2016-09-01 09:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: operacioni i kardinalit Komastri


Në librin “Njoha një shenjtore”, kushtuar Nënë Terezës,  kardinali Angelo Komastri tregon diçka personale, që e lidh me misionaren e madhe të dashurisë.

         Më 11 nëntor 1993, kardinali rrëfen se bëri një ndërhyrje delikate në zemër për zëvendësimin e valvulës mitrale, e cila nuk funksiononte më, pas një infeksioni shkaktuar nga një granulomë poshtë një dhëmbi.

         Para ndërhyrjes pata frikë – shkruan në libër. Arrita të lidhem telefonikisht me Nënë Terezën e Kalkutës. Një murgeshë i përkthente fjalët e mia në anglisht dhe ia komunikonte Nënës e pastaj, po ajo murgeshë m’i thoshte edhe përgjigjet e saj.

         Më kujtohet se i thashë: “Nënë, një sëmundje e keqe më detyron t’i nënshtrohem ndërhyrjes në zemër. Kam shumë frikë: lutu për mua”.

         Nga ana tjetër e telefonit dëgjova qartas këtë përgjigje: “What a wonderful gift!”, që do të thotë: “Ç’dhuratë e mrekullueshme!”.

         Duke menduar se Nëna nuk e kishte kuptuar shqetësimin tim, ngula këmbë: “Nënë, a e morët vesh mirë çfarë ju thashë?”

         Përgjigjja që m’u dha është thesar, të cilin e ruaj përgjithmonë në zemër. Nënë Tereza më tha: “E kuptova fare mirë! Ke marrë një dhuratë të mrekullueshme: vërtet, je kaq afër kryqit të Krishtit sa, pa zbritur prej tij, Ai mund të të puthë. Rri i qetë: lëshoje veten në krahët e Jezusit dhe kërkoji Zojës të të japë qetësinë e vet. Ne do të lutemi për ty!”.

         I ngushëlluar nga këto fjalë, përballova qetësisht operacionin dhe gjithçka shkoi mirë.

         Por, pas ndërhyrjes kirugjikale, pata një problem: kisha marrë përsipër të kremtoja Eukaristinë në kishën e Shën Gjon Boskos në Romë, ku do të merrnin kushtet disa Misionare të Dashurisë. Mesha ishte vendosur për datën 7 dhjetor 1993! Saktësisht 26 ditë pas ndërhyrjes në zemër. A mund ta përballoja atë lodhje?

         Nëna më tha: “Eja! Zoja e Papërlyer do të të mbajë në duart e saj amnore. Eja!”

         Këto fjalë më jepnin besim, por, për të qenë i kujdesshëm, mendova se ishte e rastit të këshillohesha me kirurgun, që më kishte operuar. Më kujtohet se, i mrekulluar, më pyeti: “Sa ditë pas operacionit është mesha?” Natyrisht, kirurgut nuk i kujtohej data e ndërhyrjes. I gatshëm, iu përgjigja: “Profesor, janë 26 ditë”.

         Akoma e dëgjoj në vesh përgjigjen e kirurgut: “26 ditë? Po ju jeni i çmendur! Unë nuk duhej t’ju kisha operuar në zemër – më falni! – por në kokë! Mos e bëni këtë marrëzi!” E bëra. E gjithçka shkoi mirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.