2016-09-05 11:31:00

Kardinali Parolin: Nënë Tereza dashuri e pamasë për të varfrit


“Nënë Tereza ka zbuluar dhe njohur në të varfrit fytyrën e Krishtit, dashurisë së tij ajo u përgjigj me dashurinë e pamasë për varfrit”. Këtë nënvizoi kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në homelinë  e Meshës së falënderimit, kremtuar sot paradite në sheshin e Shën Pjetrit, për kanonizimin e Nënë Terezës, shpallur dje zyrtarisht Shenjte nga Papa Françesku. Të pranishëm në Meshën e falënderimi një numër i jashtëzakonshëm i Misionareve të Dashurisë – Motrave të Kongregatës që ka themelua Ganxhe Bojaxhiu, kryeipeshkvij e ipeshkvij nga Shqipëria, Kosova, Mali Zi, India. Postulatori i çështjes së kanonizimit të Nënë Terezës, atë Kolodijecuk. Po kështu janë të pranishëm shumë shtegtarë, ndër ta edhe shqiptarë, autoritete shtetërore e civile, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e personalitete tjera, ardhur nga vendet e ndryshme të botës.

“Shën Nënë Tereza – theksoi kardinali Parolin në homelinë e tij – është pasqyrë e qartë e dashurisë së Zotit dhe shembull i mrekullueshëm shërbimi ndaj të afërmit, posaçërisht ndaj njerëzve më të varfër, të mënjanuarve, të braktisurve: pasqyrë dhe shembull që na jep udhëzimeve të çmueshme e nxitje për të jetuar si dishepuj të mirë të Zotit, për t’u konvertuar nga vaktësia e nga mediokriteti, për të lejuar të gjithë të ndizemi nga zjarri i dashurisë së Krishtit”.

Kardinali Pietro Parolin kujtoi se “Nënë Tereza e quante veten ‘ një laps në duar të Zotit’: e sa poema të dashurisë, të dhembshurisë, të ngushëllimit e të gëzimit ka ditur të shkruajë ai laps i vogël”. Poema dashurie e përkëdheljeje për më të varfrit ndër varfër, të cilëve ua ka përkushtuar tërë jetën: Nënë Tereza ha hapur sytë mbi vuajtjen e njerëzimit dhe atë e ka përqafuar me vështrimin e dhembshurisë”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.