2016-09-14 15:34:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: fronet e kësaj bote


Vijojmë shfletimin e librit “Njoha një shenjtore”, që kardinali Angelo Comastri ia kushton Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë e të dashurisë së krishterë.

         Në vitin 1991, tregon kardinali, saktësisht më 27 maj, Nënë Tereza erdhi në Massa Maritima (Grosetto), ku isha ipeshkëv jo më shumë se prej një viti. Për habinë time të madhe, më komunikoi vendimin se do të hapte një shtëpi për murgeshat kundruese të Misionareve të Dashurisë, në Piombino: “Do të luten para Jezusit në Tabernakull”, më tha, “e kështu, do të përhapet përreth drita e mirësisë. Duhen zemra të pastra për ta pranuar Dashurinë! Zemra të pastra!”

         Nga Massa Marittima, me helikopter, shkuam në Ishullin e Elbës, për një takim të dytë lutjeje. Gjatë rrugës i tregoja Nënë Terezës vendet e ndryshme të bregdetit të Tirrenit, ndërsa ajo u dërgonte të gjithëve dhuratën e një “Falemi Mari”. Në një çast, një burrë që na shoqëronte në atë fluturim, ra në gjunjë pranë meje dhe me zë të dridhur, më tha: “Atë, unë nuk di ç’po më ndodh! Më duket se Zoti, po po Zoti, po më sheh përmes syve të asaj gruaje”.

         Ia tregova menjëherë Nënës ato fjalë, që sapo i kisha dëgjuar. Ajo, me një qetësi çarmatosëse, komentoi: “I thoni se Zoti po e sheh prej shumë kohësh, por më parë, nuk e kuptonte…! Zoti është dashuri!” E, duke u kthyer nga personi, i shtrëngoi dorën me ëmbëlsi dhe i dha disa medalje të Zojës: dukeshin puthje, që sillnin erën e mirë të dashurisë së Zotit. Kështu ishte Nënë Tereza: e thjeshtë, e përvuajtur, e qartë, ungjillore e transparente.

         Gjatë udhëtimit për në Ishullin e Elbës, simotra që shoqëronte Nënë Terezën, më tregoi këtë episod mahnitës. Para disa vjetësh, Nënë Tereza ndodhej në Addis Abeba që të hapte një shtëpi për njerëzit, të cilët vdisnin urie. Sapo e hapi shtëpinë, Nënë Tereza u nis për Nju Jork, ku do të vizitonte disa vepra të destinuara për të sëmurët nga Sida. Sapo mbërriti në Nju Jork, erdhi lajmi: në Eitopi kishte ndryshuar gjithçka, po bëhej revolucion, perandori Hailé Selassié ishte burgosur, kreu i ri i shtetit ishte një kolonel: koloneli Menghistu, djali i ish-kuzhinieres së perandorit të përmbysur.

         Nënë Tereza u zhyt në mendime dhe i tha murgeshës, që e shoqëronte: “Shko të presësh biletën, kthehemi në Etiopi”. Murgesha u mundua ta kundërshtonte, por duke e njohur mirë Nënën, më në fund, iu bind. U kthyen në Addis Abeba. Ndërkaq, ishte përhapur lajmi i mbërritjes së saj, prandaj i organizuan një ceremoni të madhe mirëseardhjeje dhe e çuan para kreut të ri të shtetit, kolonelit Menghistu. Sapo e pa, koloneli shkoi shpejt drejt saj, cerimonial e festiv, madje, guxoi ta pyeste: “Nënë, ç’mund të bëj për ju?”

         “Dua të shoh perandorin Hailé Selassié”, iu përgjigj Nënë Tereza.

         “Po si kështu, Nënë! Ju më ofendoni! Si ka mundësi, që më kërkoni ta shihni atë njeri?”

         Nënë Tereza, pa frikë, iu përgjigj: “Zoti president, dje, perandori ishte i pasur, sot, është i varfër; dje, ju ishit i varfër, sot, jeni i pasur. Unë dua të shoh të varfërin Hailé Selassié”.

         Koloneli nuk pati guxim të thoshte jo, por arriti të shtojë: “Grua, patët një guxim të jashtëzakonshëm. Çojeni në burg”.

         E shoqëruan në qelinë e perandorit, i cili, sapo e pa, shpërtheu në vaj dhe i tha: “Nënë, a e sheh ç’ndodhi? Ndryshoi gjithçka në pak çaste”.

        Nënë Tereza e përqafoi dhe i tha: “Perandor, fronet e kësaj bote i ka ngrënë të gjitha tenja; sot bie njëri, nesër do të bjerë një tjetër: mos kini frikë! Kapuni pas Zotit, besoni në Të: është i vetmi shkëmb, mbi të cilin mund të mbështetemi”.

         Në hapat e Nënë Terezës, episode si ky ndodhnin me një thjeshtësi çarmatosëse. Për hir të besnikërisë ndaj kronikës, ia vlen të kujtojmë se froni i kolonelit Menghistu ka rënë tashmë!








All the contents on this site are copyrighted ©.