2016-09-01 14:12:00

Françesku: ruajtja e ambientit është vepër mëshire


 Të dëgjohet britma e Tokës, të dëgjohet britma e të varfërve. Këtë kërkon Françesku në mesazhin për Ditën Botërore të lutjes, me karakter ekumenik, për kujdesin ndaj Krijimit, themeluar nga Papa më 10 gushtin e kaluar. Ati i Shenjtë nënvizon se është e nevojshme kthesa ekologjike, që niset nga pranimi i mëkateve tona kundër Krijimit. Prej këndej, propozon një “vepër të re mëshire”, “kujdesin për shtëpinë e përbashkët”.

Është koha të ndërrojmë rrugë, ta mbrojmë Tokën, shtëpinë tonë të përbashkët! Kjo, thirrja e Papës Françesku që, në mesazhin e tij për Ditën e Krijimit, nënvizon sidomos se të gjitha  bashkësitë e krishtera, njëherësh me fetë e tjera, duhet t’i ndajnë bashkë shqetësimet për ardhmërinë e planetit.

Të gjitha bashkësitë e krishtera të angazhohen në mbrojtje të ambientit 

Papa citon posaçërisht angazhimin e Patrikut ekumenik Bartolomeu. Prej këndej, pohon se vuajtjet, që trondisin të varfërit, lidhen ngushtë me shkretimin e ambientit. Ja pra pse, nënvizon, duhet të jemi të bashkuar e të tregohemi të mëshirshëm ndaj shtëpisë sonë të përbashkët. E vëren: “Nuk mund të dorëzohemi përballë zvetënimit të ambientit, që shpesh shkaktohet nga sjelljet tona të papërgjegjshme dhe egoiste”. Françesku thekson në mënyrë të veçantë problemin e madh të mbingrohjes së globit, duke kujtuar se ndryshimet klimaterike janë shkaktare edhe për krizën e rëndë të emigrimeve të detyruara.

Kur e keqtrajtojmë tokën, keqtrajtojmë edhe të varfërit

Kur e keqtrajtojmë natyrën - shkruan Papa – e keqtrajtojmë edhe njeriun. Françesku pohon se aktet e shkatërrimit të shtëpisë sonë të përbashkët, janë mëkate kundër Zotit e kundër vetvetes. Prej këndej, ftesa e Françeskut për t’i pranuar mëkatet tona kundër Krijimit, sepse vetëm kështu mund të bëjmë hapa konkrete në udhën e kthesës ekologjike, që kërkon të jemi të vetëdijshëm ndaj përgjegjësive tona. Rrëmim të ndërgjegjes e pendim, kërkon Papa e kujton se edhe në Vitin Jubilar 2000, Shën Gjon Pali II i pati ftuar katolikët t’i pranojnë fajet e mëkatet e shumta, që bënë në rrjedhë të historisë. Ftesë që, pohon Françesku, vlen edhe për këtë Jubile të Mëshirës. Duhet të pendohemi – pohon - për dëmin, të cilin vijojmë t’ia bëjmë Tokës sonë.

Një vepër e re mëshire

Françesku e propzon “kujdesin për shtëpinë e përbashkët” parë si “vepër e re mëshire”, për t’iu shtuar dy listave tradicionale të shtatë veprave të mëshirës. Si vepër mëshire shpirtërore – shpjegon - kujdesi për shtëpinë e përbashkët kërkon “kundrimin plot me mirënjohje të botës”, ndërsa si vepër mëshire trupore, “gjeste të përditshme, me të cilat i kundërvihemi logjikës së dhunës, të shfrytëzimit, të egoizmit”. Duke parë aktualitetin ndërkombëtar, Papa kërkon të ndërrohet rruga, të hiqet dorë nga mosbesimi, sipas të cilit, gjestet tona janë tepër të vogla për ta përmirësuar botën”.

Jo, ekonomisë së sunduar nga përfitimi, impenjim për të mirën e përbashkët

Ati i Shenjtë kërkon të ndryshohet stili i jetës, me bindjen se ekonomia dhe politika, shoqëria dhe kultura, nuk mund të sundohen nga mendësia e afateve të shkurtra e as nga kërkimi i përfitimeve financiare dhe elektorale. Duhet të riorientohemi ngutshëm në drejtim të së mirës së përbashkët, që përfshin zhvillimin e qëndrueshëm dhe kujdesin për Krijimin. Një rast konkret, lexohet në mesazh, është ai i borxhit ekologjik ndërmjet Veriut e Jugut të botës, që kërkon mbështetjen reale të vendeve të varfëra. Për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm, Papa nuk harron të vlerësojë Marrëveshjen e Parisit mbi klimën dhe miratimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. E, në përfundim, pohon se jo vetëm qeveritë duhet t’i respektojnë këto marrëveshje, por edhe qytetarët duhet të kërkojnë që të respektohen, madje të synohet në objektiva gjithnjë më ambicioze.








All the contents on this site are copyrighted ©.