2016-08-29 17:19:00

Civiltà Cattolica boton bisedën e Papës me Jezuitët polakë


Për t’i ndihmuar njerëzit në jetën konkrete, që të dinë çfarë e si duhet të zgjedhin në rrethana të ndryshme, nuk mjafton të kesh ide të qarta, abstrakte, duhet aftësi për t’i shqyrtuar mirë gjërat. Këtë këshillë i dha Papa një grupi Jezuitësh polakë, gjatë takimit privat me ta, më 30 korrikun e kaluar. Papa ishte në Poloni, me rastin e Ditës Botërore të Rinisë e bisedimi, i zhvilluar jashtë programit, në kryeipeshkvninë e Krakovit, mbeti jashtë teksteve zyrtare. Pas ndonjë jave, revista e Jezuitëve italianë “La Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik) e propozon përsëri këtë bisedë. Papa iu përgjigj edhe pyetjeve mbi të rinjtë e Universiteteve të jezuitëve, duke u ndaluar edhe tek disa kujtime personale. Numri i ri i revistës doli më 25 gusht. Teksti mund të lexohet i plotë në adresën www.laciviltacattolica.it. Ne biseduam me Drejtorin e Civiltà Cattolica, atë Antonio Spadaro, i pranishëm në këtë takim:

Pyetje: - Është urti të mendosh, para se të veprosh e të dish ta dallosh të mirën nga e keqja. E kjo ka rëndësi si për njerëzit e veçantë, ashtu edhe për Kishën. Sipas Papës, meshtarët a kanë sot nevojë për aftësinë e shqyrtimit, sidomos në aspektin shpirtëror?

Përgjigje: - Papa Françesku, nga fundi i takimit të tij me jezuitët, u kërkoi të gjithëve të uleshin, pse kishte akoma një gjë të rëndësishme për t’u thënë. Natyrisht mesazhi i Papës, përqendruar pikërisht tek urtia e shoshitjes,  kishte vlerë të veçantë. Ati i Shenjtë pohoi se Kisha sot ka nevojë të ketë aftësinë e shqyrtimit shpirtëror. U ankua se nganjëherë disa plane të formimit meshtarak rikrijojnë rrezikun të edukojnë meshtarë, barinj, në dritën e ideve shumë të qarta e të dalluara e prej këndej, t’i mësojnë njerëzit të veprojnë sipas kritereve të përcaktuara a priori, por që nuk e vlerësojnë drejtë situatën konkrete. Papa tha pikërisht se “nuk duhet bërë  kjo, por duhet bërë kjo tjetra”, ishte, pra, shumë i qartë: duhet shkuar përtej këtij modeli, duhet parë jeta konkrete, reale e njerëzve, aftësia, sidomos e meshtarëve, për të gjykuar thellë, për ta dalluar të mirën nga e keqja.

Pyetje: - Për jezuitët gjykimi, dallimi i së mirës nga  e keqja, është urti që fitohet përmes Ushtrimeve shpirtërore…

Përgjigje: - Po, e është formim i thellë, shpirtëror, që na mëson ta njohim praninë e mbinatyrshme në jetën tonë, dua të them si praninë e Zotit, ashtu edhe atë të tunduesit, të tundimit. Atëherë pikërisht për këtë është e rëndësishme që meshtarët të mësohen me jetë shpirtërore, me këtë gjykim të shpirtit për t’i ndihmuar njerëzit ta kuptojnë Zotin kur u flet e ta marrin vesh ç’u kërkon, në situatën e tyre konkrete. Papa përdori një shprehje shumë të bukur: “Jo çdo gjë në jetë – kujtoi – është e zezë mbi të bardhë, e as e bardhë mbi të zezë. Në jetë sundojnë sfumaturat ngjyrë hiri. Do mësuar t’i dallosh sfumaturat e kësaj ngjyre, ku jo çdo gjë është e qartë.

Pyetje: -  Papa foli edhe për marrëdhëniet e tij me të rinjtë dhe theksoi se edhe atyre nuk mund t’u jepen receta  të gatshme…

Përgjigje: - Po, Papa tha se kur flet me të rinjtë, duhet të jesh i sinqertë, i vërtetë, i mirëfilltë; të rinjtë bëjnë pyetje e duhet t’u përgjigjesh me vërtetësi. Por, duke pasur mirë parasysh se duhet të shmangësh një rrezik: atë të përgjigjeve  të gatshme, të parapërgatitura. Të rinjtë shpesh herë duan të dinë ç’duhet të bëjnë, ç’duhet të thonë… Prej këndej, nuk mjafton t’u thuash: “Bëj këtë a bëj atë tjetrën”; nuk u duhen dhënë receta të gatshme, që gjithsesi, nuk depërtojnë në shpirt, mbeten jashtë vetëdijes.  Duhet të jemi të gatshëm - siç tha Papa – për ta korrigjuar këtë sjellje të kërkimiti të recetave e të përgjigjeve të gatshme.

Pyetje: - Në takimin e Papës Françesku me jezuitët polakë, një pyetje tjetër drejtuar Atit të Shenjtë kishte të bënte me universitetet e ngritura nga Shoqëria e Jezusit. Edhe këtu u ndje përsëri nevoja e shqyrtimit. Papa foli për nevojën e Ushtrimeve shpirtërore brenda universitetit, edhe pse është vend ballafaqimesh, vend i mendimit laik, i shkencës…

Përgjigje: - Po, në një farë mënyre Papa i foli Shoqërisë së jezuitëve  për dy përparësi, që duhet t’i ketë parasysh; formimi i klerit të aftë për ta dalluar të mirën nga e keqja, dhe mësimi universitar, që nuk duhet të jetë i lidhur me një fabrikë profesionistësh ose me një akademi nocionesh. Roli i universitetit është t’i ndihmojë njerëzit të mendojnë me kokën e tyre. Në fund të fundit, shoshitja, shqyrtimi, gjykimi injacian, mësimi, që dha Shën Injaci, ishte pikërisht ky: t’i ndihmojë njerëzit të reflektojnë me personalitetin e tyre, në shërbim të realitetit që kanë përballë. Papa tha: “Ky realitet është edhe Kisha, e edhe Kombi, edhe ky është realitet, që duhet  kujtuar” E pastaj shtoi: “Kujdes! Sepse mendimi liberist, që e zhvendos njeriun në qendër e vë në qendër edhe paranë, nuk është mësim që mund ta japim ne.

Pyetje: - Një aftësi, kjo e shoshitjes, që mund ta quajmë shumë moderne, të nevojshme e edhe në botën laike,  që sot sundohet nga një farë prirjeje, e cila ka të bëjë me dëshirat, me një farë xhelozie për lirinë individuale...

Përgjigje: - Problemi është të mos jemi ideologjikë e të jemi, përkundrazi, në shërbim. Përfitimi dhe moderniteti  i reflektimit të Françeskut në këtë çast shkon në zemrën e problemeve. Shqyrtimi shërben pikërisht për të shkuar në zemrën e çështjeve, për të kuptuar cilat janë rrënjët më të thella të problemeve, për të menduar me kokën tënde, domethënë, për të mos  lejuar të kushtëzohesh nga elemente ideologjike. E ky është edhe mesazhi themelor.

Pyetje - E është mesazh që, tek Papa Françesku, shoqërohet me ndjeshmërinë ndaj njerëzve, me vëllazërinë, me jetën konkrete, prej këndej, me vështirësitë dhe paqartësitë, që ndeshin njerëzit në jetë…

Përgjigje: - Detyra e çdo bariu është të kumtojë Ungjillin, gjë që nuk do të thotë vetëm ta transmetojë mesazhin mbarë e mbrapsht, pa marrë parasysh kush e si e dëgjon. Do të thotë ta kesh mirë parasysh se Ungjilli më pas mishërohet në jetën e njeriut konkret, me problemet e tij, me historitë e tij, me kundërshtitë e tij. Ka rëndësi dialogu i drejtpërdrejtë, dialogu i thellë me njerëzit, të cilëve u drejtohet. Kjo përmbajtje vlen për jetën, edhe për jetën kulturore e për fomimin kulturor të njerëzve në kontekstin universitar. 








All the contents on this site are copyrighted ©.