2016-09-20 13:32:00

Në OKB kardinali Parolin: “T’u përgjigjemi nevojave që kanë emigrantët”


Në një Nju Jork të blinduar, pas atentateve të fundit, dje u hap Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me takimin e nivelit të lartë mbi emigracionin. “Rivendosja e një lidhjeje të ngushtë ndërmjet rrezikut për sigurinë dhe emigracionit, nuk përkon me realitetin e fakteve”. Kështu tha kryeministri italian Matteo Renzo, gjatë takimit të nivelit të lartë. Sipas sekretarit të OKB-së Ban Ki Moon duhet një marrëveshje në nivelin global për t’u dhënë më shumë të drejta emigrantëve.  “Ky samit do të ketë vlerë vetëm nëse të gjithë ne do t’i respektojmë impenjimet që kemi marr përsipër”. Ky apeli që bëri dje sekretari i OKB-së Ban Ki Moon, në paraqitjen e deklaratës së miratuar nga takimi i nivelit të lartë, mbi refugjatët dhe emigrantët, që përuroi punimet e sesionit të 71-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Dokumenti u votua nga 193 shtetet anëtare, por nuk është detyrues e nuk ua imponon vendeve më të pasura ndonjë kuotë minimale të pritjes së refugjatëve.

Ndërsa fjalën e tij Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, vuri në pah rolin që luajnë institucionet fetare duke u përgjigjur nevojave të refugjatëve e të emigrantëve. Po sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë nënvizoi edhe një fakt tjetër, atë se sot, shumë njerëz po i braktisin tokat e veta dhe lënë shtëpitë e tyre, sepse janë të detyruar nga konfliktet, nga persekutimet e diskriminimet. Prandaj ata duhet të gjejnë një strehim të sigurt, e jo të hasin në mosbesim, dyshim e racizëm.

Kardinali Parolin pastaj u takua me sekretarin e SHBA-së John Kerry për të diskutuar mbi “situatën humanitare në Siri”, duke nënvizuar “interesin e përbashkët për luftimin e rrezikut që vjen nga Daesh dhe për parandalimin e mëtejshëm të trysnisë që po ushtrohet ndaj pakicave etnike e fetare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.