2016-08-31 14:44:00

Deklaratë fetare amerikano-iraniane në mbrojtje të jetës e kundër terrorizmit


Të punohet për kulturën e takimit, të tolerancës, të dialogut e të paqes, duke respektuar traditat fetare të njëri-tjetrit. Këtë kërkojnë ipeshkvijtë e SHBA-ve dhe krerët fetarë të Iranit në një deklaratë, ku e quajnë “të pamoralshëm” prodhimin dhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Deklarata ndjek takimin e zhvilluar në Romë, nga data 5 deri më 10 qershorin e këtij viti, me qëllim krijimin e kanaleve të dialogut të vazhdueshëm ndërmjet katolikëve amerikanë dhe krerëve fetarë iranianë. Në veçanti, u fol për parimet etike të përbashkëta, sidomos përsa i përket mbrojtjes së jetës, përdorimit të armëve dhe terrorizmit.

Kreu i Komisionit ipeshkvnor amerikan për Drejtësi e Paqe, ipeshkvi i Las Cruces, Oscar Cantù, nënvizon se deklarata “është fryt i dialogut të sinqertë ndërmjet dy feve, të bashkuara në fushën e mbrojtjes së jetës e të dinjitetit të njeriut. Së bashku, impenjohemi të krijojmë dialog për çështjet më urgjente të familjes njerëzore, si varfëria, padrejtësia, intoleranca, terrorizmi dhe lufta”.








All the contents on this site are copyrighted ©.