2016-09-15 16:01:00

Toka e Shenjtë. Primati i Irlandës imzot Martin: paqja është e mundur


“Zgjidhja dhe pajtimi janë të mundshme” e “dhuna e konflikti mund të kapërcehen e të zëvendësohen nga paqja e siguria”. Kështu i tha kryetarit të bashkisë së Betlehemit, Vera Baboun, kryeipeshkvi i Armagh-ut e primati i tërë Irlandës imzot Eamon Martin, i cili është duke udhëhequr një shtegtim solidariteti tetë ditor në Tokën e Shenjtë.  Në këtë nismë – njofton agjencia Sir – marrin pjesë 177 besimtarë irlandezë, me qëllim për “t’u shpreh solidaritetin të krishterëve të kësaj toke, pasardhës të atyre që qenë të parët që dëgjuan gëzimin e Ungjillit në këngën e engjëjve”.

“Ndërsa këtyre ditëve po ecim në gërmimet e lashta të themeleve nga Nazareti e deri te Jeriku dhe Jerusalemi – pohon imzot Martin, cituar nga agjencia Sir – jemi të vetëdijshëm se të krishterët në këtë rajon janë ‘gurë të gjallë’ që kanë dëshmuar besnikërisht Krishtin duke transmetuar Ungjilli për mëse njëzetë shekujt”.

Duke përmendur pastaj betejën që kanë jetuar komunitetet vendore “të lodhura nga konflikti, nga dhuna e nga padrejtësia”, kryeipeshkvi i dioqezës së Armagh-ut siguron se njeh, “përmes eksperiencave tona në Irlandë, zhgënjimit shkaktuar nga një cikël konfliktesh që dukeshin pa fund dhe tundimit përherë të pranishëm të dëshpërimit” e shton”: “Duam të sjellim shpresën”.

Ushtria nëpër rrugë, post blloqet, muret e sigurimit, bombat e të shtënat, “sektarizmi, urrejtja e fanatizmi që mund t’i shndërrojnë fqinjët në armiq e në të dyshuar, kultura e madje deri edhe feja që bënë dallime e ndanë” janë eksperiencë e përbashkët. Megjithatë, siguron Primati i Irlandës, “e dimë se zgjidhja e pajtimi janë të mundshme dhe se dhuna e konflikti mund të tejkalohen e të zëvendësohen nga paqja e siguria”. Për këtë arsye duhet “të mos nënvlerësohet pushteti transformues që ka lidershipi guximtar, mbështetur nga bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtar”.

“Ne nuk vijmë për të ofruar zgjidhje të thjeshtë për një konflikt të ndërlikuar – përfundoi imzot Martin - !por vijmë me të vetmet gjëra që kemi: lutjen dhe solidaritetin” duke intensifikuar “kërkesën tonë të mirëkuptimit të anasjelltë e të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për këtë tokë që ka njohur tepër konflikte, tepër dhimbje e tepër ndarje”.








All the contents on this site are copyrighted ©.