2016-08-30 09:00:00

Kryeministri Modi: Nënë Tereza Shenjte, krenari për Indinë


Kryeministri indian Narendra Modi, kreu i partisë nacionaliste hinduiste Bjp (Bharatiya Janta Party), shprehu nderimet e tij të thella për Nënë Terezën, për shërbimin e saj ndaj të varfërve në Indi. Kreu i qeverisë theksoi se indianët duhet të jenë krenarë për shenjtërimin e Murgeshës shqiptare. “Deklaratat zyrtare të kreut të qeverisë së Bashkimit, shkaktuan pakënaqësi në bazën nacionaliste radikale të partisë së tij, që e kundërshtoi prirjen për ta pranuar kontributin e murgeshës katolike. Sajan K. George. Presidenti i Global Council of Indian Christians (Gcici) pohon, për agjencinë AsiaNews, se sulmet e elementëve nacionalistë hinduistë  kundër figurës të së Lumes, të shumta edhe në të kaluarën, nuk të çudisin. Lideri i krishterë pohon edhe: “Reflektorët ndërkombëtarë përqendrohen këto ditë  mbi veprën e dashurisë e të paqes, kryer nga Nënë Tereza. Prej këndej Gcic e pret me dashamirësi dhe e çmomn  nderimin e kryeministrit ndaj figurës së Shenjtes.

E Lumja nderohet edhe në Indi

Nënë Tereza do të shpallet shenjte më 4 shtator, në Romë. Shërbëtore e palodhur e të varfërve më të varfër, kontributi i saj pranohet nga mbarë bota. Edhe në Indi, shumica e popullsisë e nderon të Lumen, ndërsa radikalët hinduistë janë përpjekur jo një herë ta errësojnë figurën e saj.

Protestat e nacionalistëve hinduistë

Kryeminsitri Modi e njohu vlerën e Nënë Terezës në fjalimin radiofonik javor “Mann Ki Baat”. Por menjëherë pas, Surendra Jain, Sekretar i përgjithshëm i Vhp (Vidhwa Hindu Parishad, grup ultra nacionalist e paraushtarak), deklaroi: “Kanonizimi i Nënë Terezës paralajmëron edhe më shumë kthime në fenë e krishterë. Kryeministri Narendra Modi duhet ta kishte parashikuar këtë problem, para se të vendoste të dërgonte një delegacion në Vatikan”.

Komente jo të pazakonta për eksponentët radikalë hinduistë

Sajan K. George thotë se komente të kësaj natyre nuk janë të pazakonta për eksponenetët hinduistë. Që kur u zgjodh Modi, më 2014, radikalët e së djathtës, që mbështesin rikthimin në hinduizëm të katolikëve dhe të myslimanëve, çojnë përpara ideologjinë e Hindutva (kthim në shtëpi), që përfshin edhe kërcënimet e barinjve e të besimtarëve si dhe ndërprerjen e lutjeve e të kremtimeve të tyre. Krijojnë edhe atmosferë dyshimesh kundër pakicave të ligshta të krishtera.








All the contents on this site are copyrighted ©.