2016-09-15 09:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: ilaçi i bukurisë


Kemi arritur në emisionin e 38-të të rubrikës sonë kushtuar Nënë Terezës, gjatë së cilës shfletojmë së bashku librin “Njoha një shenjtore” të kardinali Angelo Comastri. Ai e ka njohur personalisht shenjten shqiptare e tregon…

 Në muajin e majit të vitit 1994, mora pjesë në një meshë shenjte në kishën e Shën Gregorit në Celio: ishte e pranishme edhe Nënë Tereza. Një fotograf, me këmbëngulje të bezdisshme, bënte fotografi, duke iu afruar fytyrës së Nënës, në lutje. Mora guximin t’i thoja: “Kini pak delikatesë. A s’e shihni se Nëna po lutet? Lëreni të qetë”.

 Fotografi u qetësua për një çast e pastaj, më tha: “Dua të fotografoj sytë e Nënë Terezës: kam fotografuar sy princash, princeshash, aktorësh, njerëzish shumë të famshëm…, por nuk kam parë kurrë dy sy kaq të lumtur e kaq të shndritshëm. Kush e di cili është sekreti i tyre?!”

 Pasi përfundoi mesha, i tregova Nënës dëshirën e fotografit këmbëngulës e aspak delikat. Nëna, me durimin e qetë të përhershëm, iu nënshtrua disa fotografive nga afër e pastaj, mori duart e fotografit e, gati duke i pëshpëritur, i tha: “A doni ta dini pse sytë e mi janë të lumtur? Sekreti është shumë i thjeshtë: sytë e mi janë të lumtur, sepse duart e mija thajnë shumë lot”. Përgjigje e mrekullueshme. E shtoi: “Bëni kështu edhe ju e do të keni dy sy shumë të bukur!”

Besoj se me këto fjalë, Nënë Tereza na tregon ilaçin më të frytshëm për bukurinë: nëse do ta përdornin shumë vetë, e sidomos, shumë gra… bota do të ishte ndryshe.








All the contents on this site are copyrighted ©.