2016-08-30 14:36:00

Papa: të enjten, mesazhi për Ditën e kujdesit ndaj Gjithësisë


Do të publikohet të enjten, më 1 shtator, Mesazhi i Papës Françesku “Të kemi mëshirë për shtëpinë tonë të përbashkët”, me rastin e Ditës Botërore të lutjes për kujdesin ndaj Gjithësisë së krijuar prej Zotit, e cila kremtohet pikërisht në atë datë.

Në një konferencë për shtyp në Vatikan, mesazhi do të paraqitet nga kreu i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Turkson, nga sekretari i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, imzot Brian Farrell, dhe nga autori i librit “The Guardian of Mercy” (Rojtari i Mëshirës), Terence Ward.

Lutje për dhuratën e Krijimit

Dita e lutjes është e përbashkët për katolikët, ortodoksët e për Kisha të tjera të krishtera. Në një deklaratë të Kishave të krishtera nënvizohet se sfidat për të ndaluar shkatërrimin e ambientit dhe ndryshimin e klimës janë urgjente. Duke cituar Enciklikën “Laudato si’” të Papës Françesku, Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), Konferenca e Kishave Evropiane (KEK) dhe Rrjeti i krishterë evropian për ambientin (ECEN) i nxisin besimtarët që, secili sipas traditës së vet liturgjike, t’i lartojë Zotit lutje për ruajtjen e dhuratës, që u ka bërë njerëzve me Krijimin.

Respekt për Krijimin do të thotë edhe respekt për njerëzit

“Sipas Ungjillit – shtohet më pas në deklaratën e përbashkët – përgjegjësia ndaj ambientit nuk mund të ndahet kurrë nga përgjegjësia ndaj qenieve të tjera njerëzore: ndaj të afërmit, ndaj të varfërve,ose të harruarve, gjithçka në frymën e vërtetë të solidaritetit e të dashurisë. Respektimi i Krijimit nuk do të thotë vetëm mbrojtje e tokës, ujit dhe e elementeve të tjera të botës e të natyrës. Do të thotë edhe të tregosh respekt për njerëzit, që ndajnë bashkërisht ato dhurata dhe mbajnë përgjegjësi për to”.

Impenjimi i protestantëve

Nga ana e tyre, protestatët, përmes sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Botëror të Kishave (WCC), rev. Olav Fykse Tveit, në një videmoesazh, pohojnë: “Si të krishterë, kemi shpresë. Besojmë se Zoti nuk e braktis Krijimin e vet dhe se ne vetë mund të bëhemi fanarë të asaj shprese, duke përhapur farat e një ardhmërie të ndryshme”. “U bëjmë thirrje qeverive tona – vijon Tveit – që të ratifikojnë marrëveshjen e Parisit; kërkojmë tregues të tjerë të zhvillimit, që ta masin më mirë shëndetin e bashkësive dhe të ekosistemeve. Mund të heqim dorë nga investimet në lëndët djegëse fosile dhe të investojmë në burime alternative, që respektojnë ambientin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.