2016-08-28 15:00:00

Kardinali Parolin: shpresa për një faqe të re në marrëdhëniet me Kinën


“Të shumta, shpresat dhe pritjet për një stinë të re në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kinës, në dobi të paqes botërore”. Kështu, thënë përmbledhtas, shprehet sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur, në Pordenone, për temën “ura” e krijuar nga kardinali Celso Costantini. Prelati i lartë kujtoi angazhimin e palodhur të Kardinalit Celsi në favor të dialogut ndërmjet Kishës e Kinës dhe shprehu dëshirën që të shkruhet një faqe e panjohur e historisë, me besim në Provaninë Hyjnore e me realizëm të plotë, në shërbim të së mirës.

Marrëdhënie të reja në favor të paqes botërore

Marrëdhëniet e reja, të dëshiruara, me Kinën, nuk janë qëllim në vetvete, e as dëshirë për kushedi çfarë suksesesh “sipas mendësisë së botës”. Këto marrëdhënie u menduan e u ndoqën, jo pa frikë e ankth, vetëm sepse janë në shërbim të së mirës së katolikëve kinezë, të mbarë popullit kinez  dhe të harmonisë së mbarë shoqërisë. Janë në favor të paqes botërore. Nga Pordenone, dioqezë e kardinalit Celso Costantini, delegat i parë apostolik në Kinë nga vitet 1922-1933 dhe ndërtues i vërtetë urash, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, foli plot me shpresë për një stinë të re në marrëdhëniet Seli e Shenjtë - Kinë.

Papa e njeh martirizmin e katolikëve në Kinë, por edhe dëshirën për bashkim të plotë

E gjithë kjo - shpjegon - do të jetë në dobi të bashkëjetesës së frytshme paqësore ndërmjet popujve e Kombeve, në një botë si jona, të tronditur thellë nga një mori tensionesh e konfliktesh. Papa Françesku - vijon - ashtu si paraardhësit e tij, i njeh mirë vuajtjet, keqkuptimet, martirizimin e  mbuluar shpesh me heshtje, që rëndon mbi shpatullat e bashkësisë katolike në Kinë. Por njeh edhe dëshirën për bashkim të plotë me Pasardhësin e Shën Pjetrit, progresin e arritur e inkurajon, në Jubileun e Mëshirës, faljen reciproke dhe pajtimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.