:

“Dashuria e mëshirshme është e vetmja udhë për t’u përshkuar. Sa kemi nevojë të gjithë për të qenë pak më të mëshirshëm, për të mos folur kot për të tjerët, për të mos gjykuar, për të mos ‘i zhveshur’ të tjerët me anë të kritikave, të zilive e të xhelozive. Jo! Të falim, të jemi të mëshirshëm, ta jetojmë jetën tonë në dashuri e të dhurojmë”.

Të keni një zemër plot dashuri, jo një zemër guri

Dashuria e krishterë, vazhdoi Papa, u dha mundësinë dishepujve të mos e humbasin identitetin e marrë nga Jezusi e ta njohin njëri-tjetrin si bij të të njëjtit Atë. Kështu bëni edhe ju, u tha Ati iShenjtë shtegtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, duke mos e harruar binomin “falje e dhuratë”, që e ushqen mëshirën:

“Kështu, zemra hapet, zgjerohet me dashuri. Ndërsa egoizmi, inati, e bëjnë zemrën të vogël, të vogël, tepër të vogël dhe e kthejnë në gur. Çfarë preferoni ju? Një zemër guri? Po ju pyes, përgjigjuni: [sheshi përgjigjet: ‘Jo!’]. Nuk dëgjoj mirë… [përgjigjen më fort: ‘Jo!’]. Apo një zemër plot dashuri? [sheshi përgjigjet: ‘Po!’]. Nëse preferoni një zemër plot dashuri, duhet të jeni të mëshirshëm!”

Gjatë përshëndetjes për shtegtarët, Ati i Shenjtë iu drejtua veçanërisht besimtarëve katolikë turq, sidomos atyre të kryedioqezës së Smirnes, udhëhequr nga ipeshkvi, imzot Lorenzo Piretto. U uroi që ardhja në Romë për Jubileun e Mëshirës t’i përforcojë në fe dhe t’i ndihmojë për të dëshmuar Ungjillin e mëshirës në jetën e përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.