2016-08-29 12:30:00

Riungjillëzimi i Evropës, në mesazhin e Papës për të krishterët e mbledhur në Selanik


Papa Françesku kërkon riungjillëzimin e kontinentit evropian në një mesazh për Simpoziumin XIV të katolikëve dhe ortodoksëve, që po mbahet në Selanik të Greqisë, nga 28 deri më 30 gusht. Tema e simpoziumit është pikërisht “Nevoja e riungjillëzimit të bashkësive të krishtera në Evropë”. Ai organizohet nga Instituti Françeskan i Përshpirtërisë në Universitetin Papnor “Antonianum” dhe nga Departamenti i Teologjisë në Fakultetin e Teologjisë Ortodokse të Universitetit “Aristoteles” të Selanikut.

 “Prania në Evropë e shumë njerëzve që, megjithëse të pagëzuar, nuk janë të vetëdijshëm për dhuratën e fesë, nuk e provojnë ngushëllimin, që vjen prej saj, dhe nuk marrin pjesë plotësisht në jetën e bashkësisë së krishterë – shkruan Papa Françesku – përfaqëson një sfidë për të gjitha Kishat e kontinentit. Në një realitet si ai evropian, në të cilin dobësohen gjithnjë e më tepër lidhjet me rrënjët e krishtera, ndjehet qartë nevoja e ungjillëzimit të ri. Ky impenjim misionar – vijon Ati i Shenjtë – mbështetet nga bindja e thellë se Krishti “mundet gjithnjë, me risitë e Tij, ta përtërijë jetën dhe bashkësitë tona e, pavarësisht se kalon nëpër epoka të errta e nëpër probleme kishtare, propozimi i krishterë nuk plaket kurrë” (Nxitja Ap. ‘Evangelii gaudium’, 11)”.

Papa uron që reflektimet e meditimet e Simpoziumit, si edhe shkëmbimi i mendimeve ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, të ndihmojnë në gjetjen e udhëve të reja, të metodave krijuese e të gjuhës së përshtatshme që kumti i Jezu Krishtit të arrijë, me gjithë bukurinë e tij, tek njeriu bashkëkohor evropian. Së fundi, Françesku ua beson punimet Zojës, Shën Palit Apostull, të parit që u kumtoi Ungjillin banorëve të Selanikut, dhe shenjtorëve Cirili e Metodi, me origjinë nga ky qytet.








All the contents on this site are copyrighted ©.