2016-09-09 15:12:00

Doli sot libri-intervistë me Benediktin XVI


Doli sot në të gjithë botën, libri me titull “Benedikti XVI. Bisedat e fundit”. Në formën e një interviste me gazetarin gjerman Peter Seewald, prek etapat më të rëndësishme të jetës së Papës së nderit, megjithëse nuk synon të jetë biografi e mirëfilltë. Kalon nga fëmijëria nën regjimin nazist tek zbulimi i thirrjes për meshtari, nga vitet e vështira të luftës tek shërbimi në Vatikan, nga lidhja e fortë me shën Gjon Palin II tek zgjedhja në fronin e Shën Pjetrit e më pas tek vendimi për të hequr dorë prej papnisë. Benedikti XVI flet edhe për Papën Françesku, duke shprehur habinë e pastaj gëzimin për zgjedhjen e tij, që tregon se Kisha është e gjallë, dinamike dhe jo e ngërthyer në skema të paracaktuara. Këtë e sheh si diçka inkurajuese.

         Perlat më të çmuara të librit, janë ndoshta dy, në Pjesën e Parë dhe në kapitullin e fundit të Pjesës së Tretë. E para është dëshmia mbi përvojën shpirtërore të Papës së nderit “në udhë për të shkuar pranë Zotit”, siç thotë vetë. Me tone të përvuajtura e tepër njerëzore, Benedikti XVI flet për misterin e Hyjit, për pyetjet e mëdha që e kanë shoqëruar jetën e tij shpirtërore, si prania e së keqes në botë. Na tregon si afrimi i pragut të vdekjes nuk e bën ta humbasë sigurinë themelore që i jep feja, në të cilën është dhe mbetet i zhytur krejtësisht. “Merret vesh, duhet të jemi të përvuajtur – shkruan – e nëse nuk i kuptojmë fjalët e Shkrimit Shenjt, duhet të presim që Zoti të na i zbulojë e të na i bëjë të kuptueshme për ne”.

         E perla e dytë është përgjigjja për arsyet e heqjes dorë nga papnia. Vendimi, thekson Benedikti XVI, nuk është marrë nën presionin e vështirësive, por pikërisht atëherë kur, në thelb, ato ishin kapërcyer. Pakësimi i forcave fizike dhe psikike është parë nga Papa i nderit si arsye e mjaftueshme për të hequr dorë nga përgjegjësitë e Mëkëmbësit të Krishtit, detyrim moral dhe normal, siç e konsideron Benedikti XVI, i cili e ka bërë këtë vendim më të lehtë edhe për pasardhësit.

         Të gjithëve atyre, që do ta marrin në dorë librin, u urojmë lexim të mbarë e të frytshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.