2016-09-14 14:56:00

Papa: barinjtë e Kishës të mos jenë princa, por pranë njerëzve, si Krishti


Barinjtë e Kishës të mos largohen nga njerëzit, por të ndjekin shembullin e Krishtit, që rrinte me të varfërit, për t’u dhuruar atyre shëlbimin e Zotit. Kështu Papa Françesku, në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit.

Në Kishë, asnjë bari nuk duhet të jetë princ

Me Jezusin, mëshira e Zotit “mori përsipër varfërinë e njerëzve”, atë materiale e atë shpirtërore, duke iu dhuruar të gjithëve mundësinë për shëlbim. Në festën e Lartimit të Kryqit Shenjt, Papa Françesku shpjegoi si Krishti u bë “i afërt me të gjithë”, veçanërisht me më të varfërit:

  “Ishte bari, që rrinte me njerëzit, me të varfërit: punonte gjithë ditën me ta. Jezusi nuk ishte princ. Është keq për Kishën kur barinjtë kthehen në princa, larg nga njerëzit, larg nga të varfërit: nuk është ajo, fryma e Jezusit. Këta lloj barinjsh, Jezusi i qortonte e pikërisht për ta, u thoshte njerëzve: ‘bëni çfarë t’ju thonë, por mos bëni si ata’”.

Ndërmjet të thjeshtëve

Duke komentuar pjesën ungjillore të Shën Mateut, në të cilën Zoti thërret njerëz të thjeshtë që ta ndjekin, njerëz me jetë të vështirë, me shumë nevoja, Ati i Shenjtë kujtoi se ajo ftesë ishte imperative, nuk mund të kundërshtohej, sepse vinte nga një njeri me autoritet, që u premtonte se pikërisht kështu do të gjenin pushim e lehtësim. Jezusi thotë: “Ejani tek unë”, “merrni mbi supe zgjedhën time”, “do të mësoni prej meje”:

“Ah sikur të gjithë krerët e botës të mund ta thoshin këtë!”

Pushimi, që mund ta japë vetëm Krishti

Ata që s’kanë më besim tek jeta, të varfërit, të vegjlit, shpjegoi Papa Françesku, nuk kanë as mjete e as miq të rëndësishëm, që mund t’i ndihmojnë. Vetëm te Zoti mund të besojnë, e dinë se varen nga mëshira e Hyjit. E kështu bëhen dishepuj të Tij, duke marrë premtimin se pikërisht në Hyjin, do të rigjenerohen gjithë jetën. E ky premtim shtrihet mbi të gjithë njerëzit. Në veçanti, gjatë Jubileut të Mëshirës, kur shtegtarët kapërcejnë Portën Shenjte për një arsye të qartë, theksoi Papa:

 “Për të gjetur Jezusin, për të gjetur miqësinë e Jezusit, për të gjetur atë rigjenerim, që ta jep vetëm Jezusi. Kjo udhë shpreh kthimin kah Zoti të çdo dishepulli, që vihet pas gjurmëve të Jezusit. E ky kthim ka të bëjë gjithnjë me zbulimin e mëshirës së Hyjit. Ajo është pa fund e nuk mbaron kurrë: është e madhe, mëshira e Zotit”.

Krishti, qendër e marrëdhënieve me Zotin

Duke marrë përsipër “zgjedhën apo peshën e rëndë të Jezusit”, vijoi Papa, çdo dishepull hyn në bashkim me Të, sepse Krishti është qendra e marrëdhënieve me Zotin:

“Jezusi vë mbi shpatullat e dishepujve zgjedhën e vet, në të cilën plotësohet Ligji. Dëshiron t’u mësojë atyre se do ta zbulojnë vullnetin e Hyjit përmes Tij: përmes Jezusit, jo përmes ligjeve e direktivave të ngurta, që vetë Jezusi i dënon”.

Shpesh, largohemi nga gjithçka vlen vërtet

Papa Françesku vuri në dukje se Krishti nuk u imponon të tjerëve peshë, që Ai vetë nuk i mban. U drejtohet të varfërve, sepse edhe Ai vetë u bë i varfër për të shpëtuar njerëzimin, duke mbartur mbi shpatulla dhimbjet e mëkatet e të gjithë njerëzve. Ka çaste lodhjeje dhe zhgënjimi, vërejti Ati i Shenjtë, por pikërisht atëherë, duhet të kujtojmë se po i vemë forcat tona në shërbim të së mirës, sepse nganjëherë, lodhja vjen kur mendon se beson në gjëra jo thelbësore, se je larguar nga vlerat e vërteta të jetës. Ndërsa Zoti na mëson ç’do të thotë të jetosh me mëshirë për të qenë mjete të mëshirës:

“Të jetojmë me mëshirë do të thotë të ndjejmë nevojën e mëshirës së Jezusit e kur e ndjejmë se kemi nevojë për falje, për ngushëllim, mësojmë të jemi të mëshirshëm me të tjerët”.

Gëzimi i faljes

Së fundi, ftesa për të mos lënë askënd të na e shuajë gëzimin e të qenit dishepuj të Zotit:

“Lëre Zotin të të shohë, hapja zemrën, ndjeje mbi vete vështrimin e Tij, mëshirën e Tij, e zemra jote do të mbushet me gëzim, me gëzimin e faljes, nëse ti afrohesh e kërkon falje”.

Shtegtarët e gjuhës franceze

Gjatë përshëndetjeve përfundimtare, Papa Françesku iu drejtua veçanërisht shtegtarëve të gjuhës franceze, sidomos atyre të kryedioqezës së Rouenit, që morën pjesë në mëngjes në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në kujtim të atë Jacques Hamel:

“Në vështirësitë e jetës, ta marrim me guxim udhën së bashku me Jezusin e nuk do të jemi kurrë vetëm. Të mos lejojmë askënd të na shuajë gëzimin e të qenit dishepuj të Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.