2016-09-01 11:18:00

Kardinali Parolin: Nënë Tereza, samaritane e mirë


“Shenjtërimi i Nënë Terezës na kujton varfëritë e vjetra e të reja. Është, kështu, mesazh i drejtpëdrejtë për botën, në të cilën jetojmë”. Kështu e shpjegon sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një intervistë, kuptimin e ngjarjes më të pritur të Vitit Shenjt, përqendruar mbi Mëshirën, duke uruar që bota të gjejë tek jeta e “motrës së vogël të Kalkutës”, arsyen për të jetuar e për të shpresuar.

Më pas reflekton: “Ajo na mëson ta mposhtim indiferencën, siç shprehet Papa në ‘Misericordiae Vultus’, për t’ia ulur, kështu, kokën cinizmit. Na meson t’i hapim sytë, për të parë atë që ndodh rreth nesh, t’i hapim zemrat e duart, për të dhënë përgjigje konkrete. Nënë Tereza na kujton se e keqja më e madhe e botës është indiferenca ndaj të tjerëve.

Ditët fluturojnë e afrohet me shpejtësi festa e madhe e Shenjtërimit të mistikes së dashurisë së krishterë, që do të lartohet në nderimet e elterit më 4 shtator, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e Papës Françesku e të Zojës së Lëmoshës, Pajtore e Katanies. Kisha e botës mbarë e ndjek me shumë vëmendje këtë çast, në të cilin vetë varfëria, përmes njerëzve të fundëm, do të ulet tek këmbët e elterit, duke gëzuar një mbrojtje krejt të jashtëzakonshme.

Mendoj - vijon Prelati i lartë - se domethënia e kësaj ngjarjeje të madhe  është pikërisht të vihet Mëshira në qendër të jetës së çdo të krishteri e të dëshmisë së tij, e kjo të bëhet jo përmes fjalimeve abstrakte ose koncepteve teorike, por duke ndjekur shembullin konkret të një Gruaje,  që i jetoi mëshirën e dhembshurinë në çdo çast të jetës së saj. Thuhet, me të drejtë, se Nënë Tereza është ikona e samaritanit të mirë, e ky është koncept shumë i rëndësishëm, sepse shërbimi dhe angazhmi i saj lindën nga dashuria për Jezusin dhe nga pjesëmarrja me gjithë zemër në mundimet e Krishtit, që përsëriten në mundimet e gjymtyrëve të Tij.

Kardinali Parolin fton të njihet mirë përvoja e Nënë Terezës, duke e parë si samaritane e mirë, që përkulet mbi çdo njeri të vuajtur, mbi të gëbulurin, të braktisurin, të varfërin më të varfër. E kujtoj gjithnjë thirrjen e Nënë Terezës për ta jetuar ti vetë i pari mëshirën – pohon kardinali Parolin - pa pritur ta bëjnë të tjerët e për ta kthyer në figurën e pikës së ujit në oqean. Pikë që i shtohet ujit të pafundmë, për dashuri. Gjë tepër e vogël, një pikë, por që mungon në pafundësinë e ujit. Një pikë e vogël, por që e pasuron a e varfëron oqeanin. Me këto fjalë e përmbledh bamirësinë e “Lapsit të vogël në dorë të Zotit” kardinali Parolin, duke  nënvizuar se çdo i krishterë duhet të impenjohet drejtpërdrejt e personalisht sepse mesazhi i Nënë Terezës është ky: “Zoti na dha një zemër, që duhet për të dashur, e na dha edhe dy duar, që duhen përdorur për t’u shërbyer të tjerëve”.

Vetë shenjtërimi i Nënë Terezës është mesazh, që i drejtohet botës së sotme, sepse radhitet përsosurisht në zemër të Vitit Shenjt e të një realiteti problematik, si ky i botës sonë. Prej këndej, përfundon kardinali Parolin, tingëllon si thirrje për mëshirë, në këtë botë kaq të copëzuar. Është thirrje, që bota të gjejë arsyen për të jetuar e për të shpresuar. Përballë të gjitha situatave të konfliktit, përballë mjerimeve e plagëve të njerëzve të varfër - vëren  sekretari i Shtetit të Vatikanit - Kisha edhe një herë fiton një vetëdije më të madhe në këtë pikë  e propozon ilaçin e mëshirës, për një epokë të re, në të cilën njerëzit në nivel shoqëror e politik, të mund ta përdorin këtë ilaç kundër  sëmundjeve të shumta, nga të cilat vuan bota e sotme.








All the contents on this site are copyrighted ©.