2016-09-12 12:45:00

Papa: djalli përpiqet ta përçajë Kishën në rrënjën e bashkimit të saj, në meshë


Përçarjet e shkatërrojnë Kishën e djalli përpiqet të sulmojë pikërisht rrënjën e bashkimit të saj, që është kremtimi eukaristik. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, në ditën kur Kisha përkujton Emrin e Marisë.

Djalli mbjell xhelozi, ambicie, lakmi

Në Letrën e Shën Palit drejtuar korintasve, apostulli i qorton për grindjet ndërmjet tyre. Duke përsëritur pohimin e bërë edhe herë tjetër, Ati i Shenjtë theksoi se armët e djallit për ta shkatërruar Kishën janë dy: përçarja dhe paraja. Djalli mbjell xhelozi, ambicie, lakmi, gjithnjë me të njëjtin qëllim: përçarjen, të cilën Papa e krahasoi me terrorizmin. Janë thashethemet, është gjuha, ajo që vret, hedh bombën, shkatërron e lë pas përçarje:

“E ndarjet në Kishë nuk e lënë të zhvillohet Mbretërinë e Zotit; nuk e lënë Zotin të duket mirë, ashtu siç është. Ndarjet bëjnë të shihet kjo pjesë, kjo tjetra kundër së parës, kundër e kundër…. Gjithnjë kundër! Nuk ka më vaj që bashkon, s’ka balsam bashkimi. Por djalli shkon edhe më tej, jo vetëm në bashkësinë e krishterë, por pikërisht në rrënjët e unitetit të krishterë. Kështu ndodh në qytetin e Korintit, kështu u ndodh korintasve. Shën Pali i qorton, sepse ndarjet arrijnë pikërisht në rrënjët e bashkimit, në kremtimin eukaristik”.

Mos e shkatërroni Kishën me përçarje

Në rastin e korintasve, kujtoi Papa Françesku, bëhen dallime ndërmjet të pasurve e të varfërve gjatë meshës. E megjithëse Jezu Krishti e pati lutur Atin Qiellor për bashkimin, djalli përpiqet ta shkatërrojë atë e arrin deri në kremtimin eukaristik:

“Ju lutem të bëni ç’është e mundur për të mos e shkatërruar Kishën me përçarje, si me ato ideologjike, ashtu edhe me lakmi, ambicie e xhelozi. E sidomos të luteni e ta ruani burimin, rrënjën e vetë bashkimit në Kishë, që është Korpi i Krishtit, flijimin e të cilit ne e kremtojmë çdo ditë në Eukaristi”.

T’i lutemi Zotit për bashkimin në Kishë

Shën Pali apostull, vijoi Papa, flet për ndarjet ndërmjet korintasve, para 2000 vjetësh, por edhe sot, gjendja nuk ka ndryshuar shumë:

“Këtë, shën Pali mund të na e thotë sot të gjithëve, Kishës së sotme. ‘Vëllezër, nuk mund t’iu lavdëroj për këtë, sepse mblidheni jo për më të mirën, por për më të keqen!’ Ama Kisha mblidhet e gjitha… Po, por për më të keqen, për ndarjet: për më të keqen! Për ta njollosur Korpin e Krishtit në kremtimin eukaristik! E vetë Shën Pali thotë, në një pjesë tjetër: ‘Kushdo ha e pi padenjësisht Korpin e Gjakun e Krishtit, ha e pi dënimin e vet’. T’i lutemi Zotit për bashkimin në Kishë, që të mos ketë ndarje. E për bashkimin në rrënjën e Kishës, që është flijimi i Krishtit, të cilin e kremtojmë çdo ditë”.

Në meshën e sotme ishte i pranishëm edhe kryeipeshkvi i nderit i San Luis Potosì nga Meksika. Mbush 95 vjeç janarin e ardhshëm. Në fillim të homelisë, Papa e përmendi, duke kujtuar pjesëmarrjen e tij në Koncilin II të Vatikanit dhe ndihmën, që jep sot në famulli. Ati i Shenjtë e priti në audiencë më 9 shtator.








All the contents on this site are copyrighted ©.