2016-09-04 08:50:00

Sytë e Nënë Terezës


Nënë Tereza, murgesha imcake mbante në prehër një njeri në grahma e dukej si Zoja e Dhimbshme e Mikelanxhelos, kur një gazetar deshi ta fotografonte. E kishin fotografuar me mijëra herë, gjë që asaj nuk i pëlqente aspak. E shpesh i shmangej. Ashtu si i shmangej bujës e zhurmës së shekullit. Po këtë herë djali i ri ishte tepër këmbëngulës. S’i ndahej. Nuk donte ta fiksonte të tërën në foto. Atë, që kishte mbetur vetëm një grusht me eshtra. E që, megjithatë, shikohej si gruaja më e pushtetshme e botës! Ndoshta këtë mendonte gazetari, që donte t’i përjetësonte vetëm sytë e saj. Sepse në ata sy shikonte rrjedhën e vrullshme të një jete të jashtëzakonshme. Shihte hendeqe, baraka, uri, mjerim, plagë, mort e jetë… S’ishin sy, ishin ekran, ku parakalonin skenat më tragjike të jetës…Prandaj ata sy duhet të ishin shuar tashmë nga lotët. Si mund të ishin ende ashtu, përplot me gëzim, kur në bebëzat e tyre qe mbledhur gjithë mjerimi i botës së madhe!? Si mund të shkëlqente në ta ajo dritë e posaçme, e pakuptueshme, e papërshkrueshme. Gazetari i shikonte e mendonte se ajo dritë mund të fiksohej vetëm në aparatin fotografik, por jo në letër. S’kishte lindur ende poeti, që mund t’i këndonte. E s’qe mprehur penda, që do të mund t’i përshkruante. Shkëlqimi i tyre e kapërcente dritën e mendjes njerëzore. Gazetari i ri donte ta kapte, me një të shkrehur të aparatit, shkëndijën e gëzimit, që ndizej në ato sy. Kur motra, që ishte aty pranë, ia përktheu Nënë Terezës çka priste gazetari, sytë e saj xixëlluan me një gaz foshnjor e tjetri e shkrepi me ngut aparatin një, dy, tri herë… “Sekreti është shumë i thjeshtë, sytë e mi nuk qajnë, sepse dora ime terë shumë lotë… Bëj edhe ti kështu - i tha gazetarit të ri - e atëherë nuk do të kesh nevojë t’i fotografosh sytë e mi, sepse do ta kesh dritën e tyre në bebëzen e syve të tu. E kjo do të jetë fotografia më e bukur që do të kesh bërë ndonjëherë!”. Ajo fliste e sytë vijonin t’i qeshnin.

E fotografi i ri i pavdekësoi në foto. Për t’ua lënë trashëgim të gjithë artistëve, që merren e do të merren me Shën Terezën e Shqiptarëve. Me këtë epitet do të dallohet në shekuj nga Shën Tereza e zjarrtë e Avilës, e Shën Tereza e Lisieux, me petalet e trëndafilave në duar.

E për t’u kujtuar:

“Nënë Tereza e kënduar me fjalë, e skalitur në mermer, e derdhur në bronx, e pikturuar me ngjyra, me sy që nuk i qeshin, si rrallë kujt, nuk është Nënë Tereza. Krishti vetë i qesh njerëzimit, me sytë e saj, për t’i kujtuar se “qesh mirë ai që qesh i pari - e i fundit!”. Ajo shkoi në shtëpinë e Atit qiellor, duke na lënë trashëgim sytë, ku qesh vetë jeta, që ajo diti ta presë, ta mbrojë e ta përcjellë nga toka - në qiell, si moskush.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.