2016-09-05 15:09:00

Parolin: Shën Nënë Tereza e Kalkutës ishte “pasqyrë e dashurisë së Zotit”.


Shën Tereza e Kalkutës ishte “pasqyrë e dashurisë së Zotit”. Këtë pohoi kardinali Pietro Parolin në Meshën e falënderimit për Shenjtërimin e Nënë Terezës, kremtuar sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e mijëra besimtarëve, ndërmjet të cilëve spikati prania e Motrave të Bamirësisë. Sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri theksin mbi shembullin e Nënë Terezës, që u shqua për shërbimin ndaj të afërmit, Shenjtes që, në fytyrat e të varfërve dhe të ligështve, si fëmijët ende të palindur, shikonte fytyrën e Krishtit.

Sot pasdite, nga ora 16.00, deri në orën 18.00, besimtarët mund të nderojnë reliket e Shenjtores në Bazilikën e Shën Gjonit, në Lateran.

Turma nuk ishte aq e madhe, sa ajo e djeshmja, por ndjenja e mirënjohjes dhe e devocionit, ishte po aq e madhe. Në Sheshin e Shën Pjetrit u kremtua Mesha e falënderimit për Shenjtërimin e Nënë Terezës së Kalkutës. Misionaret e Bamirësisë hynë në Shesh të pritura me duartrokitje të stuhishme. Ishte shenjë falënderimi.  Falënderim, që u shpreh në shumë mënyra edhe nga kardinali Parolin, i cili e quajti “Dëshminë  heroike  të fesë” që dha Nënë Tereza, pasqyrë e pastër e dashurisë së Zotit e shembull i shkëlqyer i shërbimit ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj njerëzve më të varfër, më të lënë pas dore, më të braktisur: pasqyrë e shembull, nga i cili mund të nxjerrim mësime të çmuara e nxitje për të jetuar si dishepuj të mirë të Zotit, për të hequr dorë nga mefshtësia e nga kotësitë e për ta lënë veten në dorë të Krishtit, që të na kallë flakë me zjarrin e dashurisë së Tij:  

Nënë Tereza shikonte në të varfërin, fytyrën e Jezusit

Po, cili është “sekreti” i Nënë Terezës? - pyeti kardinali Parolin: ishte takimi me Jezusin, “thirrja në thirrje”, që e nxiti t’i vërë në jetë rrënjësisht fjalët e Zotit: “Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua”(Mt 25,40).

Nënë Tereza zbuloi në të varfërit fytyrën e Krishtit, që u bë i varfër për ne, për të na pasuruar me varfërinë e Tij (krh 2Kor 8,9). Ajo u bë shenjë  e mëshirës së ndritshme.  Dhe iu përgjigj dashurisë së tij të pacak, me një dashuri po aq të pacak për të varfërit. 

Kështu Tereza e Kalkutës – shtoi Kardinali Parolin - u bë shenjë e mëshirës së ndritshme. Mëshira për të ishte ‘kripë’ që i jepte shije çdo vepre, ishte ‘dritë’, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre:

Për Nënë Terezën fëmijët e palindur ishin më të varfërit ndër të varfër

Kardinali Parolin kujtoi, në vijim, mbrojtjen e palodhur e guximtare të jetës që lind, jetë e fëmijëve ende të pa dalë në dritë që, për Shën Terezën, ishin më varfërit e më të pambrojturit ndërmjet të varfërve:

“Vërtet, secili prej tyre varet, më shumë se çdo njeri tjetër, nga dashuria dhe nga kujdesi i së ëmës, si edhe nga mbrojtja e shoqërisë. I sapozëni në barkun e nënës nuk ka asgjë të vetën, çdo shpresë dhe nevojë e tij është në duart e të tjerëve. Mbart një projekt jete dhe ardhmërie e kërkon të pranohet e të mbrohet, për t’u bërë ai që është tashmë: njëri nga ne, të cilin Zoti e caktoi qysh prej amshimit për një mision të madh, ‘të dojë e të duhet’, siç i pëlqente të përsëriste shpesh Nënë Terezës”.

Prandaj ajo e mbrojti jetën e palindur akoma, me guxim, me atë çiltërsi fjalësh e vijimësi veprimesh, që janë sinjali më i shndritshëm i pranisë së Profetëve dhe i Shenjtorëve, të cilët nuk gjunjëzohen para askujt, veçse para të Gjithpushtetshmit, janë të lirë shpirtërisht, sepse njerëz me  zemër të fortë, që nuk përkulen para modave apo idhujve të çastit, por e shohin veten në pasqyrën e ndërgjegjes së shndritur nga dielli i Ungjillit.

Tek Nënë Tereza - rikujtoi Hirësia e Tij -   shihej binomi i lum e i pandashëm i ushtrimit heroik të dashurisë së krishterë dhe qartësia në shpalljen e së vërtetës, shihej veprimtaria e vazhdueshme, e ushqyer nga thellësia e kundrimit të Zotit, misteri i së mirës së kryer me përvujtëri e pa u lodhur, fryt i dashurisë, që “dhemb”.

 Ajo deshi të shkruhej në anglisht në çdo shtëpi të Kongregatës së saj, në anë të të Kryqëzuarit: “I thirst”, kam etje: etje për ujë të freskët e të kulluar, etje për shpirtra, për t’i ngushëlluar e për t’i shpëtuar nga shëmtimi i tyre e për t’i bërë të bukur e të pëlqyeshëm në sytë e Zotit; etje për Zotin, për praninë e tij të gjallë e shndritur. “Kam etje”: kjo është etja, që ia shkrumbonte fytin Nënë Terezës, kryqi dhe lartimi i saj, mundimet dhe lavdia e saj.

Drita e Nënë Terezës vijon ta ndriçojë botën

Kardinali Parolin e përfundoi homelinë duke e falënderuar Nënë Terezën, që vijon të jetë dritë për njerëzimin:

“Kur Nënë Tereza kaloi nga kjo tokë në qiell, më 5 shtator 1997, për disa çaste të gjata Kalkuta mbeti krejtësisht pa drita. Ajo, në këtë tokë, ishte shenjë transparente, që tregonte qiellin. Në ditën e vdekjes së saj, Qielli deshi ta vulosë jetën e shenjtes dhe të na komunikojë se një dritë e re ishte ndezur sipër nesh”.

Tani, pas njohjes zyrtare të shenjtërisë së saj, shkëlqen edhe më shumë, edhe më gjallërisht. Kjo dritë, që është drita e pashuar e Ungjillit, vijoftë ta shndrisë shtegtimin tonë tokësor dhe shtigjet e kësaj bote të vështirë!

Shën Tereza e Kalkutës, lutu për ne!








All the contents on this site are copyrighted ©.