2016-08-25 07:30:00

Më 25 gusht kalendari shënon kujtimin e shën Jozefit Kalasancio


Më 25 gusht, kalendari kishtar shënon përkujtimin e shën Jozefit Kalasancio, meshtar, themelues i rregulltarëve Skollopë. Shën José (Jozefi) Calasancio, meshtar, lindi më 31 korrik të vitit 1558 në Perlata del Sal, në Aragona, në Spanjë. Pasi u bë meshtar, udhëtoi në Romë ku zhvilloi detyra të veçantë, duke iu përkushtuar, mes tjerash, edhe apostullimit ndër shtresat më të varfra të qytetit, me një kujdes të posaçëm  ndaj fëmijëve e të rinjve të rrugëve. 
Në vitin 1597 hapi shkollën e parë popullore të Evropës pranë Kishës Shën Dorotea në lagjen romake Trastevere. Institucioni tij i quajtur “shkollë e përshpirtshme”, u pranua si Institut i rregullt kishtar dhe kështu nisi të përhapej edhe përtej kufijve të Italisë.
Vepra e shën Jozefit nga Calasancio-s qe e jashtëzakonshme sepse, ai e interpretoi në mënyrën më të hapur e konkrete mendimin e Koncilit kishtar Tridentin, duke themeluar  një “shkollë të krishterë për jetën” e cila i shoqëronte nxënësit gjatë formimit të tyre deri në universitet.
Një shkolle të tillë, shën Jozefi i përcaktoi një rregullore solide e dha synime të larta e të çmueshme.
Kështu, për të ndihmuar një zgjidhjen e problemit të arsimit, me miratimin e Papës Palit V, më 1617 José themeloi “Kongregatën Paoline të të Varfërve të Nënës së Zotit të Shkollave të Përshpirtshme” – Kongregatë e njohur me emrin “Etërit Skollopë”, të cilët veprojnë në mase 20 Vende në 4 kontinente të botës.








All the contents on this site are copyrighted ©.