2016-08-26 00:00:00

Postulatori atë Kolodiejchuk: Nënë Tereza, Pajtore e njeriut që ka nevojë për mëshirën e Zotit


Atë Brian Kolodiejchuk, Misionar i Bamirësisë, përshkruan, në një shkrim të kohëve të fundit, atmosferën që jetohet në mbarë familjen e Nënë Terezës. Galdim e mirënjohje ndaj Papës Françesku, janë dy  fjalët më të përshtatshme për ta përshkruar vigjiljen e shenjtërimit të “ikonës së dashurisë së Zotit”. Me dëshirën që Nënë Tereza t’i frymëzojë sa më shumë njerëzit t’i dhurojnë zemrat e tyre për të dashur e duart e tyre, për të shërbyer, duke filluar nga më të afërmit.

Në këtë atmosferë entuziazmi shtohen thirrjet për të ndjekur gjurmët e Shenjtores ndërmjet misionarëve, themeluar nga “lapsi i Zotit”. E familja e Misionareve e Misionarëve të Bamirësisë jo vetëm që e vijon shërbimin e nisur nga Nënë Tereza, por edhe shton vazhdimisht radhët e saj.   

Misionaret e bamirësisë -  dega aktive e kundruese - ishin 3.842 në çastin e vdekjes së Shenjtes së ardhshme, të angazhuara në 594 shtëpi, ndër 120 kombe; 10 vjet pas vdekjes (2007) ishin 4.823, në 757 shtëpi, ndër 134 vende; më 2010 ishin 5.029 për 766 shtëpi e 137 vende; në 2015 ishin 5.150 në 758 shtëpi e 139 kombe.

Vëllezërit aktivë ishin 363 më 1997, në 68 shtëpi e 19 kombe; më 2007-  367, në 68 shtëpi e 21 kombe; më 2010 - 377, shtëpi e kombe të pandryshuara; ndërsa më 2015 ishin 391, në 69 shtëpi. Kundruesit, nga 14 që ishin më 2007, u bënë 44 më 2010, e kështu u shtua edhe numri i  Misionarëve të Bamirësisë: ishin 13, kur ndërroi jetë Nënë Tereza,  u bënë 35 në vitin 2015.  

Kështu paraqitet Kongregata e Shën Terezës para elterit, që e larton në nderimet e shenjtërisë.

Mbarë familja e Misionarëve të Bamirësisë, motra, vëllezër, etër, bashkëpunëtorë, Lëvizja Corpus Christi për meshtarë, grupet e laikëve (Laikët Misionarë të Bamirësisë dhe Lëvizja “Kam etje”), vullnetarët dhe  miqtë e të gjitha besojmave fetare, galdojnë dhe i shprehin Papës Françesku mirënjohjen e tyre për këtë ngjarje të madhe, në zemër të Jubileut të Mëshirës.

Provania bëri që mrekullia e ndodhur më 2008, në Santos të Brazilit, me ndërmjetësimin e Nënë Terezës, t’i tërhiqte vëmendjen postulatorit vetëm aty nga fundi i vitit 2013 e të miratohej në dhjetor të vitit 2015. Në këtë mënyrë shenjtërimi i Nënë Terezës u bë një nga ngjarjet kulmore të Jubileut të Mëshirës.

Nënë Tereza ishte, që më të gjallë, ikonë e mëshirës përdëllyese të Zotit, që e rrezatoi dritën e dashurisë së Tij mbi një mori njerëzish, përmes   veprave trupore e shpirtërore të mëshirës. Nga Qielli vijon të realizojë  misionin e vet, duke e ndriçuar njeriun, që jeton në mes të errësirës, mbi tokë. Me Shenjtërimin, Kisha e paraqet si shembull e ndihmë për gjithë ata që, si Tereza, dëshirojnë me gjithë zemër të ndezin flakën e dashurisë e të paqes në botën mbarë. Mund ta zgjedhin për pajtore, të gjithë ata, që kanë më shumë nevojë për mëshirën e Zotit.

Urojmë që Nënë Tereza, me shembullin dhe ndërmjetësimin e saj, të frymëzojë sa më shumë njerëz që t’i dhurojnë zemrat e tyre për të dashur, e duart, për të shërbyer. E që secili nga ne të vijojë ta jetojë e ta thellojë vetëdijen se ka nevojë për mëshirë. Ta rrezatojmë, pra, dashurinë e Zotit në bashkësitë tona, në familjet tona, në shërbimin tonë ndaj të varfërve. Me mirënjohjen më të thellë, të lutemi: e Lumja e Shenjtorja e ardhshme – Terezë, lutu për ne!

Për të ndjekur përditësimet e kremtimeve të shenjtërimit, vizitoni faqen zyrtare të internetit: http://www.motherteresa.org/

 








All the contents on this site are copyrighted ©.