2016-09-21 15:50:00

Alzheimer. Papa: “kujtohuni” për të sëmurët dhe familjet e tyre


Para se të fillonte audienca e përgjithshme, Papa Françesku kaloi në Sallën Pali VI për t’u takuar me një grup të sëmurësh, edhe ata shtegtarë në Vatikan, por jo në Sheshin e Shën Pjetrit, si gjithë të tjerët. Arsyen e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë:

“Sot do ta kemi audiencën në dy vende: në shesh – do ta shihni prej këtu – dhe këtu. Është më e lehtë. Vendosëm kështu, sepse ka rrezik të bjerë shi… Kur jemi mirë me shëndet, e durojmë shiun, por nëse ndokush është pak i sëmurë, nuk mundet. Prandaj jeni këtu. Ju do ta ndiqni audiencën nga ekranet e mëdha. Të bashkuar të gjithë, në shesh e në Sallë”.

Kështu foli Ati i Shenjtë, para se të lutej me të sëmurët e t’u jepte atyre bekimin apostolik.

Kujtojmë se sot kremtohet Dita XXIII Botërore e Alzheimerit, me temë “Kujtohu për mua”. Gjatë audiencës së përgjithshme, Papa u kërkoi të pranishmëve që, duke ndjekur shembullin e Jezusit e të Marisë, “të kujtohen” për ata, që vuajnë nga kjo sëmundje, por edhe për familjarët e për të gjithë ata, që kujdesen me dashuri për nevojat e tyre. Kjo formë demence degjenerative godet 5% të njerëzve me moshë mbi 60 vjeç. Sëmundja keqësohet me ritme të ngadalta e pacientët jetojnë 8-10 vjet pas diagnostikimit të saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.