2016-09-15 13:22:00

Papa: bota që vuan nga kriza, ka një Nënë që mbron e ngushëllon


Në një “botë që vuan nga kriza e bonjakërisë”, ne kemi një Nënë që na shoqëron e na mbron: kështu tha Papa Françesku në homelinë e Meshës kremtuar në sot mëngjes në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, në ditën kur Kisha kremton përkujtimin e së Lumes Mari Virgjër – Zojës së Dhimbshme.

Ungjilli i ditës nga Gjoni 19,25-27 na sjell mbi Kalvar, pranë Krishtin mbi kryq. Të gjithë dishepujt kanë ikur, përveç Gjonit e disa grave. Te këmbët e Kryqit është Maria, Nëna e Jezusit: të gjithë – pohoi Papa – e shikonin duke thënë: “Ajo është nëna e këtij keqbërësi! Ajo është nëna e këtij subversivi!”:

“E Maria i dëgjonte këto gjëra. Vuante e pësonte shpotitje e poshtërime të tmerrshme. E i dëgjonte edhe të mëdhenjtë, disa priftërinj, të cilët ajo i respektonte, sepse ishin priftërinj: ‘Po mirë, Ti që je kaq i zoti, zbrit nga kryqi! Zbrit’. Me Djalin e saj, të zhveshur, aty. E Maria kishte vërtetë një vuajtje aq të madhe, por ajo nuk u largua, nuk iku. Nuk e mohoi të Birin! Ishte mish i saj”.

Papa Françesku kujtoi se kur në Buenos Ajres shkonte nëpër burgje për t’i vizituar të burgosurit, shihte gjithmonë një rresht me gra që prisnin të hynin brenda:

“Ishin nëna. Por nuk turpëroheshin: mishi i tyre ishte aty brenda burgjeve. E këto gra vuanin jo vetëm nga turpi pse ishin aty – ‘Pa shikoje atë grua! Thua çka do të ketë bërë djali saj?’ – por vuanin edhe nga përunjësia e kontrollimit që u bëhej atyre para se të hynin. Mirëpo ishin nëna e shkonin për të takuar mishin e vet, pjesën e trupit të tyre. Kështu Maria, ishte aty, me të Birin, me atë vuajtje aq të madhe”.

Jezusi – pohoi në homeli Papa – ka premtuar se nuk do të na lë jetimë dhe mbi Kryq na dhuroi Nënën e vetë si Nënën tonë:

“Ne të krishterët kemi një Nënë, vetë nënën e Jezusit; kemi një Atë, të njëjtin Atë të Jezusit. Nuk jemi jetimë! E Ajo na lindë në atë moment me aq dhimbje: është vërtetë një martirizim. Me zemrën e shporuar, pranon të na lindë të gjithëve në atë çast të dhimbjes. E nga ai moment Ajo bëhet Nëna jonë, nga ai moment Ajo është Nëna jonë, ajo që kujdeset për ne e nuk turpërohet prej nesh: na mbron”.

Mistikët e parë rusë - kujtoi Papa Françesku – i këshillonin besimtarët të strehoheshin nën mantelin e Nënës së Hyjit në momentet e vështirësive  e shqetësimeve shpirtërore: “Aty nuk mund të hyjë djalli. Sepse Ajo është Nënë e si Nënë mbron. Pastaj Perëndimi e mori këtë këshillë dhe përpiloi antifonën e parë mariane me titullin ‘Sub tuum praesidium’ – ‘Nën mantelin tënd, nën mbrojtjen tënde, oh Nënë!’. Aty jemi të sigurt”.

“Në një botë, të cilën mund ta quajmë ‘bonjar’, – përfundoi Papa homelinë e Meshës së sotme – në këtë botë që vuan nga kriza e madhe e bonjakërisë, ndjehet e vetme, ndoshta ndihma jonë është të thuash ‘Shikoje Nënën tënde!’. Ne kemi një Nënë që na mbron, na mëson, na shoqëron; që nuk turpërohet prej mëkateve tona. Nuk turpërohet, sepse ajo është Nënë. Uroj që Shpirti Shenjt, ky mik, ky shok i udhës, ky Ngushëllues avokat të cilin Zoti na ka dërguar, na ndihmoftë ta kuptojmë këtë mister kaq të madh të amësisë së Marisë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.