2016-09-18 14:53:00

Papa: ndershmëria e respekti janë shkathtësia e krishterë, jeta është zgjedhje ndërmjet dy udhëve


Lufta sot është “kudo”: bota, pra, t’i lutët Zotit e “bashkuar” për paqen. Kështu tha Papa Françesku në mbarim të lutjes së mesditës të Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Ati i Shenjtë Françesku, duke komentuar pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, u kërkoi besimtarëve të jetojnë sipas logjikës së Ungjillit, duke zgjedhur udhën e drejtë që na tregon Jezusi e duke mos ndjekur logjikën e një “korrupsioni të përhapur”. Së fundit kujtoi mbylljen e Kongresit Eukaristik italian në Gjenovë dhe Baetifikimin dje në Sardenjë të Elizabetta Sanna.
Ja fjalët e Papës Françeskut gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot
Sot Jezusi na sjell të reflektojmë mbi dy stile të kundërta të jetës : atë mondan e atë të Ungjillit. Dhe këtë e bën përmes tregimit të shëmbëlltyrës së mbarështuesit - administratorit të pandershëm e të korruptuar, të cilin Jezusi e lavdëron, megjithëse ishte i pandershëm (krh Lk 16,1-13). Duhet të saktësojmë menjëherë se ky mbarështues nuk paraqitet si shembull për t’u ndjekur, por si shembull i shkathtësisë (dinakërisë). Ky njeri akuzohej për mbarështimin e keq të të mirave dhe të punëve të zotërisë të vet e, para se të largohej, mundohej me shkathtësi t’i bënte për vete borxhlitë, duke ua falur borxhin atyre për të siguruar kështu një të ardhme. Duke komentuar këtë sjellje, Jezusi vëren: “Bijtë e kësaj bote, janë më të kujdesshëm në marrëdhënie të shoqishoshme se bijtë e dritës” (rr. 8).
Para një shkathtësie të tillë mondane ne jemi të thirrur të përgjigjemi me shkathtësinë e krishterë, që është dhuratë e Shpirtit Shenjt. Është fjala për t’u larguar nga shpirti e për t’u shkëputur nga vlerat e botës, që kaq shumë i pëlqejnë djallit, për të jetuar sipas Ungjillit. Mondaniteti shfaqet me sjelljet e veprat e korrupsionit, të mashtrimit, të nëpërkëmbjes, e përbënë udhën më të gabuar, udhën e mëkatit, megjithëse është ajo më komode për t’u përshkuar. Ndërsa shpirti i Ungjillit kërkon një stilin e jetës serioze e impenjuese, që ka në vete ndershmërinë, korrektësinë, respektin ndaj të tjerëve e ndaj dinjitetit të tyre, ndjenjën e detyrës. Kjo është shkathtësia e krishterë!
Udha e jetës sjell në zgjedhjen dhe përcaktimin tonë ndërmjet dy udhëve: ndërmjet ndershmërisë e pandershmërisë, ndërmjet besnikërisë e pabesnikërisë, ndërmjet egoizmit e altruizmit, ndërmjet së mirës e së keqes. Nuk mund të luhatemi ndërmjet njërës e tjetrës, sepse lëvizin sipas logjikëve të ndryshme e të kundërta. Eshtë më rëndësi të vendosim se të cilin drejtim duhet të marrim e pastaj, pasi të kemi zgjedhur udhën e drejtë, të ecim me zell e vendosmëri, duke u mbështetur në hirin e Zotit e në mbështetjen e Shpirtit të tij. Përfundimi i fragmenti të sotëm ungjillor është i fortë e kategorik: “Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve, sepse ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë” (rr.13).
Jezusi sot na këshillon e nxit të zgjedhim e të përcaktohemi në mënyrë të qartë ndërmjet Tij e shpirtit të botës, ndërmjet logjikës së korrupsionit e lakmisë dhe asaj të ndershmërisë e bujarisë, ndarjes bashkë me të tjerët. Mos të harrojmë edhe se korrupsioni prodhon përshtatshmërinë, lind varfëri, shfrytëzim, vuajtje. Ndërsa përkundrazi, kur provojmë të ndjekim logjikën ungjillore të integritetit, të qartësisë në synime e në sjellje, të vëllazërimit, ne bëhemi artizanë të drejtësisë dhe hapim horizonte plotë shpresë për njerëzimin. Në dhurimin falas të vetvetes për vëllezërit tanë, ne shërbejmë zotërinë e drejtë: Zotin.
Virgjëra Mari na ndihmoftë të zgjedhim në çdo rast e me çdo kusht udhën e drejtë, duke gjetur edhe guximin për të shkuar kundër rrymës së mondanitetit, vetëm e vetëm për të ndjekur Jezusin e Ungjillin e tij.  








All the contents on this site are copyrighted ©.