2016-08-24 12:58:00

Tërmet 6.0 ballësh në Qendër të Italisë. Vende të rrënuara, dhjetra viktima


Njëzet sekonda tmerr, e qendra historike e Amatrice-s nuk është më. Flitet për dhjetra të vdekur, bilanc absolutisht i përkohshëm. Ishte 6 ballësh, tërmeti që mbrëmë, rreth orës 3.38, goditi Reatino-n, Perugino-n e Ascolano-n. Përsëritje tragjike e asaj, që ndodhi në Aquila më 2009 e Umbria, më 1997. Të vdekurit e të plagosurit janë më të pakët se asokohe (309 të vdekur e 1600 të plagosur në Abruzzo), por kjo vetëm për shkak të shtrirjes më të vogël të zonës së prekur. Sigurisht nën gërmadha ka akoma shumë fëmijë.

Epiqendra e tërmetit, Accumoli

Accumoli është komune e Rietit, me 700 banorë, por tërmeti u shtri shumë përtej saj, duke prekur edhe Arquata-n e Trontos e Ascolano-n. Mbrojtja Civile është e gjitha në këmbë, ndonëse e ka shumë vështirë të arrijë në zonat më të goditura, mbasi janë malore, me rrugë të dëmtuara rëndë nga lëkundjet. E edhe disa ura u shembën, duke krijuar pengesa të reja për lidhjen me të dëmtuarit. Në orën 4.34, toka u lëkund përsëri e sizmologët nuk e përjashtojnë mundësinë e lëkundjeve të reja shkatrrimtare, shkaktuar nga lëvizje të shtresave të dheut në Apeninet.

Kryebashkiaku: vendi nuk është më!

Kryebashkiaku Sergio Pirozzi është tronditur aq, sa nuk mund të thotë gjë tjetër, veçse “vendi nuk është më!”. Vërtet, qendra historike  e Accumoli-t është bërë rrafsh me tokë. Një familje, nënë, babë e dy fëmijë, kanë mbetur nën gërmadha. Të rrëmosh në grumbullin e rrënojave është shumë e vështirë: kemi nxjerrë deri tani që aty një mori të vdekurish, por nuk dihet sa të tjerë janë akoma, gjallë a vdekur, nën shtëpinë që nuk janë më - deklaron. Po evakuohet edhe komuna e afërt e Arquata-s së Trontos, me 1300 banorë, ku ka pasur gjithashtu shembje e viktima.

Tërmet mbi artin

Zona e goditur nga tërmeti është e pasur me shumë dëshmi artistike, edhe ato, viktima të tërmetit. Një nga qendrat më të goditura është Norcia, ku tërmeti nuk e ka kursyer as bazilikën e Shën Benediktit; e dëme të rënda kanë pësuar edhe muret historike të qytetit, nga më të ruajturat në të gjithë Italinë. Problem, edhe të arrish në Norcia, për shkak të shkarjeve të dheut  dhe të dëmtimit të galerive; e të mendosh se këto ditë, këtyre viseve enden më se 15 mijë turistë, ardhur pikërisht për soditur atë art, që tërmeti e shndërroi në gërmadhë. Do të mund të rikthehet përsëri, siç ishte para kësaj nate tragjike?!

Tokë e paqëndrueshme

Instituti italian i gjeofizikës dhe i vullkanologjisë njofton se zona e dëmtuar është  vazhdimisht e kërcënuar nga lëkundjet, gjë që e vërteton fakti se, duke nisur që nga vitet ‘700, është goditur disa herë nga tërmete të fuqishme, që kanë arritur deri në 7 ballë.

Mattarella: përpjekje për të garantuar rindërtimin

“Pasi të ketë përfunduar etapa e ndihmës, në zonat e dëmtuara, do të jetë e nevojshme të fillojë menjëherë përpjekja e përbashkët për të garantuar rindërtimin e qendrave të rrënuara dhe rifillimin e veprimtarive prodhuese, për t’u kthyer përsëri në jetën normale”. Kjo, deklarata e presidentit të Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.








All the contents on this site are copyrighted ©.