2016-09-09 12:46:00

Në Shqipëri e Kosovë Meshë falënderimi për Shenjten Nënë Terezë


Në Kishat katolike në trevat shqiptare: Shqipëri e Kosovë vazhdon festa dhe mirënjohja drejtuar Hyjit për shenjtërimit të Nënë Terezës, gjatë Meshës e ritit solemn, kremtuar nga Papa Françesku në Vatikan, më 4 shtatorin e kaluar.      

Kështu, nesër, më10 shtator 2016 në orën 10.00, në Kishën Katedrale "Shën Nënë Tereza" në Laç të Vaut të Dejës, Kisha Katolike ne Shqipëri, e udhëhequr nga Ipeshkvijtë e saj, do të kremtojë Meshën e falënderimit për Shenjtërimin e Nënë Terezës.

Në Meshë do të jenë të pranishëm besimtarë katolikë nga e gjithë Shqipëria. Mesha do të udhëhiqet nga Metropoliti i Shkodrës Imzot Angelo Massafra, njëkohësisht edhe Kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë.

Si Kisha katolike në Shqipëri, po kështu edhe Kisha katolike në Kosovë, nesër më 10 shtator, në Kishën Katedrale “Shën Nënë Tereza” do të kremtojë Meshën e falënderimit për shenjtërimin e Nënë Terezës, dhe me këtë rast do të bëhet shugurimi i dy meshtarëve të rinj.

Kisha Katolike në Kosovë i fton të gjithë besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë të marrin pjesë në Meshën e falënderimit dhe në shugurimin e dy meshtarëve të rinj (dy diakonët Don Daniell Markprekaj dhe Don Meriton Dedaj),  në Katedralen e Prishtinës, kushtuar Shenjtës Nënë Tereza, këtë të shtunë, më 10 shtator 2016,në ora 11:00. Meshën dhe ritin e shugurimit meshtarak do të udhëhiqet nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji.








All the contents on this site are copyrighted ©.