Për Çiprianin e ri dimë se lindi pagan në Kartagjenë rreth vitit 210 pas Krishtit. Qe pagëzuar në vitin 245, në vitin 249 zgjidhet ipeshkëv i Katragjenës. Ipeshkvi afrikan i shekullit III, shën Çipriani, e pati shumë për zemër unitetin e Kishës e i pranoi plot mëshirë edhe ata që fillimisht e mohuan fenë, të tmerruar nga persekutimet kundër të krishterëve.
Kisha është një dhe e bashkuar nën katedrën e Pjetrit e ai që largohet, gënjen veten se bën pjesë në këtë bashkësi. Por, nuk do harruar edhe se i krishteri duhet ta falë me gjithë zemër atë që, pasi e ka braktisur Kishën, kërkon të rikthehet në atë vend ku njeriu i flet Zotit e Zoti e dëgjon njeriun. Ky, thënë me dy fjalë, ishte stili baritor i shën Çipriani, afrikan nga Kartagjena, që u kthye në fenë e krishterë në moshën 35 vjeçare, u shugurua më pas ipeshkëv e, 30 vjet më vonë, dha dëshminë e fesë duke derdhur gjakun për Krishtin, ai qe martirizuar nën perandorin Valeriani në vitin 258.
Çipriani nuk qe teolog, por bari, i impenjuar kryesisht për të rivendosur disiplinën
ndërmjet radhëve të të krishterëve, të tronditur thellë nga dhuna e nga persekutimi
romak. Pas persekutimit të Deçios, në vitin 251, Çiprianit iu desh të përballonte
problemin e atyre që u quajtën ‘lapsi’, do të thotë që e braktisën Kishën nga frika
e martirizimit, por që, sapo kaloi rreziku, kërkuan të kthehen përsëri në radhët e
saj. Bashkësia e krishterë e Kartagjenës u nda në dy grupe: në ‘lasistë’, që ishin
gati t’i falnin femohuesit e në ‘rigoristë’, që kërkonin spastrimin e Kishës nga tradhtarët.
Si të mos mjaftonte kjo, një epidemi e tmerrshme murtaje e një grindje ndërmjet ipeshkvit
të Kartagjenës e Papës Shtjefni e thelluan edhe më keq tensionin. E pikërisht në këto
rrethana të vështira, Çipriani tregoi se ishte i pajisur me aftësi të rralla për të
drejtuar.
Papa Benedikti XVI pati thënë për Shën Çirpianin: “Qe i ashpër, por jo i paepur me
femohuesit, duke u krijuar mundësinë e faljes, pas një pendese shembullore; përballë
Romës, mbrojti me vendosmëri traditat e shëndosha të Kishës afrikane; tepër human
e plot me shpirtin ungjillor, i nxiti të krishterët t’i ndihmonin vëllazërisht paganët
gjatë epidemisë së murtajës; u kujtoi besimtarëve - që nuk donin t’i humbnin pasuritë
tokësore – se jeta e vërtetë dhe pasuritë e vërteta nuk janë të kësaj bote; luftoi
pa kompromis kundër zakoneve të korruptuara e mëkateve që minonin jetën morale, posaçërisht
kundër koprracisë e egoizmit”.
Pavarësisht nga persekutimet e nga kontrastet me Romën, Çipriani na tregon se uniteti
me Papën është detyrimi më i lartë që duhet të plotësojë kush dëshiron t’i përkasë
Kishës së Krishtit. Ai e dallon Kishën e dukshme, hierarkinë, nga Kisha e padukshme,
mistike, por pohon me forcë se Kisha është një e vetme, e themeluar mbi Pjetrin. Nuk
lodhet kurrë së përsërituri se kush e braktis katedrën e Shën Pjetrit, mbi të cilën
bazohet Kisha e Krishtit, gënjen veten se është në Kishë. Ka një Zot të vetëm, një
Krisht të vetëm – qorton Çipriani -, e një e vetme është Kisha e Tij, një e vetme
feja, një i vetëm populli i krishterë, i bashkuar në unitet të çeliktë: e nuk mund
të ndahet, çka është një e vetme .
Edhe nga lutja themelore e Kishës, Ati Ynë, buron karakteri i harmonishëm e kolektiv
i Kishës. Kjo lutje – vëren Çipriani – na u dhurua nga Krishti në numrin shumës, në
mënyrë që ai, i cili lutet, të mos lutet vetëm për vetveten. Urata jonë është publike
e komunitare.
Si përfundim mund të themi se Çipriani zë vend në zanafillën e asaj tradite të frytshme
teologjiko-shpirtërore, që e shikon ‘zemrën’ si vend të privilegjuar për lutjen. E,
si për Biblën, ashtu edhe për Etërit e Kishës, është pikërisht zemra njerëzore vendi
ku banon Zoti. Shën Çipriani i ftoi besimtarët t’i hapin zemrat, për të dëgjuar zërin
e Zotit, për të cilin flasin Bibla e Kisha, sepse kemi vërtetë nevojë. Vetëm kështu
mund ta kuptojmë plotësisht se Hyji është Ati ynë e se Kisha, Trupi mistik dhe i Shenjtë
i Krishtit, është vërtetë Nëna jonë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |