2016-09-08 13:47:00

Papa: takimet e mëdha nuk sjellin paqe, nëse zemrat janë në luftë


T’i kërkojmë Zotit “urtinë” për t’i bërë në paqe gjërat e përditshme, sepse nga gjestet e vogla, por të vazhdueshme, lind edhe mundësia për paqen në shkallë botërore. Ky qe mendimi, rreth të cilit e shtjelloi homelinë e vet Papa Françesku, gjatë meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në festën e Lindjes së Zojës së Bekuar, mesha e parë pas pushimeve verore.

Paqja nuk arrihet edhe aq në takimet e mëdha ndërkombëtare. Paqja është dhuratë e Zotit, që lind në vende të vogla. Në zemër, për shembull, nënvizoi Papa. Ose në një ëndërr, siç i ndodhi shën Jozefit, kur engjëlli i tha të mos kishte frikë e ta merrte për grua Marinë, sepse ajo do t’i jepte botës Emanuelin, “Zotin me ne”. E “Zoti me ne”, theksoi Ati i Shenjtë, është paqja.

Një dhuratë, për të cilën duhet punuar përditë

Liturgjia e sotme shqipton emrin e “paqes” që në fillim. Gjatë lutjes thuhet se “të gjithë ne mund të rritemi në bashkim e në paqe”. “Të rritemi”, e nënvizon këtë fjalë Françesku, sepse paqja është dhuratë, që përshkon një rrugë të caktuar, krejtësisht të vetën, të cilën duhet ta përshkojmë edhe ne, nëse e duam vërtet:

“E kjo udhë shenjtorësh e mëkatarësh na thotë se edhe ne duhet ta marrim dhuratën e paqes e ta bëjmë udhë të jetës, ta bëjmë tonën, ta fusim në botë. Paqja nuk arrihet nga një ditë në tjetrën; paqja është dhuratë, që duhet marrë e punuar çdo ditë. Prandaj, mund të themi se paqja është dhuratë, e cila bëhet diçka artizanale në duart e njerëzve. Jemi ne njerëzit, që çdo ditë bëjmë një hap për paqen: kjo është puna jonë. Është puna, që bëjmë me dhuratën e marrë: arrijmë paqen”.

Luftë në zemra, luftë në botë

 Por si mund t’ia arrijmë kësaj, pyeti Papa. Në liturgjinë e sotme, theksoi, ka një fjalë tjetër, që na ndihmon për këtë: vogëlsi. Është vogëlsia e Virgjërës Mari, lindjen e së cilës e festojmë sot, por edhe ajo e Betlehemit, vend “kaq i vogël, sa nuk paraqitet në hartat gjeografike”, perifrazoi Françesku Shkrimin Shenjt:

“Paqja është dhuratë, është dhuratë artizanale, të cilën duhet ta punojmë, çdo ditë, por në gjërat e vogla: në vogëlsitë e përditshme. Nuk mjaftojnë parrullat e mëdha për paqen, takimet e mëdha ndërkombëtare, nëse më pas, kjo paqe nuk arrihet edhe në gjërat e vogla. Madje, ti mund të flasësh për paqen me fjalë të shkëlqyera, të bësh edhe një konferencë të madhe… Por nëse në zemrën tënde të vogël nuk ka paqe, nëse në familje nuk ka paqe, në lagjen tënde nuk ka paqe, në vendin e punës nuk ka paqe, nuk do të ketë as në botë”.

Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes

Duhet t’i kërkojmë Zotit, sugjeron Papa, hirin e urtisë që të kontribuojmë për paqen çdo ditë, në gjërat e vogla, por duke pasur parasysh horizontin e gjithë njerëzimit, i cili, aktualisht, po përjeton luftën. Do të ishte mirë, përfundoi Ati i Shenjtë, t’i bëjmë vetes këtë pyetje:

“Si është zemra jote sot? A është në paqe? Nëse nuk është në paqe, para se të flasësh për paqen, sill paqe në zemrën tënde. Si është familja jote sot? A është në paqe? Nëse nuk je në gjendje të çosh përpara familjen, meshtarinë tënde, kongregatën, për të arritur paqen brenda saj nuk mjaftojnë fjalë të bukura për paqen në botë… Kjo është pyetja që dua të bëj sot: si është zemra e secilit prej nesh? A është në paqe? Si është familja e secilit prej nesh? A është në paqe? Kështu është, apo jo?… për të arritur paqen në botë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.