2016-09-17 15:06:00

Veprimtari të ndryshme të Papës


Veprimtari të ndryshme të Papës: Sot, Papa Françesku kremtoi në Baziliken e Vatikanit, Meshën për 200-vjetorin e Trupit të Xhandarmërisë së Selisë së Shenjtë. Më pas, si zakonisht, në orën 12.00, Lutja e Engjëllit të Tënzot me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit. Ndërkaq, festa për xhandarmërinë e Vatikanit vijoi edhe pasdite në orën 18.00, me leximin e një mesazhi të Papës, me ndërhyrjen e autoriteteve vatikanase dhe me një çast muzikor e një koktej.

Filloi sot e do të vijojë deri më 20 shtator në Asizi, Takimi i ri i krerëve botërorë të feve, për t’u lutur së bashku për paqen. Tema e tij është “Etja për paqen: fetë e kulturat në dialog”. Organizohet, së gjithnjë, nga Bashkësia e Shën Egjidit e kësaj radhe, bie plot 30 vjet nga takimi i parë, lindur nga intuita e një shenjti si Papa Gjon Pali II. Më 20 shtator pritet mbërritja e Atit të Shenjtë Bergoglio.

Ati i Shenjtë Françesku priti (dje) pjesëmarrësit e Takimit të ish-nxënësve të jezuitëve, organizuar nga Konfederata Evropiane e tyre. Të pranishëm në Sallën e Koncistorit, rreth 170 vetë. Në orën 11.15, në Sallën Klementine, Papa Françesku priti pjesëmarrësit e  Takimit të Përfaqësuesve papnorë apo të nuncëve apostolikë. Jubileu i tyre filloi më 15 shtator në Sallën e Sinodit. Morën pjesë 106 nga 108 përfaqësuesit papnor, që shërbejnë sot në botë.

Pas një sërë veprimtarish e konferencash, dita e djeshme qe thellësisht shpirtërore. U ftuan edhe 40 nuncë, të cilët kanë dalë tashmë në pension. Në orën 7.30, ata bashkëkremtuan meshën e kryesuar nga Ati i Shenjtë në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Po aty, dëgjuan më pas një reflektim shpirtëror nga drejtori i Institutit Papnor Gjon Pali II, imzot Pierangelo Sequeri. Në orën 10.00 kaluan Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit e më pas, siç e thamë, u takuan me Papën Françesku, me të cilin u ndalën edhe për një drekë të lehtë, në Shtëpinë e Shën Martës. Më 18 nëntor, Ati i Shenjtë ka ftuar në Vatikan, 163 bashkëpunëtorët e Përfaqësive Papnore – këshilltarë, sekretarë e të ngarkuar me punë – për kremtimin e një dite jubilare.

Po dje, në Itali, e pikërisht në Codrongianos të Sardenjës, u shpall e lume Elisabetta Sanna, vejushë, terciare e Urdhërit të Paolotëve dhe e Bashkimit të Apostullimit Katolik, themeluar nga Shën Vinçenc Paloti, i cili qe edhe ati i saj shpirtëror. Kryesoi meshën, përfaqësuesi i Papës, kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve.

Elisabetta Sanna lindi në Codrongianos (Sassari) më 23 prill 1788. Që tre muajsh humbi aftësinë për të çuar lart krahët. Megjithatë, u martua dhe pati pesë fëmijë. Pasi mbeti vejushë bëri kushtin e pastrisë dhe ia kushtoi jetën grave e vajzave të tokës së saj. Më vonë, pas një shtegtimi në Tokën Shenjte, për shkak të problemeve fizike, mbeti në Romë, ku edhe mori pjesë në të gjitha veprimtaritë e frymëzuara nga Shën Vinçenc Paloti. Qe grua e lutjes, e shërbimit për të sëmurët e për të varfërit. Vdiq në Romë, më 17 shkurt 1857.








All the contents on this site are copyrighted ©.