2016-09-02 11:04:00

Fillon sot Jubileu i vullnetarëve dhe e veprimtarëve të Mëshirës


Të ngushëllosh një të sëmurë, ta vizitosh atë, t’u dhurosh një buzëqeshje dhe miqësinë vëllezërve me probleme fizike, të kalosh pak kohë me të burgosurit: këto janë disa vepra mëshire, që përshkruhen në një video, me të cilin promovohet në rrjetet shoqërore Jubileu i Mëshirës kushtuar vullnetarëve dhe veprimtarëve të kësaj fushe, që filloi sot në Romë e do të përfundojë më 4 shtator, me shenjtërimin e Nënë Terezës, misionare e Mëshirës në botë. Hashtagu i kësaj ngjarjeje është #BeMercy.

Ftesa e Papës Françesku u drejtohet të gjithëve, që secili të bëhet veprimtar mëshire me gjeste konkrete. Sot, Jubileu filloi nga ora 14.00, me pjesëmarrësit që shtegtuan gjatë kishave të ndryshme jubilare të Romës për të adhuruar Eukaristinë e për të marrë Sakramentin e Pajtimit, në mënyrë që më pas të jenë të denjë për të kapërcyer Portën Shenjte. Në program, gjatë këtyre ditëve, edhe vizita në kopshtet e Kështjellës së Shën Engjëllit, pranë Vatikanit, ku shoqata të ndryshme vullnetarësh paraqesin punën e tyre; pastaj, një itinerar me temë “Në gjurmët e shenjtorëve dhe të lumëve të mëshirës”, ku përfshihen 7 kisha të qendrës së Romës, në të cilat është e mundur të nderohen ata, që e kanë jetuar konkretisht mëshirën, si Shën Kamili de Lelis, shën Vinçenc Paloti apo shën Luigj Gonzaga.








All the contents on this site are copyrighted ©.