2016-08-28 00:00:00

Sot një javë, Nënë Tereza Shenjte!


Sot një javë Nënë Tereza do të jetë shenjte! Shenjtja e parë shqiptare, Shenjte universale e kohëve moderne, që kremtohet në mbarë botën, ku vijon të jetojë në Krishtin e gjallë, në simotrat e, sidomos në të varfërit e saj!

Vlojnë përgatitjet, e jo në një fshat, qytet a komb, por kudo ngrihet një strehë e të mjerëve, vepër e Nënë Terezës. E, sidomos, thënë simbolikisht, në “tri vendlindjet e saj”: në Selinë e Shenjtë, vendlindje e shpirtit; në Indi, vendlindje e misionit; në  Shkup, Tiranë, Prizrend, Gjakovë, në të gjitha trojet shqiptare: vendlindje e korpit e gurrë e gjakut. Sa shumë vendlindje e vende misioni pati kjo Grua e Madhe, që rroku, me krahët e saj të brishtë, mbarë botën, duke e bërë kudo të prekshme Mëshirën Hyjnore. Papa Pali VI e quajti “Mishërim mistik në të varfërin”; Gjon Pali II “Ikonë e misionit në shekullin XX”; Benedikti XVI “Dishepulle e vërtetë e Krishtit, shembull që tregon si duhet t’u shërbejmë të varfërve”; Françesku e propozon si model të veprave të mëshirës, në këtë Jubile.

Vatikan e Romë

Kremtimet në Vatikan e në Romë janë të shumta. Natyrisht, kanë një kulm. E ky do të nisë Natën e shenjtërimit, më 3 shtator, kur do të ndiqet:

KATEKIZMI I PAPËS FRANÇESKU

në orën 8.30 përgatitja – në orën 10.00 fillimi i katekizmit në Sheshin e Shën Pjetrit

Hyhet me biletë

Më pas, ORATORI “MOTHER” i Marcello Bronzetti, me korin dhe orkestrën Fideles et Amati, ora 17.00, në Bazilikën e Shën Andrea della Valle. Mesha Shenjte, në orën 19.00, e, në përfundim të Meshës, nderimi i relikeve të së Lumes Tereza e Kalkutës

Të diel, 4 shtator

LITURGJIA SOLEMNE EUKARISTIKE E SHENJTËRIMIT TË SË LUMES TEREZA E KALKUTËS.

Ora 10.00, në Sheshin e Shën Pjetrit

E nevojshme, bileta e hyrjes, falas, por që duhet pasur në dorë.

Lutja e Engjëllit të Tënzot e Papës Françesku

Ora 12.00, Sheshi i Shën Pjetrit

E hënë, 5 shtator

FESTA E PARË E SHËN TEREZËS SË KALKUTËS

Mesha e falënderimit, kryesuar nga Hirësia e Tij, kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, me pjesëmarrjen e korit të Dioqezës së Romës, drejtuar nga imzot Marco Frisina

Ora 10.00, Bazilika e Shën Pjetrit

Pasdite

NDERIMI I RELIKEVE TË SË LUMES TEREZA E KALKUTËS

Ora 16.0- 18.00 - Bazilika e Shën Gjonit në Lateran

Kremtimet në Vatikan e në Romë do të vijojnë deri më 8 shtator. Shtegtarët do të mund të orientohen përmes programeve përkatëse…  

Dita e shenjtërimit

Por të rikthehemi tek Dita e shenjtërimit: mijëra e mijëra motra, veshur me sarin bardh e blu dhe një turmë  vigane besimtarësh, ardhur nga të katër anët e botës, ndërmjet të cilëve, shumë, shumë shqiptarë, do ta mbushë përplot Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, që do të jetojë, kështu, një nga ditët më të paharrueshme të Jubileut të Mëshirës e të gjitha viteve të fundit të jetës së tij shumëshekullore. Murgesha imcake, Gruaja shtatvogël, që zgjodhi Indinë për t’u shërbyer të fundmëve, do të bëhet vërtet shtatmadhe, duke u lartuar në nderimet e elterit e duke i treguar mbarë botës sa të vërteta janë fjalët e Krishtit: “Të fundmit, do të jenë të parët!”.

Natyrisht që  rreth Sheshit të Bazilikës vatikanase po punohet intensivisht që tani, për t’u krijuar siguri të plotë të gjithë atyre, që do të kenë fatin të jenë të pranishëm, ndërmjet të cilëve, mbretër, presidentë, kryeministra e personalitete të tjera kishtare e civile, nga të katër anët e botës.

Kuptohet se ngjarjes së madhe të 4 shtatorit do t’i paraprijnë një mori veprimtarish, kudo shkeli këmba e mbathur me sandale të ngrëna nga rruga e gjatë e Nënës së të varfërve e, doemos, në Vatikan: meshë, katekizëm, lutje, ekspozita me reliket e Shenjtores, koncerte…

Kremtime në Indi

India do ta kremtojë Shenjtërimin e Nënë Terezës me një sërë veprimtarish, ndërmjet të cilave Festivali i Filmit e do të jetë e pranishme në Vatikan me një delegacion të rangut të lartë, ashtu si Shkupi, Tirana e Prishtina. Pa kujtuar, këtu delegacionet, kryesuar nga autoritetet më të larta shtetërore e kishtare të vendeve të tjera të botës.

Në Dioqezat e Shqipërisë

Po kjo atmosferë, në Dioqezat e Shqipërisë, ku do të organizohen veprimtari me të varfërit, do të shfaqet Muzikali i Nënë Terezës, do të mbahen konferenca shkencore, ndërsa po dalin botime të ndryshme, si figure të Nënë Terezës, fletëpalosje për familjet, poster, figure, doracaku për nëntëditëshin, në vijim etj; do të ndiqen edhe dëshmi të motrave të Nënë Terezës në Katedrale apo në famulli, sipas kërkesës.

Ekspozita për Nënë Terezën, do të hapet në datat e mëposhtme:

Datë 22 gusht – 11 shtator, në Sapë

Datë 12 shtator – 18 shtator, në Lezhë

Datë 19 shtator – 25 shtator, në Rrëshen

Datë 26 shtator – 3 tetor, në Shkodër

Datë 3 tetor – 19 tetor, në Tiranë

Datë 20 tetor – 28 tetor, në Administaturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut.  

Më 10 shtator do të kremtohet një  Meshë falënderimi, në nivel kombëtar, në Katedralen e Sapës në orën 10:00 (po në këtë datë mund të kremtohet dhe në Katedralen e Prishtinës).

Më 11 shtator, e dielë, meshë  falënderimi në çdo famulli, ndërsa  një delegacion do të shkojë në Shkup.

Më 4 shtator, Ipeshkvia e Shkupit do të organizojë kremtimin me temë: “Ditët e hirësisë së Nënë Terezës”, që do të vijojë nga 5 deri më 11 shtator, për të përfunduar me kremtimin artistik, atje ku pa dritën së pari, ku ishte shtëpia e saj e lindjes, që do të shpallet vend i shenjtë.

Kisha katolike në Kosovë organizon, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Adresa: Piazale San Paolo, 1,00146 Roma, Italy:

Koncert i madh

“HIMN PËR NËNË TEREZËN”

Shtegtarët nga Kosova do të nisen drejt Romës me rrugën Prishtinë-Durrës-Bari-Romë. Ndërsa shqiptarët e diasporës po organizohen nga misionet  shqiptare katolike e do të nisen sipas programeve të tyre të veçanta, për t’u  bashkuar “në një komb” të vetëm, në Vatikan.

Të gjithë ata, që dëshirojnë të shtegtojnë në Vatikan, duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen në Koncert e në Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Luten të gjitha grupet e shtegtarëve, që kanë siguruar biletat e pjesëmarrjes në Meshën e shenjtërimit, të jenë të diel, në orën 07.00, në krye të Via della Conciliazione, në drejtim të Sheshit të Shën Pjetrit, që të mund të shtegtojnë bashkë. E luten edhe të konfirmojnë pjesëmarrjen në Meshë! Meshë që e larton në elter Shqiptaren e Madhe, atë që, e penguar, e keqinterpretuar, e pakuptuar, u pushtua plotësisht nga dashuria e Krishtit për çdo njeri. Ishte prani që transmetonte, e transmeton, frymën e Ungjillit në mbarë botën, frymë ndryshimi, përtëritjeje, risie! Frymë mëshire.

Nëpër botë

Folëm vetëm për kremtimet në Romë e ndër shqiptarë. Por nuk duhet harruar se mbarë bota - nga Lindja e largët - në të afërmen, nga viset më të humbura të Afrikës - në ato të Amerikës Latine, nga polet e ngrira - në ekuadorin e zjarrtë, nga lagjet e gërbulura të Kalkutës - në bidonvilet e botës perëndimore, po e kremton shenjtërimin e Nënës sonë Terezë me një mori meshësh, festash, botimesh e veprash arti, ngritur në nderim të asaj që çoi Zotin, atje ku sundonte mjerimi më i zi! S’na mbetet tjetër, veçse të ecim në gjurmët e saj e t’i lutemi:

Ndërmjetëso te Krishti, për ne! Kemi shumë nevojë!








All the contents on this site are copyrighted ©.