2016-09-21 15:05:00

Kardinali Parolin në OKB: 48 milion fëmijë janë emigrantë të detyruar


“48 milion fëmijë janë të detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre, e me mijëra fëmijë emigrantë të pashoqëruar janë zhdukur duke u bërë kështu pre e njerëzve që abuzojnë dhe shfrytëzojnë”. Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, zgjodhi OKB-në për këtë britmë alarmi. Duke ndërhyrë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, që po zhvillohet në Nju Jork, mbi emigrantët e refugjatët, kardinali ripohoi se “të gjithë individët kanë të drejtë të qëndrojnë e të jetojnë në paqe e siguri në tokën e tyre dhe në vendin e origjinës”. Ndërsa, ka me miliona njerëz që “rrezikojnë gjithçka, që jetojnë në kushte të mjerueshme” dhe me mijëra tjerë që “kanë humbur jetën derisa kërkonin të iknin nga konfliktet, nga dhuna, nga varfëria e skajshme, nga përjashtimi shoqëror, nga persekutimi e forma tjera të diskriminimit”.

Nga këtu thirrja “urgjente” e Selisë së Shenjtë në favor të “përpjekjeve politike e multilaterale për t’i çrrënjosur shkaqet e thella të lëvizjeve të mëdha e të dyndjes së detyruar të popullsive”: “ konfliktet e dhuna, shkeljet e panumërta të të drejtave njerëzore, degradimi i natyrës, varfëria e skajshme, tregtimi dhe trafiku i armëve, korrupsioni e planet e errëta tregtare e financiare”. Në të njëjtën kohë, tha kardinali Parolin, “është e domosdoshme të sigurohen fondet për zhvillimi dhe ato të shpërndahen në mënyrë të drejtë e transparente, të dorëzohen e të përdoren ashtu siç duhet”. “Jo”, pra, “globalizimit të indiferencës” siç ka denoncuar Papa, “po” “impenjimit në mbrojtjen e çdo njeriu nga dhuna e nga diskriminimi, “po” impenjimit për të garantuar një asistencë shëndetësore cilësore e të përshtatshme dhe për t’i mbrojtur ata që janë më të brishtë, posaçërisht gratë e fëmijët”.

Së fundit, Sekretari Shtetit të Vatikanit, kërkoi të “zhduken të gjitha muret dhe barrierat që i ndajnë njerëzit e popujt, e si pasojë shkaktojnë tensione ndërmjet tyre dhe dobësojnë e pengojnë zhvillimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.