2016-08-31 14:24:00

Papa, kardiologëve: mjekim për të gjithë, pa keqpërdorur ligjet e natyrës


Kujdesi i mjekëve t’u arrijë edhe të varfërve: këtë u kërkoi sot Papa Françesku kardiologëve të mbledhur në Kongresin e tyre në Romë. Ishte dita e fundit e takimit vjetor, organizuar nga Shoqata Evropiane e Kardiologjisë, në të cilin morën pjesë 35 mijë specialistë nga 140 vende të botës.

“Prania juaj këtu është një rreze dielli, shpresë që shndrit udhën”, i tha Atit të Shenjtë administratori unik i Panairit të Romës, ku zhvillohej kongresi, Pietro Piccinetti. Duke pasur parasysh punën e kardiologëve, ai e quajti Papën “mjeshtër i zemrës” dhe e falenderoi për praninë nga thellësia e zemrës apo “corazon”, siç quhet në spanjisht. E pikërisht nga simbologjia e zemrës u nis Ati i Shenjtë, për t’u thënë kardiologëve:

“Ndër duart tuaja kalon qendra pulsante e trupit njerëzor, prandaj përgjegjësinë e keni të madhe! Jam i sigurt se kur gjendeni para këtij libri të jetës, që ka akoma faqe për t’u zbuluar, ju i afroheni me drithërim e ndjenjë respekti”.

Feja dhe arsyeja

Edhe unë, u tha Papa kardiologëve, kam kaluar nëpër duart e disave prej jush. Kisha, vijoi, i jep rëndësi të madhe punës kërkimore-shkencore për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Natyra, me gjithë ndërlikimet e saj, si edhe mendja njerëzore, janë krijesa të Zotit. Studiuesi duhet t’i shqyrtojë me vetëdijen se kjo punë kërkimore, përmes zhvillimit të shkencës e kujdesit për më të brishtët e të sëmurët, është shërbim i rëndësishëm, që bën pjesë në planin hyjnor, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“T'ia hapësh zemrën hirit të Tënzot, përmes fesë, nuk e lëndon mendjen, përkundrazi, e nxit atë të shkojë përpara, drejt njohjes më të thellë të së vërtetës, më të dobishme për njerëzimin”.

Të shihet njeriu në tërësinë e tij

         Por edhe shkencëtari, vërejti Papa Françesku, nuk është asnjanës, pasi ka një histori, një mënyrë të vetën të të menduarit, fryt i formimit dhe i jetës personale. Prandaj, theksoi Ati i Shenjtë, të gjithë e kanë të nevojshme një lloj spastrimi, që i largon helmet e botës nga arsyeja, e cila, pas kësaj, është në gjendje të shohë më thellë në thelbin e gjërave. Edhe njohuritë shkencore zgjerohen duke i dhënë përgjigje pyetjeve themelore mbi zanafillën dhe qëllimin e fundëm të realitetit, përfshirë atë njerëzor:

        “Megjithatë, vetëm shkencat, natyrore e fizike, nuk mjaftojnë për të kuptuar misterin, që mban në vetvete çdo njeri. Nëse e shohim njeriun në tërësinë e tij – më lejoni të ngul këmbë në këtë temë – mund të përftojmë një vështrim me intensitet të veçantë për të varfërit, për nevojtarët e të mënjanuarit, që edhe atyre t’u arrijë kujdesi juaj, së bashku me asistencën dhe vëmendjen e strukturave shëndetësore publike dhe private. Duhet të luftojmë të mos ketë ‘hedhurina’ në këtë kulturë të hedhurinave, që na propozohet”.

Të mos keqpërdoren ligjet e natyrës

         35 mijë kardiologët diskutuan këto ditë për parandalimin e sëmundjeve të zemrës, shkaku i parë i vdekjeve në botë: që nga lufta kundër armiqve të zemrës si duhani dhe moslëvizja, tek rëndësia e farmacive për shpëtimin e jetës dhe tek të mirat e dietës mesdhetare. Mjekëve, Papa u kujtoi se pa dyshim, kontribuojnë në shërimin e një trupi të sëmurë, por nuk duhet të harrojnë se natyra ka ligjet e saj, që askush nuk mund t’i keqpërdorë, por vetëm t’i zbulojë e t’i përdorë “që jeta të përkojë gjithnjë e më shumë me ndjetin e Krijuesit”:

         “Prandaj, është e rëndësishme që njeriu i shkencës, ndërsa matet me misterin e madh të ekzistencës njerëzore, të mos e lerë veten në dorën e tundimit për t’ia marrë frymën së vërtetës”.

“Cross Love”, skulptura në mermer, dhuratë për Papën

         Me kërkesën e fundit të Papës që kujdesi i mjekëve t’u sigurojë të gjithëve lehtësimin e dhimbjeve, një jetë më cilësore dhe shpresë, si edhe me notat e “Ave Maria” të kompozitorit argjentinas Astor Piazzolla, përfundoi takimi i Atit të Shenjtë me kardiologët. Papës iu dhurua një stetoskop dhe një kryq i përbërë nga zemra të realizuara sipas modelit të “emoticon”-eve, që përdoren për të shprehur emocionet në rrjetet shoqërore. “Cross Love”, skulptura në mermer e realizuar nga artisti italian Michele Chiossi, simbolizon shkencën, që bëhet shërbim e dashuri për njerëzit.








All the contents on this site are copyrighted ©.