Mbushen sot, 30 gusht, 14 vjet nga dita kur Atë Daniel Gjeçaj (Theth, 14 tetor 1913 - Romë, 30 gusht 2002) ndërroi jetë në Spitalin e Zemrave Shenjte të Krishtit e të Zojës, në Romë. Në prag të shenjtnimit të Nënë Terezës, po e kujtojmë me një faqe nga proza e tij, në të cilën pikturon me ngjyra të gjalla portretin fizik e shpirtëror të Asaj, të cilën e quan:
“HYJNESHA E RRÂJËS SONË”
Për të kuptue të vorfninë, duhet me e provue në lëkurë tande vorfëninë!
NANA TEREZË
Shën Françesku i Asizit po kthente nga pylli, ku ishte largue për t'u lutë në vetmí. I del para Fra Maseu, të cilin Shenjti e donte posaçe të tjerëve. Dishepulli don të provojë përvûjtninë e mësuesit. E pvetë, prandej, me bindje e sherrí të pafaje: "Si spjegohet që tanë bota vjen mbas tejet? Pse gjithkush të ndjek mbrapa, gjithkush të shikjon vetëm ty? Pse të tanë dishrojnë me të pá, me ta veshtrue fjalën, me t'u bindë ty? Ti, në fund të fundit, as jé i hijshëm për kah trupi, as s'zotnon ndonjë dije të veçantë, e as jé dere bujare. Si âsht puna, atëherë, që mbas tejet rrânë tanë bota?".
Pvetjen e fratit të "Fioretti", mbas shtatë shekujsh e gjysë ia bân sot bota mbarë një grueje së shtyme në mot, të cilën as s' e dallon hijeshia, as s'e nalton dija, as s'e veçon kunora mbretnore, e as s'e shquen dera fisnike. S' âsht "First lady", që takohet me presidenta e kryetár shtetesh. Shumë-shumë me thanë, ndër sá janë të kushtueme Zotit, e shquen një petk, që s' âsht evropian. Në vend të "Oscar" bán, në anën e majtë, një kryq të thjeshtë, të varun gati në sup.
"Bolshoi" i sajë âsht bota, "H'ollywood", barakat e ma të vorfënve ndër të vorfën; "tribunë", shtrati i atij që s' ka shtrojë as mbulojë.
Kush âsht kjo grue?
Një grue e thjeshtë. Një virgjineshë, si tana virgjineshat. Një figurë, në të pám dy pare njeri. Shpirtnisht e në veprimtarí, e jashtzakonshme: krejt ndryshe prej grave të tjera.
Me shtat ma fort e vogël se sa e hjedhtë: e hajshme trupit dhe e thatë në fëtyrë, porsi asktetët e dikurshëm pendestarë. Profilin klasik dhe të pamit tipik të genit iliro-arbënor: me zigom të theksuem, báll të shpërvjelun, edhe pse të mbuluem prej velit, të marrun uhá nga gratë e vorfna indiane. Hundën të dukshme, por jo jashta kodit të përpjestimeve klasike të fëtyrës. Gojën e mjekrën në harmoní me tiparet tona. Në lëkurë, tashma të pjekun, ma fort se rrudhat e vjetëve, bán hullitë e vuejtjeve e të kujdeseve, të cilat kanë thadrue në tê gjurmët e një jete përplot me lufta, provë e fitime. Kush e shikjon për së afërmit, ka përshtypjen se ka të bâjë ma fort me një grue mashkull, se sa me një femën. Çka e bân tërhjekëse ketë figurë, janë posaçe sytë dhe shprehja e fëtyrës. Në to kryqzohen, pa bjerrë identitetin e vet, forca e butësia, qindresa e ambëlsimi, burrnia e delikatesa, personaliteti i palakueshëm e përvûjtnia e thellë. Buzëqeshja e sajë ia kalon njomësisë së fëmisë së pafaj: refleks i shpirtit të sajë të pastër. Sytë e sajë, në riní si filxhani, tash dy gaca bungu, të venduem paksá në gropë po, por të gjáll e të shndritshëm posi dy hyj drite në terr të natës. Kur të shikjon me vemendje, duket sikur nga ato sy-xhixha shpërthejnë rreze X, që depërtojnë zemrat e atyne, më të cilët pushojnë. Ndërkaq zhdukin mjegullën, me të cilën çdo njeri kërkon të mbulojë sekretet e veta personale. Në buzë të saja, tashma të teruna e me vija, pa ia përçudnue gojën, dikúr si kutí, pushon gazi foshnjuer e gëzimi, buzëqeshja e ambëlsimi, pafajnia e të pafajit e dashtënia e nanës.
E shkathtë në të ecun, thue se vjetët i ka lanë në Indí e s' ia numron kush. Kur nget kah të vorfënt, 75-shin e ndërron me 25-së; kur drejtohet kah tribuna e nderit, kah personalitetet e larta të botës, që duen me e nderue, bâhet hije dhe, gati si e tretun në mendime tjera, të ep me kuptue se s'i kujtohet aspak brohorive, as zhurmës, që e rrethojnë. E thotë ajo vetë: "Atëherë mendoj se sa e vogël jam para Zotit të madh". Kur flet - ndodhi kjo në ma të madhin shkamb të njerëzimit - para përfaqësuesve të botës në OKB apo para Papës; në praninë e udhëheqsave të popujve apo në "salla" të universiteteve; në "forum" të çmimit "Nobel" apo në kongrese botnore, ajo ka gjithmonë fjalë që të prekin zemrën, të trandin shpirtin, të bâjnë me hy në veti dhe me mendue seriozisht. Nuk din oratorí, nuk kërkon fjalë as fraza të zgjedhuna, nuk bieret mbas filozofisë së thatë, as don diplomací, s' pranon të marrë as të japë lajka. Kur i takon të flasë e papërgatitun, për një të imtë bashkon duert, përkul paksá kryet, mbyllë sytë e heshton: mandej flet e vendosun, tue përdorë fjalorin e Ungjillit, stilin e Shën Gjonit ungjilltár. E pvetën një herë gazetarët për kureshtë: "Pse, Nana Tereze, para bisedave tua heshton për një ças, si të dojshe me mendue mbi çka don me folë? Përgjegji: "Lutem që Shpirti Shenjt të vêjë në buzët e mia fjalët, të cilat Atij i pëlqejnë".
Kushdo që e takon ketë grue, besimtár a jo, mbetet i prekun nga një lloj fluidit, që del prej sajë. Me e takue, të bân për veti; me e njohtë, të detyron me ndërrue jetë apo, s'pakut, të lên me gojë hapët, me zemër pezull dhe me rreshk për të pí në gurrën e jetës, ku ajo shuen etjen.
Kush âsht Nana Tereze?
Me gjak e trung shqiptare; me petk e nënshtetësí, indiane; me zemër e dashtëní botnore: me shpirt, mend e fuqí, e kushtueme kambë e krye Krishtit. Kështu e cilësoi vetvetin ajo, të cilën bota sot e çmon e e mba si nanën e njerëzimit të pa-nanë.
Lindi e muer shtat në një familje patriarkale, si ato motit, me gjak, doke e ndjenja thjeshtë shqiptare. Prej babës, edhe pse mund të thomi, në vjetë të tamblit - ishte tetë vjeç, kur i diq i jati - trashigoi karakterin burrnuer, dashtëninë për të vorfën, prirjen për dije e arte, nisiativën dhe vendosmëninë për ta përballue jetën.
Nana "loke" - kështu e quejti gjithmonë me nderim të amën - sbashkut me gjí të krahnorit, i mëkoi "Ganxhes" - me ketë emën e thirrën prindja për të parën herë në Pagëzim -fisnikinë e grave tona të dikurshme, ndjeshmëninë e delikatesën e femnës, vetmohimin e pazhurmë, njerëzinë e spikatun e, mbi të gjitha seriozitetin moral, të shortuem harmonisht me gëzim, buzëqeshje e gjallsí tërhjekëse, tanë jetë e humor.
Si tata, si nana e rritën çikën në frigë të Zotit e në fé të gjáll. Prej këtyne mësoi të çmojë mbi të gjitha pasunitë e botës - vlerat shpirtnore, mësoi me ruejtë pastrinë e zemrës dhe me mbajtë përherë gëzimin e pafajnisë. Këndej, në gjuj të babës u rrit burrneshë; në prehën të nanës, thithi dashtëninë si nanë e mësoi me u lutë si Engjull.
Nga Maqedonia gjeografike, tashma e pjekun, ma fort në gjykim se në moshë, preku Indinë, jo si Leka i Madh, për ta nënshtrue me armë, por si vajzë në ma të mirën stinë të jetës, për t'i shërbye. Atje larg, e hupun, atëherë kur ndër né shqiptarët besohej se kush shkon në anë të botës, s' kthen ma, e bija e Bojaxhiut treti për të kërkue njeriun e tretun e për të gjetë, kështu, Zotin.
Vajzë tregtari, si Shën Françesku i Asizit, zgjodhi vorfëninë në vend të mirave tokësore, ndigjesën në vend të vullnesës së vet, pastrinë në vend të andeve, edhe pse të ligjshme. Në kohë kur femna mendon me u bâ nanë, ajo dau të jetë nanë për foshnje të pa-nana, të bâhej motër, për njerëz të pa-emën; vendosi të bâhej samaritane për të braktisun e të harruem. Për ketë qellim i kushtoi Zotit duert, për me lidhë varrët e të gërbulunve, që s' kanë duer; i kushtoi kambët, për me xevendësue kambët e të paralizuemve nga sëmundja a nga ûja; i kushtoi zemrën, për t'u dhânë zemër atyne, që s'kanë ma shpesë; i kushtoi buzët e gjuhën, për t'i gëzue me një buzëqeshje nane, për t'i përkdhelë me zâ motre ata, që dashtë a pa dashtë, kur jeta âsht kah u shkimbet, thërrasin me të mbramen fije zâni: nanë! - apo për t'u pëshpëritë me ambëlsí engjullore në vesh një fjalë ngushëllimi; i fali prehnin e dhanat e krahëve Krijuesit, për t'iu bâ jastek atyne, që për nënkrejcë kanë tokën e thatë apo plehun e rrugave, për t'i mbajtë kryet me njënin krah e për t'i dhânë me tjetrin një hurbë ujë atij që, në zjarmí rektimi, shkrumbohet si prushi i djegun.
Nana Tereze u bâ misionare, posá kuptoi se Zoti e thirrte në shërbim të vorfënve. Provania hyjnore e drejtoi sherbëtoren e vet kah Azia e largët.
Hyni në radhat e motrave irlandeze të Loretos, tue kujtue se mësimet e kultura, rritja e moshës së ré e përparimi, do të mjaftojshin për me përhapë dritën e Ungjillit ndër ata, të cilët ma fort se me sende, ishin të vobegtë me të vërteta. U dha me shpirt e pa kursim mbas mësimeve: mësuese, profesoreshë, drejtore. Dishronte gjithnjë diçka ma tepër, edhe pse në Loreto i pëlqente gjithçka. Ndiente në zemër një golle. Diçka nuk ishte plotësue. Diçka i mungonte. Ishte një mungesë e cila, simbas mendimit të sajë, vinte nga që nuk i mungonte kurrgjâ. Lypi prej Gurrës së Dritës dritë, e drita i erdh.
Mbi thirrjen e parë tashti ndjeu kjartë thirrjen e dytë, përfundimtare. E para i kushtoi shkëputje nga gëzimet ma shenjte të familjes e të shoqnisë, nga planet e rinisë për një të ardhme të lume njerëzore; e dyta i ngarkoi, si Jahvehi Abramit, shpresë të ngultë, gati qorre, në Atê, që e thirrte kundër çdo shprese njerëzore. Ma vonë ajo vetë do të pohonte: "Dita e realizimit të kësajë thirrje, për mue ka kenë zgidhja ma e vështirë e jetës seme". S' mendoi dy herë.
La vorfëninë e motrave të Loretos, për të rrokë vorfëninë picake të kryqit. Shëndrroi menjëherë velin e ngrimë në kole e petkun e gjanë, të premë me masë, të deriatëhershëm dhe veshi "sarin" e grave të vorfna indiane. Hoq kundra e çarapë dhe shtini në kambë të paçarapë, sandalet e thjeshta të atyne, që për të mbathuna kanë lëkurën e bâme shuell. "Për të ndjekë Krishtin - tha - duhet me u zdeshë prej gjithça âsht tepër. Për të kuptue të vorfninë - mendoi - duhet me e provue në lëkurë tande vorfëninë".
Duel nga kuvendi me pesë "rupie" në strajcë: pa shtëpí të dijtun, pa pullaz të ngrehun, pa strehim të caktuem, pa mbroje të sigurtë, pa ndihmën e njeriut të gjáll. E vetmja ndihmë: Zoti. I vetmi qellim, vullnesa e tij hyjnore.
Eci atë ditë, të parën ditë, gjithë ditën, për të gjetë vend ku me u strukë, për të gjetë shtrat ku me i pushue brîtë. Atëbotë kuptoi, jo ma në teorí, por në realitet, se çka don me thanë me kenë banor i rëndomtë rrugash, mik i padishrueshëm strehësh e stacionesh, pa bukë në bark, pa petk në shtat, pa shtrojë, pa mbulojë.
Nuk ishte i lehtë për asnjerí e, aq ma pak për një grue, një vendim i tillë kaq radikal.
Iu bâ krah në ketë rasë hiri i Zotit. I viejti më ketë hap vendimtár, karakteri i shqiptarit: me kthye mbrapa âsht ligështí ma e madhe, se sa mos me ia nisë aspak.
Ndoshta ma kjartë se kurr iu kujtuen atëbotë fjalët e s'amës fisnikeshë e cila, tue e marrë ngrykë për të mbramen herë, kur kjo si Ganxhe u nis për murgeshë, i pat thanë me lot në sy e dihamë në zemër të coptueme: "Mirë, bij-o, shko ku të thrret Zoti, por të jeshë vetëm e Krishtit!". Prap, besoj unë, i ranë në mend fjalët plot kuptim të "lokes", atëherë kur vajza, tashma Motra Tereze, por endè jo Nana Tereze e Kalkutës, e lajmoi se ishte zgjedhë drejtoreshë shkolle: "Ké shkue atje për të vorfën e jo për të mësue të pasunt!".
Në ketë dritë eci e ecë edhe sot.
Gjithmonë, edhe sa kje vajzë në Shkup, desht me bâ shumë e me u njehë pak. Kurr s'i shkoi në mend se ishte posaçe të tjerave, se ishte punë e madhe. Përkundra, e mbajti vetin të vogël e të pa farë randësie. Vlente para Zotit e para vetit, aq sa vlente për të tjerë, aq sa u vlente të tjerëve.
Kur veshi për herë të parë petkun si murgeshë dhe u lidh me kushte rregulltare, lypi të thirrej me emën të Terezës së Lisieux. E atëherë "Ganxhja" shpërthei në "drandofille" shpirtënore. Shihej që në fillim se rishtarja i vênte vetit si program jete, me mbetë përherë e vogël: e vogël, për të krye punë të mëdhá. Në vend të pendesëve të mshehta e vetmohimit karmelitan, ndonësè as këto s'i munguen, Tereza jonë iu kushtue dashtënisë së pashperblim, dashtënisë e cila sheh e e don Zotin në kreatyrë, pa e bâ kreatyrën Zot, as kretatyrën shperblim. U mundue me harrue vetin, për mos me harrue të tjerët.
E kur bota, ma vonë, pau në Nanë Terezën, ashtu si sheh edhe sot, bamirësen e njerëzimit dhe si të tillë desht ta nderojë, ajo mendoi se s'e kishin me tê, por me të vorfën, të gërbulun, të braktisun, të dënuem për dekë. Ajo ishte vetëm përfaqësuese e tyne, pa tjetër të drejtë.
Për këta të mjerë, zâ i të cilëve ishte e âsht, mendoi, kur autoritetet ma të nalta indiane, filipine, amerikane, angleze, italiane e kujtuen me çmimet ma të njohtunat e qeverive të tyne. Deri te çmimet e Vatikanit e te Çmimi Nobel - e para në analet e Popullit Shqiptar, që e meritoi ketë titull. Ia suell të vorfënve namin, kunorën, lumninë, vlerën, meritimin.
Pat thanë një ditë, tue iu lutë Zotit, ashtu si din me u lutë ajo: "Në se s' mund t'u ndihmoj të vorfënve, të mjerëve, të sëmuetve, bân, o Zot, të des së bashku me ta, brî tyne, për t'u dishmue, me të mbramen fije të jetës seme, dashtëninë tande".
Kush âsht Nana Tereze?
Âsht nana e bijave, që ajo lindi me ideal, me shembull, me dashtëní. U bâ nanë e shumë nanave, që si ajo, do t' u bâjshin nana të atyne, që s'kanë nana. Iu kushtue virgjinisë së Ungjillit e në virgjiní, lindi virgjina. Iu true vorfënisë e në vorfëní shumoi radhat e të pasunave, që pasuninë e ruejnë aty ku s' brén ndryshku as s' mizatë têja, aty ku s' ka krizë as deshtim. Iu kushtue njerëzimit, e njerëzimi i fali të rij e të reja, që me tê vendosën me iu falë njerëzimit. Iu kushtue të mjerëve e tërhoq mbas vetit qinda e qinda të lumesh, që lumninë e gëzimin e kërkojnë ndër të mjerë. Iu kushtue pendesës - "unë e motrat e mia do të hamë vetëm oriz e krypë" - e uratës e në pendesë e të lutuna formoi kore Engjujsh në trupën njerëzish, të veshun në "sari", që me gëzim në zemër e gaz në buzë çojnë gëzime aty, ku mbretnon mjerimi; çojnë paqë aty, ku kërcnon disprimi apo kthejnë në kopshte Parrizi, kur luten, rrgostat e kishëzave të tyne të pastolí.
Kush âsht Nanë Tereza?
Për hinduista, besnikë të Sch'iwa-s, âsht hyjnesha "Kali" nën trajtën njerëzore; për botë tjetër, âsht personifikimi i dashtënisë së krishtenë; për né, shqiptarët, âsht ndera e Kombit e lumnia jonë!1
_____
1 Marrë nga dorëshkrimet e Atë Danielit, nënshkrue me pseudonimin "Pal Duka-Gjini". Âsht e botueme te "Lule për Nanën"(“Drita Ferizaj dhe KS Zagreb 1986, fq 15-158)- përmbledhje e krijimeve të një konkursi për Nanë Terezën, në të cilin fitoi çmimin e parë ndërmjet shkrimeve të paraqituna në prozë dhe në At Daniel Gjeçaj, Vepra 1, 2012, Botime Françeskane, Shkodër.
All the contents on this site are copyrighted ©. |