2016-09-09 14:44:00

Papa, ipeshkvijve: përçarje e para, armët e djallit kundër Kishës


Djalli ka dy armë për ta shkatërruar Kishën: përçarjen dhe paranë. Kështu u tha sot Papa Françesku ipeshkvijve, që shërbejnë në territore misioni. Ipeshkvijtë, që marrin pjesë në një seminar studimor, vijnë nga vende të ndryshme e të largëta, por kanë privilegjin të jenë në linjën e parë të ungjillëzimit. Prandaj, vepra e tyre nuk duhet të shkojë kot, për shkak të ndarjeve e përçarjeve, theksoi Papa:

“Përçarja është arma, që djalli e ka më lehtë në dorë, për ta shkatërruar Kishën nga brenda. Ka dy armë, por ajo kryesorja është ndarja; tjetra është paraja. Djalli hyn nga xhepat dhe shkatërron me gjuhë, me thashethemet që përçajnë”.

Thashethemet janë bomba

Thashethemet, shpjegoi Ati i Shenjtë, e minojnë bashkimin e Kishës:

“Zakoni për të bërë thashetheme është zakon i terrorizmit. Thashethemexhiu është terrorist, që e hedh bombën – thashethemen – për të shkatërruar. Ju lutem, luftoni kundër përçarjes, sepse është një nga armët, që ka djalli për të shkatërruar Kishën lokale dhe Kishën universale”.

Në kërkim të deles së humbur

Kisha duhet të qëndrojë mbi ndarjet fisnore-kulturore, duke i bashkuar të gjithë anëtarët e saj. Në Vitin e Mëshirës, edhe ipeshkvijtë janë bashkuar me shtegtarët e gjithë botës, për t’i kërkuar Zotit hirin e mëshirën e Tij. Me këtë hir, ata duhet të kujdesen për grigjën, që u është besuar, duke kërkuar “delet e humbura”, ata që janë larguar nga Kisha, apo që nuk e praktikojnë fenë e krishterë, pavarësisht se e quajnë veten të tillë. Në këtë kuadër, Ati i Shenjtë i ftoi ipeshkvijtë të ndjekin me vëmendje formimin e meshtarëve të rinj:

“Ju ftoj të tregoni kujdes në përgatitjen e meshtarëve gjatë viteve të seminarit, pa harruar t’i shoqëroni gjatë formimit të vazhdueshëm edhe pas shugurimit. Të dini t’u jepni atyre shembullin konkret e të prekshëm. Për sa të keni mundësi, përpiquni të merrni pjesë me ta në çastet kryesore formuese, duke u kujdesur gjithnjë edhe për përmasën personale”.

Ipeshkvijtë t’u qëndrojnë pranë meshtarëve

E akoma më tej, Ati i Shenjtë nguli këmbë që ipeshkvijtë të bëhen të afërm për meshtarët, të cilët janë për ta të parët të afërm, sipas kuptimit që i jep kësaj fjale Ungjilli:

“Çdo meshtar duhet ta ndjejë afërsinë e ipeshkvit të vet. Kur ipeshkvi dëgjon se meshtari po e merr në telefon, ose merr një letër prej tij, të përgjigjet menjëherë! Menjëherë! Po atë ditë, nëse është e mundur. Por kjo afërsi duhet të fillojë në seminar, gjatë formimit, e të vazhdojë më tej. I afërmi më i afërt i ipeshkvit është presbiteri”.

Kard. Filoni: në disa vende, duhet guxim të jesh i krishterë

Në seminarin e organizuar nga Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve deri më 17 shtator, marrin pjesë 96 ipeshkvij, të emëruar nga Papa gjatë dy viteve të fundit. 43 prej tyre vijnë nga Afrika, 36 nga Azia, 13 nga Amerika dhe 4 nga Oqeania. Sfidat, që u duhet të përballojnë janë të vështira, siç nënvizoi prefekti i Kongregatës, kardinali Fernando Filoni:

“Shërbimi baritor për të cilin janë thirrur, në shumë raste, bëhet në gjendje jashtëzakonisht të ndërlikuara, ku rrethanat shoqërore dhe politike nuk janë gjithnjë të favorshme e ku ndjehet nevoja e dëshmisë veçanërisht të guximshme të fesë. Të jetosh e të veprosh si i krishterë në këto ambiente kërkon guxim të madh, ushqyer e mbështetur nga lutja e gjithë bashkësisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.